Ndërsa Bashkimi Evropian nis të çintegrohet, kush mund të ofrojë lidership për ta shpëtuar? Kancelarja gjermane Angela Merkel besohet gjerësisht që po i jep përgjigje pyetjes së famshme të Henry Kissinger-it në lidhje me aleancën perëndimore: “Cili është numri i telefonit të Evropës?” Por nëse numri i telefonit të Evropës ka kod gjerman, ai kalon përmes një përgjigjeje automatike: “Nein zu Allem.”
Me këtë frazë – “Jo për gjithçka” – e përshkroi kohët e fundit Mario Draghi, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, përgjigjen gjermane standarde për gjithë iniciativat ekonomike me synim forcimin e Evropës. Një rast klasik ishte vetoja e Merkelit kundër propozimit të kryeministrit italian Matteo Renzi për financimin e programeve për emigrantët në Evropë, Afrikën e Veriut dhe Turqi përmes lëshimit të obligacioneve të BE, një ide praktike me kosto të ulët e cila është përkrahur nga financiarë të mëdhenj si George Soros.
Refuzimi i rëndë i Merkelit, qoftë për të marrë në konsideratë interesat evropiane, nëse një gjë e tillë do të rrezikonte popullaritetin e saj në Gjermani është kthyer në një makth për udhëheqësit e BE. Ky refuzim shpjegon jo vetëm politikat e saj ekonomike dhe të emigrimit, por dhe arrogancën e saj ndaj Greqisë, përkrahjen e saj për subvencionimin e qymyrit, mbështetjen e saj për prodhuesit gjermanë të makinave në vend të uljes së emisioneve të gazit, heshtjen e saj për lirinë e medies në Turqi, dhe keq-menaxhimin marrëveshjes së Minskut për Ukrainën. Shkurt: Merkeli e ka dëmtuar BE më shumë se çdo politikan i gjallë, ndërsa vazhdimisht ka shprehur pasionin e saj për “projektin evropian.”
Por ku do mbështetet tani një Evropë e zhgënjyer me lidershipin gjerman? Kandidatët më të mundshëm nuk duan ose nuk munden ta marrin atë rol: Britania ka përjashtuar veten; Franca është e paralizuar deri në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm e ndoshta dhe më tej; ndërsa Spanja nuk është në gjendje as të formojë një qeveri të saj.
E kështu mbetet Italia, një vend që, pasi e ka dominuar politikën dhe kulturën e Evropiane për pjesën më të madhe të historisë, tani trajtohet si “periferike”. Por Italia po rimerr rolin e saj historik si burim i ideve dhe udhëheqjes politike më të mirë të Evropës, dhe, në mënyrë të habitshme, në ekonomi.
Transformimi i BQE, nga Mario Draghi, në bankën qendrore më krijuese dhe aktive në botë, është shembulli më i qartë. Programi i madh i lehtësimit kuantitativ që Draghi arriti të kalonte, përballë kundërshtimit gjerman, e shpëtoi euron duke anashkaluar rregullat e Marrëveshjes së Mastrihtit kundër përshtatjes ose ndrajes së të borxhit qeveritar.
Muajin e kaluar, Draghi u bë drejtuesi i parë i një banke qendrore që përqafoi seriozisht idenë e parave “helikopter – shpërndarjen brikete të parave të sapo krijuara nga banka qendrore te banorët e eurozonës. Liderët e Gjermanisë reaguan me zemërim dhe tani e kanë bërë Draghin objektiv sulmesh personale nacionaliste.
Më pak e dukshme kjo, Italia ka kundërshtuar pa zhurmë idetë ekonomike para kejnesiane të qeverisë gjermane dhe Komisionit Europian. Në këshillin e BE dhe në takimin e këtij muaji të FMN në Uashington, Pier Carlo Padoan, ministri italian i financave, mbrojti idenë e stimulit fiskal më fort dhe me më koherencë se çdo lider tjetër i BE.
Më e rëndësishmja, Padoan ka nisur të zbatojë stimulin fiskal duke shkurtuar taksat dhe duke ruajtur planet publike të shpenzimit, në kundërshtim me kërkesat e Gjermanisë dhe Komisionit të BE për të shtrënguar buxhetin. Për rrjedhojë, besimi i biznesit dhe konsumatorëve është rikthyer në nivelin më të lartë në 15 vjet, kushtet e kreditit janë përmirësuar dhe Italia është i vetmi vend i G-7 që FMN parashikon të ketë rritje ekonomike gjatë 2016-ës më të madhe se më 2015 (megjithëse ende është një rritje 1 për qind).
Padoan ka krijuar një partnership publik-privat imagjinar për të financuar rikonstruktimin shumë të nevojshëm të bankave të Italisë. Ai e nisi këtë iniciativë pa pritur aprovimin e zyrtarëve të BE dhe BQE, që bllokuan një plan më të hershëm nën presionin gjerman. Tregjet financiare e shpërblyen menjëherë Italinë për qëndresën e saj, çmimi i aksioneve të bankës më të madhe në vend, Unicredit, u rritën me 25 për qind në tre ditë.
Rezistenca e Italisë ndaj dogmës ekonomike gjermane mund të mos jetë e habitshme: Vendi ka vuajtur nga recesioni i vazhdueshëm që nga anëtarësimi në euro. Për më tepër, Padoan, që ka qenë ekonomisti kryesor i OECD-së, është i vetmi ministër financash në G-7 me trajnim profesional në ekonomi. Ai e kupton më mirë se kushdo që shkaku kryesor i frenimit ekonomik të Evropës kanë qenë politikat monetare dhe fiskale të keq-orientuara, dhe ato janë kryesisht përgjegjëse për tensionet politike që rrezikojnë të shkatërrojnë BE.
Qëndresa e vetëbesimit dhe lidershipit italian mund të shihet në politikën e brendshme dhe të jashtme. Renzi ishte i vetmi lider evropian që rriti numrin e votave për partinë e tij në zgjedhjet për Parlamentin Evropian më 2014, dhe që atëherë dominimi i tij në politikën italiane është rritur. Ndërsa politika populiste po kërcënon Gjermaninë, Francën, Spanjën, dhe Britaninë, Italia i ka kthyer krahët Sivlio Berluskonit dhe Renzi e ka dobësuar mbështetjen për Ligën e Veriut (Lega Nordin) dhe Lëvizjen e Pesë Yjeve. Për rrjedhojë, Italia ka nisur të zbatojë reforma administrative, pensioni, dhe pune që ishin të pamenduara në të shkuarën.
Në çështjet e jashtme, Italia është bërë më pozitive. Ministri i jashtëm italian, Paolo Gentiloni, bashkëpunon me paraardhësen e tij, Federica Mogherini, tani Përfaqësuesja e Lartë e BE për çështjet e jashtme, për të krijuar politika evropiane më pragmatike dhe efektive për Libinë dhe krizën e refugjatëve. Më domethënëse, Italia është prijëse në përpjekjet për riparimin e marrëdhënieve me Rusinë pas përplasjes ukrainase dhe për forcimin e bashkëpunimit në lidhje me Sirinë. Kjo fushatë duket se po jep fryte, me heqjen graduale të sanksioneve ndaj Rusisë, që do të nisin këtë verë.
Duke pasur parasysh dështimet e lidershipit gjerman në Evropë dhe vakumin politik në pjesë të tjera të BE, vendimi i Italisë për të rritur profilin e saj është i drejtë. Siç u shpreh Renzi në një intervistë: “Pas dy vjetësh dëgjimi, tani unë flas.”
Mbetet për t’u parë nëse Italia do të jetë në gjendje të formojë apo jo një koalicion vendesh ekonomikisht progresive dhe politikisht pragmatike për të tejkaluar konservatorizmin dhe dogmatizmin gjerman. Por në një mënyrë apo në një tjetër, ekonomisë politike të Evropës do t’i duhet të përshtatet me tipin e ri të kapitalizmit global që ka evoluar pas krizës së vitit 2008.
Me pak fat, një racë e re liderësh italianë dinakë e të shkathët do t’ua kalojnë dinozaurëve gjermanë të verbuar, rregullat dhe doktrinat e vjetëruara të të cilëve po e çojnë BE drejt zhdukjes.