Masa të mëdha njerëzish janë prekur së fundmi nga skleroza, e cila, për herë të parë në botë po shfaqet në formën e një epidemie. Rastet duket se janë shtuar në mënyrë të frikshme: dy akademikë (njëri ish-rektor dhe tjetri rektor në detyrë tashmë) harrojnë se kush i kërcënoi; një tufë biznesmenësh harrojnë se kush u ka vënë gjoba; një gazetar gati sa nuk përplaset me ekzekutorin e një njeriu në një lokal të Tiranës dhe nuk mban mend kush ishte, ndonëse e njihnin të gjithë; një tjetër, që i parashikon vrasjet përherë pasi ndodhin, herë deklaron se motori i policisë nuk kishte karburant e herë se ishte plot; rishtazi një bashkëshorte, e devotshme me sa duket, kishte harruar t’ia arnonte brekët burrit.
Elvisi i Kavajës shprehet publikisht se nuk mban mend për çfarë është dënuar në një gjyq të zhvilluar në Gjermani, madje nuk mban mend as se sa është dënuar. Një mori kolegësh të tij, ashtu si ai vetë, kanë ndryshuar emrat, pasi kanë harruar emrat ekzistues. Shumë prej tyre kanë nga 2, 3 e 4 emra. Zakonisht harrohet paswordi.
Politikanët nuk mbajnë mend çfarë kanë thënë vite, muaj apo edhe javë më parë dhe fare serbes flakërojnë në pohime të kundërta. Kryeministri Rama ka mohuar thuajse gjithçka që ka thënë në fushatë e pas saj. Bashkë me liderin e LSI-së harruan shpejt se çfarë kishin vjellë ndaj njëri-tjetrit dhe në ditën e Rrenës lidhën besën për një koalicion të sinqertë, që do ta transformonte vendin, siç në fakt edhe bëri, me vjedhje, burgje, pasiguri, tregti votash, inflacion horrash dhe pikturime publike. Më parë, të njëjtën gjë kish bërë edhe lideri historik i PD-së me Liken, dhe të gjithë gjeneralët e kolonelët e Revolucionit Demokratik të Vonuar, i cili shumë shpejt u bë Revolucion Demokratik i Harruar.
Të dhënat tregojnë se sëmundja prek kryesisht njerëzit që merren me politikë, pastaj intelektualët e në fund specien mediatike, nga ku, për shembull, para disa ditësh u pompua me forcë lajmi se Kadare na kish qenë në shënjestrën e Enver Hoxhës, se në atë të Mehmetit dihej, ndërkohë që për vite na është rrëfyer, dhe kemi menduar nga eksperienca, se kush ndodhej në atë shënjestër i harrohej emri, fytyra e madje akoma sot nuk i dihet varri. Problemi është se në një popull që merret i gjithi me politikë rreziku mbetet apokaliptik. Ja përse shumë shpejt u harrua mjerimi i 50 viteve komunizëm, e po aq shpejt ’97, preteksti i 21 janarit e me radhë.
Institute shkencore nga e gjithë bota po mbajnë në vëzhgim përhapjen e kësaj sëmundjeje në Shqipëri duke rrëzuar deri tanimë të gjitha shpjegimet ekzistuese. Së shpejti do të hapet një master në një nga universitetet virtuoze të sektorit privat pikërisht për të studiuar fenomenin. Të huaj të shumtë si ambasadori Lu, eurodeputeti Fleckenstein apo ambasadorja Vlahutin kanë bërë ecejake të shumta nëpër tryeza bisedimi për të gjetur zgjidhje për situatën, e jo vetëm që nuk kanë zgjidhur gjë, por duket se janë prekur edhe vetë nga kjo sëmundje: amerikanët kanë ndryshuar vazhdimisht kahjen e tyre sa nga Berisha, sa nga Rama apo dhe Meta duke harruar qëndrimet e mbajtura më parë; Europa akoma dhe më keq. Në këto kushte, masa e vetme mbrojtëse e sugjeruar prej mjekëve është: Qëndrojini larg pushtetit!