Në gazetari thuhet se lajm është ajo që dikush nuk dëshiron të botohet. Çdo gjë tjetër është reklamë.
Ose, në një gazetë të shekullit të 19, thuhej: Ka dy lloje njerëzish në botë – ata që kanë bërë diçka dhe duan që të mos i dalë emri në gazetë dhe ata që nuk kanë bërë asgjë të vlefshme dhe duan që t’i dalë emri në gazetë.
Pastaj kemi shprehjen e zakonshme: lajm i mirë, është lajm i keq. Supozoj se kjo e fundit është një lloj shprehjeje e nxjerrë nga propaganda komuniste për të treguar dekadencën e shtypit të lirë.
Gjithsesi, sido që ta shohësh, aktualisht media shqiptare është e bombarduar me materjale të prodhuara më së shumti nga zyrat e shtypit. Janë nga ato lloj materjalesh të cilat, bien në kategorinë e njerëzve që nuk kanë bërë asgjë të vlefshme por duan me çdo kusht të dalin në media.
Si t’ia bëjmë për të dalluar se cilat ‘lajme’ i përkasin kësaj kategorie?
Njohja e disa rregullave bazë të gazetarisë ndihmon shumë në këtë drejtim. Janë rregulla të thjeshta, të cilat mësohen në shkollën apo kurset e gazetarisë dhe që ndihmojnë për ta bërë një lajm në pavarur, të paanshëm, të balancuar dhe të verifikuar. Megjithëse mundohen, propaganduesit janë në gjendje vetëm ta imitojnë lajmin e shkruar me rregullat e gazetarisë, por nuk janë në gjendje që të prodhojnë një lajm të vërtetë. Për rrjedhojë, duke njohur rregullat bazë të gazetarisë, është lehtësisht e mundshme për të gjithë që të dallojnë se çfarë elementësh mungojnë në një ‘lajm’ të prodhuar nga zyrat e ‘marrëdhënieve publike’ dhe rrjedhimisht, për ta dalluar atë.
Ngjarje nga pseudongjarje
Ndarja më e pamëshirshme në botën e gazetarisë është ajo e ngjarjes nga pseudongjarja. Ngjarje është diçka që ka ndodhur, dhe që ka ndodhur me të vërtetë. Kur dikush vret dikë, kjo quhet ngjarje. Kur një qytet goditet nga një stuhi, kur dikush ndalohet nga policia, shpallet i arrestuar, shpallet nën hetim (merret i pandehur), kur një ligj aktiv miratohet dhe ndryshon diçka. Këto janë ngjarje. Ngjarja për nga natyra është e papritur, ose pasojë e një kombinimi faktorësh jashtë vullnetit të një individi të caktuar. Nëse qeveria vendos të japë fonde për të pastruar kanalet e kullimit pas protestave të vazhdueshme të banorëve që kanë parë shtëpitë e tyre të përmbytura si pasojë e mungesës së pastrimit, atëherë kjo është një ngjarje. Aktorët që kanë shkaktuar ngjarjen janë të shumtë. Një ndeshje futbolli është gjithashtu një ngjarje. Një numër lojtarësh në fushë dhe në pankinë i nënshtrohen një pafundësie variablash për të dhënë një rezultat.
Pseudongjarje është gjithçka tjetër: një politikan bëri një deklaratë pa mbajtur një qëndrim të qartë apo të prerë mbi një çështje që kërkon vendimmarrjen e tij, një tjetër bëri një konferencë për shtyp por nuk mori asnjë pyetje të vështirë për të, një bashkiak mori pjesë në një ceremoni inaugurimi, një organizatë joqeveritare organizoi një konferencë, një ‘workshop’ a një trajnim. Të gjitha quhen pseudongjarje, në kuptimin që asgjë e papritur nuk ka ndodhur dhe asnjë vendim konkluziv nuk është ndërmarrë.
Le ta shohim në mënyrë paksa më praktike. Fjala vjen, Shqipëria ka një vit e gjysmë që diskuton diçka që quhet reformë në drejtësi. Kjo është ngjarje, në kuptimin që reforma në drejtësi është bërë domosdoshmëri e asaj që ka ndodhur në mbi dy dekada. Por përpos reformës në tërësi, aktualisht palët që duhet të marrin vendim, konkretisht Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, (në mënyrë rastësore edhe LSI), mbajnë deklarata pa mbajtur qëndrim, shprehin shqetësime pa propozuar zgjidhje apo i përgjigjen shqetësimeve me batuta ironike, por pa iu përgjigjur me të vërtetë shqetësimit. Të gjitha këto, përfshirë pafundësia e emisioneve të debatit politik nëpër televizione, janë pseudongjarje. Ato nuk ekzistojnë si ngjarje, në kuptimin që asgjë nuk ka ndodhur në të vërtetë me përjashtim të llomotitjes së njërit apo tjetrit politikan.
Ndarja e botës së lajmeve në ngjarje dhe pseudongjarje është paksa e ekzagjeruar. Është normale që disa njerëz, qofshin politikanë, qofshin artistë, të marrin vëmendje apo të jenë vetë ngjarja. Kuptohet që ka ekzagjerime, por fakti është që prapanicën e Kim Kardashian në ‘belfien’ e saj më të fundit apo cicat e Rita Orës në një revistë, nuk mund t’i hedhësh poshtë tërësisht si pseudongjarje.
Problemi është te masa. Në kuptimin që media, përveç raportimit mbi atë që ndodh, ka për detyrë të përzgjedhë atë që do të raportojë. Kjo përzgjedhje nuk është detyrimisht censurë mbi atë që ndodh. Çdo ditë, gazetarët duhet të vendosin se në çfarë ngjarje apo pseudongjarje duhet të përqendrojnë energjitë dhe kohën e tyre. Ata duhet të zgjedhin, teorikisht duke pyetur veten se cilat janë ngjarjet që përbëjnë më shumë interes për publikun. Tani, ndodh shumë shpesh që nuk janë gazetarët dhe redaktorët ata që zgjedhin se çfarë përbën dhe çfarë nuk përbën interes publik. Kemi raste kur janë politikanët që kërkojnë dhe marrin hapësirë në edicionet e lajmeve apo në gazeta, pavarësisht se gazetarët dhe redaktorët mund të gjykojnë se pseudongjarja me protagonist politikanin, nuk përbën interes publik. Përzgjedhja ndikohet gjithashtu edhe nga ekzistenca ose jo e vetëcensurës. (shih).
Si rregull, gazetarët thonë se pseudongjarjet shtohen, sa herë që aftësia apo mundësia e medias për të mbuluar ngjarje të vërteta, ulet. Nëpër botë thuhet me shumë të drejtë që lulëzimi i medias tablloide ndodh kur rrëzohet media serioze dhe anasjelltas. Rrjedhimisht, nëse shihni një prani të madhe të ‘lajmeve’ softporno në median që pretendon seriozitet editorial, atëherë kjo mund të të shtyjë të mendosh se hapësira për liri editoriale është ngushtuar shumë dhe si kompensim, është shtuar prania e ‘lajmeve’ që në gjuhën e medias quhen ‘të lehta’.
Lajmi duhet të ketë kohë
Një nga mënyrat me të cilat punojnë aktualisht zyrat e shtypit të politikanëve shqiptarë është prodhimi i ‘lajmeve’ rezervë. Këto funksionojnë në formë ‘deklaratash’, ‘inspektimesh’, apo ‘takimesh’, të cilat regjistrohen nga punonjësit e zyrave të shtypit dhe mbahen gati për t’ia dhënë medias për transmetim kur të shihet e arsyeshme. Kjo njihet si ‘praktika e kasetave’, një term deri diku i prapambetur nga fushata për zgjedhjet lokale 2007, kur u shfaq për herë të parë praktika e filmimit, montimit dhe manipulimit të ‘kronikave’ të takimeve elektorale të politikanëve të ndryshëm. Praktika niste me sajimin e një si tip kronike nga një takim, ku me raste, shtoheshin në montazh duartrokitje inekzistente, pastaj kronika shumëfishohej dhe një punonjës bridhte nga një televizon në tjetrin ku kaseta kompjohej nga televizioni dhe qe gati për transmetim. Tani teknologjia ka evoluar. Kronika të tilla transmetohen me Wetransfer, shërbimi në internet për transferimin e fileve me përmasa të mëdha.
Gjithsesi, për shkak se zyrat e shtypit i bëjnë kronika të tilla të gatshme për transmetim në çdo kohë, ato nuk vendosin kohën se kur është zhvilluar pseudongjarja. Nuk thuhet p.sh., aksh politikan u takua me elektoratin në këtë datë dhe në këtë vend. Thuhet thjeshtë, “në një takim”. Rrjedhimisht, sa herë që të shihni një kronikë pa datë dhe pa vend takimi, kini parasysh që mund të jetë pseudolajm i javës së kaluar. Ndërsa politikani juaj i dashur shfaqet në krye të detyrës në lajmet e ditës së dielë, ka shumë gjasa që ai është në plazh por thjeshtë zyra e tij e shtypit ka dërguar një nga ato kronikat e kasetave në televizione.
Lajmi duhet të ketë burim
Zakonisht, një lajm duhet të ketë një farë gjëje që quhet burim, ose mund të jetë konkluzion i një ngjarjeje ku gazetari është dëshmitar që e përshkruan. Burimi mund të jetë një dokument, ose një njeri. Dokumenti mund të jetë ‘i poseduar’ ose ‘i parë’ nga gazetari. Kur një gazetar citon një dokument, ai duhet të përshkruajë dokumentin në tërësi, duke dhënë emrin e institucionit apo individit që e ka hartuar dokumentin si dhe qëllimin se pse ky dokument është hartuar. Dhe kur citohet një burim njerëzor, ai mund të jetë me emër dhe funksion, ose mund të jetë burim anonim. Në të dyja rastet, gazetari duhet të përshkruajë se çfarë funksioni ka burimi i informacionit dhe çfarë e ka shtyrë të flasë e në çfarë rrethanash e mjetesh ka komunikuar me gazetarin. Të gjitha këto shërbejnë për t’i treguar lexuesit që lajmi në fjalë nuk është “shitur” nga dikush dhe gazetari nuk është “peshkuar” me apo pa dëshirë nga një burim informacioni. Dhënia e burimit me emër dhe funksion, kur burimi është i njohur apo dhënia e informacionit përreth burimit, kur ai është anonim, shërben për të shtyrë lexuesin të gjykojë vetë mbi rëndësinë apo saktësinë e lajmit. P.sh., nëse gazetari shkruan: “një burim nga rangjet drejtuese të Ministrisë x”, atëherë lexuesi është në gjendje ta dallojë atë nga një situatë kur burimi është, fjala vjen, “roje”.
Fjalët e gazetarit duhet të dallohen nga ato të burimit
Gjëja tjetër me rëndësi për të parë vërtetësinë e lajmit është që gazetarët kanë detyrimin për t’ia bërë të ditur lexuesit se cila pjesë e lajmit është dhënë nga një burim apo nga një dokument dhe cila pjesë përbëhet nga shpjegime që gazetari i jep me fjalët e veta. Kur një burim citohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, fjalët e tij vihen në thonjëza. Kur perifrazohet, nuk vihet në thonjëza. Në rast se lajmi nuk ka citim me thonjëza, ka gjasa që nuk është lajm. Dhe në rast se nuk ka fjalë jashtë thonjëzave, siç ndodh shpesh kur “lajm” përbën një status i një zyrtari në Facebook, atëherë sërish nuk ka lajm.
Testimi i lajmit
Një lajmi mund t’i testohet vërtetësia në rast se përmbajtja e tij i përgjigjet disa pyetjeve: a ka datë, vend apo personazhe? A ka ngjarje apo është vetëm deklaratë, takim, seminar, workshop, punëtori apo status në FCB? A ka një organizator, fjala vjen, përurim i vendosjes së një poçi nga ana e një zyrtari, apo ka ndodhur rastësisht? A ka burime të deklaruara me emër apo cilësi?
Nëse i përgjigjet pak a shumë këtyre pyetjeve, lajmi ka gjasa është i vërtetë. Nëse jo, bëhet mirë të mos lexohet.
Javës tjetër do të mund të lexoni: Çfarë është lajmi, çfarë është analiza e çfarë është opinioni apo blogu, apo eseja?