Këto tre ditët e fundit në Pallatin e Kongreseve është mbajtur një panair pune, ku sipas shifrave zyrtare numri i pjesëmarrësve ka qenë rreth 55 mijë dhe ai i aplikuesve plot 11 mijë, për 8 mijë vende pune reale. (Pse duhej theksuar kjo e fundit?!) Por nga ky panair, u tëhollën po të njëjtat ankesa me ato të zyrave të punës. Nuk ka profesionistë. Nuk ka indivitë të kualifikuar për pozicionet vakante në kompanitë pjesëmarrëse në këtë ekspozim stendash dhe vitrinash, ku përpos të tjerash nënlexohet: “Shiko, por mos prek!”
Përpjekja është e lavdërueshme dhe Z. Klosi e theksoi më fort se në ç’do pikë të fjalës së tij këtë. Por mungoi të shtonte: “Ju faleminderit! Mund të shkoni në shtëpi tani! Nuk patëm gjë në vijë edhe këtë herë, por shpresojmë që herën tjetër të shmangim dështimin.”
Pikërisht dështimin. Në fjalët e ministrit, ku edhe u strukturua një justifikim i rradhës, për numrin e lartë të të papunëve në vend, u nënkuptua gjithashtu edhe kapitullimi i një përpjekje 3 ditore, e cila gjeneroi kronika lajmesh, elokuencën (paradoksale për Shqipërinë) mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, plus gëlltiti një kosto milionëshë nga xhepat e rrjepur të taksapaguesve. E gjitha kjo për një shfaqie që nuk u ngrit as në skenën e Pallatit të Kongreseve, por u rrëzua që në hollin e tij.
Të supozojmë se ajo që thonë përfaqësuesit e kompanive e sidomos ministri i mirqënies, është e vërtete. Nuk paska vërtetë profesionistë. Çfarë parashikohet në këtë rast? Cila është zgjidhja që të orientohemi drejt mirqënies? A ka projekt-ide për këtë gjendjen skandaloze të këtij mileti të pashtruar e të paformuar?!
Normalisht që nuk ka asgjë. Siç nuk kishte që në fillim të herës. Por gjithsesi shfaqia duhet të vazhdojë, me ose pa kritika, me ose pa hirin e popullit.
Po ky i fundit e ka fajin! Pse nuk mëson një zanat?! Ne e bëmë tonën, por ky popull edhe për nja një vit nuk bëhet! Pastaj do ta ngremë zërin në të mirën e tij nga foltoret e fushatës.
Pse nuk e mësojnë politikëbërësit nga një zanat?! Pse ta mësojnë?! Për punët e tyre, ka shpikur frëngu makineri që numërojnë automatikisht paratë, nuk ka pse t’i bëjnë duart pis.
Më thoni një “sepse” të vlefshme për hir të së cilës nuk duhet parë e gjitha kjo si një trill teatral! Trill në të cilin ndoshta një pakicë fatlume fiton e shumica fatkeqe jo. Ndërkaq që klakerët e ngjyrosur politikisht duartrokasin përfundimin e shfaqies, krerët e të dyja palëve antagoniste politikisht kanë dalë në atë që është bërë e modës të quhet parafushatë. Duke propaganduar të mirat e kandidimit të tyre, në disa fshatra që nuk i njohin, nuk u interesojnë e nuk u bëjnë përshtypjë, për aq sa mund t’i bëjnë purshtypje shifrat një bixhozxhiu.
Të bërit politikë është një funksion apo një rol? Pyetje për tu mbajtur mend. Në funksionet e kryera të politikanëve aq ezber në leksik, nuk pasqyrohet thuajse asgjë nga ligjëratat e tyre të aktruara ca pas podiumit, ca “gju më gju me popullin”.
Një panair tjetër u sugjerohet shqipëtarëve, po nga holli i Pallatit të Kongreseve. Panairi i ri titullohet “Mos i ndani sytë nga Europa”. Është i hapur të gjitha ditët e vitit.
Me këtë sugjerim dashamirës nga lartë, domosdo që shqipëtarët s’do t’i ndajnë sytë nga Europa, edhe pse vende si Anglia, me ose pa të drejtë sorrogatojnë plot hilaritet me sugjerimet e kreut të ekzekutivit tonë. Janë të shumtë zërat me influencë politike në Angli, që sugjerojnë një rekurs në status quo-në e dikurshmë. Një dalje e përshkallëzuar nga Europa duket e logjikshme tashmë. Ky shtet nuk gjen arsye pse të sponsorizojë me shifra kataklizmike antarsimin në Europë të vendeve si Shqipëria, të karakterizuar nga një kriminalitet galopant të mbështjellë madje edhe me pushtet politik. Shtete të tjera europiane si Gjermania e Belgjika kanë dëshmuar se me hapjen e kufijve të Europës për Shqipërinë, dyndja e shqipëtarëve do të jetë e madhe dhe me të drejtë. Në këto ujra gëlojnë diskutimet në parlamentin anglez. Por a ka Anglia dhe Europa dëshirë të strehojnë të ardhur nga një vend, mafja e të cilit ka lënë gjurmë të tmerrshme në dosjet policore?
Ky paragjykim tipik europiano-perëndimor, që i madhi i bën pa kurrfarë gajle të voglit, më kujton një shprehje popullore të përdorshme në këto raste: “Digjet i thati me të njomë!”… Ashtu siç edhe po ndodh në të vërtetë, me shqipëtarët e ndershëm që ndërkaq punojnë e kontribuojnë në ekonominë europiane, si edhe me të tjerë bashkombas, që aspirojnë diçka të tillë.