Kremtimi i 70 vjetorit të krijimit të klubit sportiv Partizani ishte një spektakël që, përveç argëtimit me budallëqet ceremoniale të rastit, ofroi edhe një sërë shfaqjesh që tregojnë se sa pak ka evoluar një kategori njerëzish nga koha e lulëzimit të “njeriut të ri”. Mbi të gjitha flirtet e politikës me klubin, por edhe reminishencat ideologjike të drejtuesve e simpatizantëve të tij, u shfaqën në mënyrë ulëritëse dhe trishtuese në një sërë shfaqjesh tragji-komike gjatë këtyre ditëve. Një përpjekje e shëmtuar për përdorim politik e ideologjik dallohet qartazi në simbolikën, retorikën dhe qendrimet e mbajtura, të cilat të rikthejnë thellë në një histori të hidhur dhe qesharake.
Ekip legjendar
“Partizani, skuadra legjendë”, – ky togfjalësh u ripërsërit pafundësisht nga një mori adhuruesish abusrdë të këtij klubi, tifozë, ish-lojtarë, përfaqësues të federatës e deri tek politikanë të së majtës, kryesisht njerëz me influencë gjatë regjimit të kaluar. Flitet për legjendë, lavdi, histori, nder, krenari… a thua se po bëjmë fjalë për ushtrinë e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën. Fjala legjendë artikulohet në mënyra nga më të ndryshmet, “legjenda e futbollit shqiptar”, “futbollistët legjendë të partizanit”, historia “legjendare e futbollit shqiptar”… Gjithçka të kujton “Komandantin e Legjendar” të dikurshëm, por edhe versionin simpatik të kohëve të sotme me humorin e hollë e cinizmin e tij therrës: “Kryetarin Lexhendar” të Partisë së Fortë, modeli më i përkryer i thumbimit të idiotësisë sonë kolektive.
Federata shqiptare madje shpiku edhe një çmim apostafat për këtë lloj psikopatie që ky klub e ka ekzaltuar deri në grotesk, duke i akorduar Partizanit titullin: “Klubi Legjendë”. Ndërsa (mbani frymën!) vetë Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i akordoi skuadrës titullin “Nderi i Kombit”. Nuk e di se çfarë e bën Presidentin të krenohet me këtë skuadër, por mund ta themi me bindje që mustaqet e humbura do të ishin një objekt më i mirë krenarie.
Marrëzia përhapet kudo, deri tek tifozët më të thjeshtë të cilët gjithashtu ndjehen krenarë e i thurin lavde një historie që as e kanë jetuar e as e njohin. “Krenari dhe lavdi për historinë”, – thoshte një parrullë gjigande në shkallët e stadiumit gjatë derbit me Tiranën, duke ricikluar terma nga fabrika retorike e lavazhit trunor të propagandaës qesharake të atëhershme. Terminologjia është marrë me copy nga epoka e marrëzisë komuniste, për t’u bërë paste në mënyrën më idiote në një realitet krejt tjetër ku njerëzit tashmë ndjekin çdo ditë Realin dhe Barcelonën dhe as arrijnë të kuptojnë se çfarë dreqin paska arritur kjo skuadër në këta 70 vjet për t’u ekzaltuar kaq shumë.
Një tjetër pankartë e madhe e tifozëve evokonte figurën e Petrit Dumes si objekt krenarie, duke e dekoruar portretin e tij me 6 yje si gradat ushtarake, në mes të të cilave shkruhej: “Gjenerali”. Bëhet fjalë për një nga ata burrecët e shumtë të makinerisë kriminale shtetërore të asaj kohe, të cilët në fund kthehen në viktima të përbindëshit që ndërtuan me duart e veta. Ky gjenerali i “lavdishëm” përfundoi në pushkatim, pas përpjekjeve të dëshpëruara me letra dërguar Enver Hoxhës ku i lutej ta falte, ndërsa ia hidhte fajin Beqir Ballukut. Të shohësh të rinj kaq naivë, që brohorasin krenarë për një burokrat ordiner si ky, për një pallosh me grada, për një aparatçik të tredhur e kokëgdhë, flamurtar i devotshëm i një regjimi kaq qesharak, është gjëja me e pa shpresë që mund t’i ndodhë një vendi.
Cila është vallë gjithë kjo histori e lavdishme dhe legjendare që na bëka të ndjehemi kaq krenarë?
Është diçka e mirënjohur që sporti dhe sidomos futbolli, është përdorur vazhdimisht apo dhe është përfshirë në luftën politike midis forcave të ndryshme apo edhe midis shtetesh, në planin ndërkombëtar. Rivaliteti i shumë skuadrave të mëdha reflekton në mjaft raste edhe probleme të tilla historike, politike apo ideologjike. Kështu, Reali i Madridit është i njohur si skuadër e mbështetësve të monarkisë në Spanjë, ndërsa ajo e Barcelonës si antagoniste e saj. Të tilla kemi pafundësisht në Itali, Francë e kudo, ku disa skuadra kanë përfaqësuar historikisht ideologji të majta, ndërsa disa të tjera të djathta apo nacionaliste. Kjo gjë ka qenë akoma më e theksuar në Europën Lindore, ku ideologjia dhe pushteti ndërhyjnë shumë herë më dhunshëm në punët e sportit. Duke jetuar në shoqëri totalitare, natyrshëm niveli i lartë i politizimit të jetës shoqërore nuk mund të lërë mënj’anë dhe sportin. Shqipëria, aq më pak mund të bëjë përjashtim nga kjo.
Partizani është një skuadër e krijuar mirëfillti për qëllime politike, si një instrument propagandistik në duart e diktaturës. Ajo ishte skuadra e Partisë dhe përfaqësonte forcën e pushtetit në fushën e sportit. Si një klub që varej drejtpërdrejtë nga Ministria e Mbrojtjes, ai mishëronte ushtrinë, krenarinë më të madhe propagandistike të kohës, ku proklamohej se ishte “i gjithë populli ushtar”, ku vendi ishte i mbushur me bunkerë e propagandohej se një nga arritjet më të mëdha ishte “mbrojtja e atdheut”, ndërsa “ushtria jonë heroike” i shtinte dridhmën të gjithë armiqve duke bërë që “të mos guxojë kush të na prekë kufirin”.
Për këtë arsye, Partizani nuk mund të ishte një skuadër e rëndomtë, si gjithë të tjerat. Ajo u projektua si një skuadër fituese, një skuadër që do të shpërfaqte modelin e suksesit me të cilin identifikohej Partia. Për këtë do të gjendeshin doemos mundësitë dhe mekanizmat që ajo të ishte gjithmonë në majë, duke filluar që nga investimet, trajtimi dhe mbështetja shtetërore ndaj lojtarëve në klub, e deri tek instrumentet e Federatës si gjyqtarët, komisionet e disiplinës që dëmtonin rivalët etj. Por mbi të gjitha, grumbullimi i lojtarëve më të mirë të skuadrave të tjera, ishte mjeti kryesor në funksion të këtij qëllimi. Fakti që ky ekip doli kampion që në vitin e parë të tij, tregon se ka diçka përtej sportit këtu.
Partizani grabiste lojtarët më të mirë të kampionatit, me pretekstin e ushtrisë, të cilët i mbante shpesh deri në fund të karierës. Lojtarët më të mirë të kësaj skuadre, “legjendat” saj, janë marrë nga skuadrat e tjera si Tirana (Panajot Pano, Refik Resmja, Gani Merja, Rexhep Spahiu, Xhavit Demneri) Shkodra (Loro Boriçi), Vlora (Mexhit Haxhiu, Sokol Kushta) etj. Ka pasur edhe raste kur pushteti iu ka shkatërruar karierën lojtarëve që nuk pranonin të shkonin tek Partizani apo Dinamo. Skënder Halili psh. menjëherë pas refuzimit të Dinamos, u arrestua me pretekstin se kish thyer lekë në dollarë (gjë që e bënin të gjithë futbollistët, kur iu duhej të luanin jashtë vendit).
Kjo është legjenda që bën sot krenar Bujar Nishanin dhe Armand Dukën e gjithashtu edhe Erjon Braçen që ngre zërin kundër atyre që i kërkojnë Bashkisë, të investojë për Tiranën (si aksionere që është) ndërsa nuk shqetësohet aspak kur shteti i jep prona publike me koncension Partizanit.
Fatkeqësisht ky ekip po rikthehet në reminishencat e së kaluarës. Kthimi i yllit komunist në fanellë dhe krenaria me të cilën e shfaqin këtë, janë shenja të shndërrimit në një instrument patetik të kultivimit të nostalgjisë mazokiste për kohët e terrorit totalitar. Dëshira e zjarrtë për të promovuar histori kur kjo histori lidhet kaq fuqishëm me diktaturën tregon se mendjet e drejtuesve të tij kanë shkarë shumë. Kjo në fakt vjen paralelisht me një përpjekje më të zgjeruar për rehabilitimin e regjimit që ndeshet në shumë hapësira të tjera të veprimtarive shoqërore.
Ka një përpjekje të kudogjendshme për të ricikluar shumë nga mendësitë apo objektet propagandistike më bajate të regjimit të kaluar, në emër të një ridimensionimi të historisë, nën moton se e kaluara komuniste duhet parë me “të mirat dhe të këqijat e veta”. Politikanë, historianë, intelektualë, kryesisht njerëz me përfitime të drejtpërdrejta nga diktatura, ose pinjoj të kuadrove të lartë të saj, kërkojnë të rizgjojnë shumë prej shprehive të flakura tej prej 25 vjetësh, duke riaktivizuar fushata e qendrime që kërkojnë të rehabilitojnë shumë elementë të trashëgimisë komuniste.
Maratonat e ceremonive shtetërore në përkujtim dhe nderim të luftës partizane (ku lufta monopolizohet nga forcat komuniste), krijimi i muzeumeve historiko-artistikë nga koha e monizmit, organizimi i konferencave shkencore e përkujtimore ku rehabilitohen kasapë të makinerisë kriminale të diktaturës, shpërndarja e titujve të nderit dhe medaljeve për shumë prej persekutorëve dhe aparatçikëve të nomenklaturës së vjetër, si dhe përhapja e kundogjendshme e protreteve të Enver Hoxhës në çdo ceremoni shtetërore, tregojnë për një rikthim, të paktën virtualisht në mendjet dhe ndërgjegjet e shumë njerëzve, në rrënojat e asaj çmendurie. Partizani është thjesht mjeti i rradhës në këtë valë marrosjeje revanshiste. Ai po bëhet pjesë e një përpjekjeje shoqërore e politike, për të hapur kapakun e pusetës së të kaluarës më të hidhur të këtij populli, duke u munduar të sheqerosë tërë thartinë e kësaj kalbësie që ai regjim mundi të ndërtojë për 50 vjet.