Nacionalizmi shqiptar ka zhvilluar mbi shumë gjëra kultin e gjuhës, duke e bërë atë një nga vlerat më të rëndësishme në tempullin e kombit. Nuk di të ketë popull që ka krijuar kaq shumë himne, poezi, shkrime, por edhe veprimtari politike, deri në përballje fizike, për gjuhën e vet. Shqipja është ndoshta e vetmja gjuhë që ka prodhuar dëshmorë, siç është Papa Kristo Negovani ose Dhaskal Todri, të ekzekutuar nga shovinizmi grek për shkak të veprimtarisë së tyre në përhapjen e shkrimit shqip.
Natyrisht gjuha shqipe është një pasuri vërtetë e çmuar, e trashëgimisë sonë kulturore. Mjaft të shohësh folklorin dhe mund të kuptosh realisht pasurinë e mjeteve shprehëse të saj, aftësinë e saj për të përcjellë shijen e hollë estetike dhe pasurinë e ndjenjave. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për shpjeguar një nivel të tillë adhurimi për gjuhën të kultivuar që prej rilindjes e këtej. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur mendojmë që gjuha shqipe ka qenë një gjuhë e pa shkruar deri vonë, si pak gjuhë në botë. Dhe ndoshta shpjegimi duhet kërkuar, pikërisht tek paradoksi. Njerëzit, popujt shpesh glorifikojnë tek vetja e tyre, pikërisht atë çfarë iu mungon, e nuk e kanë në masën e duhur. Megjithëse kemi një gjuhë mjaft të pasur në mjete shprehëse dhe të aftë për të përcjellë kuptime, jemi një popull që nuk e kemi shkruar atë.
Pikërisht për këtë arsye, mungesa e kultivimit të një literature të pasur në gjuhën shqipe, deri në mesin e shek. XIX, kur fillon edhe lëvizja kombëtare shqiptare, çoi në nevojën e patriotëve shqiptarë për ta glorifikouar atë si vlerë ekzistuese, duke kultivuar vetëdjen shoqërore në ruajtjen e saj, në kushtet kur gjuhë të tjera ushtronin një presion të madh asimilues mbi masa të gjera të popullsisë. Gjuha shërbeu gjithashtu si një mjet legjitimimi për projektin e krijimit të një shteti kombëtar shqiptar, në kushtet kur projektet ndërkombëtare mbi rajonin nuk konsideronin thuajse aspak ekzistencën e një kombi shqiptar. Nga ana tjetër, siç pohojnë edhe shumë studiues modernë, gjuha është parë si elementi thelbësor ku mund të lidhet identiteti shqiptar, për sa kohë, ndryshe nga fqinjët, kombi shqiptar nuk mund të lidhej dot pas një feje, për shkak të pluralitetit të besimeve që bart. Në këtë mënyrë, rilindasit i dhanë gjuhës peshën kryesore në formimin e identitetit shqiptar, duke e bërë atë objektin më të rëndësishëm që i bashkon të gjithë shqiptarët, e që njëkohësisht i ndan ata nga popujt e tjerë në rajon.
Përtej liturgjisë
Mitologjia e krijuar për gjuhën, ka çuar shpesh në ekzagjerime drejt një puritanizmi shterpëzues, ndërsa paralelisht me këtë gjuha shqipe po masakrohet si pasojë e transformimeve të mëdha shoqërore dhe paaftësisë së autoriteteve shkencore për të vendosur e imponuar rregulla. Nga njëra anë gjuha shqipe është vënë nën presionin nga disa gjuhëve të tjera, nëpërmjet mjeteve të komunikimit, në përgjithësi, kulturës së konsumit apo edhe fenomeneve shoqërore si emigrimi, ndërsa nga ana tjetër kemi një varfërim të madh të komunikimit, të ardhur si pasojë e një varfërimi të madh intelektual në shoqëri.
Ekzagjerimi i puritanizmit linguistik, i motivuar nga një patriotizëm shumë i ngurtë, ka sjellë deformimin dhe denatyralizimin e saj në mjaft aspekte. Natyrisht, fjalët e huaja përbëjnë kërcënim për çdo gjuhë, por akoma më kërcënues është hermetizmi përjashtues, i cili pengon pasurimin e saj. Ashtu si kultura, edhe gjuha pasurohet nëpërmjet këmbimit. Puritanizmi jo vetëm që nuk e mbron gjuhën, por edhe e dëmton atë. Duke mos pranuar asnjë fjalë të huaj, edhe kur për to nuk gjejmë zëvendësuese në shqip, jo vetëm krijohet vështirësi në të shprehur, por kjo dëmton edhe kuptimin e fjalëve ekzistuese, të cilat fillojnë të përdoren në mënyra të transformuara, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga mungesa e termave të duhur. Pra, nga njëra anë varfërojmë gjuhën duke mos pasur në dispozicion mjetet e duhura të të shprehurit, nga ana tjetër deformojmë kuptimet ekzistuese të fjalëve duke i veshur ato me kuptime të reja, artificiale.
Ne mund e ndalojmë fjalët e huaja, por nuk ndalojmë dot kuptimet e huaja që na hyjnë nga komunikimi me gjuhë dhe kultura të tjera. Për sa kohë këto kuptime, ide, mendime do t’i shenjojmë në mënyrë të sforcuar nga leksiku i shqipes në emër të puritanizmit, nuk do të bëjmë gjë tjetër vetëm se do të deformojmë fjalët ekzistuese duke u mveshur kuptime të reja. Një fjalë shqipe, e cila përdoret për të zëvendësuar një fjalë të huaj, jo gjithmonë i përgjigjet me përpikëri kuptimit të fjalës së huaj që zëvendëson. Kjo do të sjellë zgjerimin e kuptimeve për fjalën e përdorur, gjë që do të thotë t’ia ndryshosh kuptimin ekzistues në shqip. Në fund fare, kjo gjë shpie drejt çveshjes së fjalëve nga kuptimet ekzistuese, duke i bërë ato të tregojnë objekte gjithnjë e më të përgjithësuara, gjë që çon në deformim të gjuhës. Në fakt, gjuha është një mjet dhe duhet parë si e tillë. Ajo luan disa funksione jetike për njeriun dhe shoqërinë njerëzore dhe nuk është thjesht suvenir e as altar me funksione vetëm simbolike. Përkundrazi, ajo ka funksione thelbësore në shoqëri dhe konceptime të tilla sjellin vetëm defunksionalizimin e gjuhës.
Gjuha është dukuri kulturore dhe njëkohësisht një nga faktorët më të rëndësishëm në prodhimin e një kulture. Edward Spair ka hedhur tezën se shoqëritë përpunojnë konceptime të ndryshme për botën dhe se modelet e organizimit gjuhësor, ndikojnë në krijimin e tyre. Sipas kësaj, fjalët me të cilat i përshkruajmë sendet ndikojnë në perceptimin që krijojmë për to. Ashtu siç organizohet gjuha në sisteme gramatikore, edhe mendimi organizohet në atë mënyrë që të jetë pasqyrim i strukturës gjuhësore në të cilën ai ndërtohet. Struktura jonë gjuhësore orienton mendimin tonë në modelet që i përshtaten të folurit tonë.
Natyrisht, ka diskutime se deri në ç’nivel kjo dukuri e kushtëzon formimin kulturor. Disa teoricienë i japin asaj një rol absolut, ndërkohë që disa të tjerë një rol më të vogël, por të gjithë e shohin atë si të rëndësishme në formësimin e formacioneve kulturore të shoqërive. Kjo do të thotë se kultura shqiptare është, në një masë të konsiderueshme, produkt i gjuhës shqipe dhe se shqipja nuk është thjesht mjet identifikues i shqiptarëve, por është një instrument i rëndësishëm i prodhimit të kulturës sonë. Ne jemi këta që jemi edhe falë gjuhës që flasim, dhe ndryshimet në gjuhë sjellin tjetërsim kulturor. Kjo do të thotë që, teksa duhet të jemi të hapur për të freskuar gjuhën me prurje të reja, të domosdoshme, duhet njëkohësisht edhe ta ruajmë atë nga deformimet dhe transformimet rrënjësore, që e çbëjnë natyrën e saj.
Grackat e fjalëve
Gjuha, pra, ka një raport të afërt me mendimin. Njerëzit mendojnë me fjalë dhe kjo e bën atë kusht të mendimit. Për këtë arsye, mbrojtja e gjuhës dhe lëvrimi i saj është e domosdoshme për ta ruajtur shoqërinë. Por, gjuha mund të bëhet gjithashtu edhe burg i mendimit. Fjalët janë shpesh gracka për mendjen. Duke u përdorur në mënyrë të gabuar, ideologjike ose mitologjike, fjalët krijojnë kuptime të rreme dhe kjo është mënyra sesi grupe të ndryshme interesi, përhapin bindje të gabuara në opinionin publik.
Në njëfarë kuptimi, ky shqetësim na vjen që nga lashtësia. Konfuci thoshte se, që të shmangim luftërat, duhet të biem dakord për fjalët. Sofistët u munduan të tregojnë se rendi ekzistues shoqëror, kulturor, shtetëror, nuk është gjë tjetër vetëm se produkt konvencionesh ku një peshë të rëndësishme ka komunikimi. Fjalët janë në vetvete mjete konvencionale për të prodhuar një realitet që formësohet nga komunikimi. Sokrati iu kundërvu kësaj me të gjitha fuqitë e tij të arsyes, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përkufizimeve mbi fjalët, si një nga shkaqet kryesore të ekzistencës së të keqes në botë. Në mesjetë, ky debat derivon në qendrimet radikale mes realizmit dhe nominalizmit si dy mënyra të ndryshme për t’iu qasur pushtetit që fjalët dhe idetë kanë mbi realitetin që njohim apo krijojmë.
Ideologjitë janë ato që, më së shumti, varfëeojnë mendimin, duke ngurtësuar edhe kuptimet mbi termat në përdorim. Përdorimi i termave abuzivë si barazi, progres, racio, revolucion, emancipim, modernizëm etj, u ka ndihmuar ideologjive moderne të kenë akses në ndërgjegjen shoqërore, duke u bërë shkak për instalimin e pushteteve totalitare dhe trazira të paimagjinueshme që bota kaloi gjatë shekullit të shkuar. Këto fjalë kanë sjellë konstruksionet më të mëdha në iluzionet e botës moderne, duke ofruar e shumëfishuar kuptime që kanë orientuar gjatë mendimit njerëzor. Përdorimi i tyre ka shtresëzuar një diskurs mitologjik, përtej mundësive racionale të realizimit të aspiratave që përfaqësojnë.
Shqipja e re
Gjuha shqipe ka kaluar natyrisht nëpër disa faza gjatë periudhës moderne duke filluar nga ajo e rilindjes, komunizmit dhe së fundmi në një tranzicion pa destinacion si ky i sotmi. Rilindasit ishin ata që hodhën bazat e modernizimit të shoqërisë shqiptare e, natyrisht, ndikimi i këtij procesi shfaqet edhe në gjuhë. Ata hodhën gjurmët e para të themeleve të ligjërimit modern, duke formuluar edhe kornizat themelore kulturore e politike të kombit shqiptar. Retorika e rilindësve solli një sërë elementësh ideologjikë (siç janë ato që kanë të bëjnë me kombin, nacionalizmin, kulturën, shtetin, emancipimin e shoqërisë etj.), por ata u munduan që modernizimin e shqiptarëve ta mbështesin mbi themele të traditës.
Në këtë drejtim, ata lëvruan gjuhën shqipe, prodhuan studime të rëndësishme dhe hodhën themelet për standardizimin e saj, por nuk e panë kurrësesi këtë proces si një thyerje dhe nuk ndoqën një logjikë dialektike në përplasje me të kaluarën. Përkundrazi, ata e panë modernitetin si një sfidë që duhet përballur, duke synuar që ai të ndërtohet mbi vlerat tradicionale të trashëguara. Elitat intelektuale gjatë kësaj periudhe i referoheshin gjithmonë etnosit shqiptar, duke i kërkuar në traditë e folklor bazën për lëvrimin e gjuhës dhe kulturës. Kështu, në botimet e tyre hasim shumë përmbledhje e shënime mbi folklorin, traditat, zakonet, e madje një pjesë e mirë e poezisë shqipe u shkrua duke u mbështetur mbi të. Duke qenë se nacionalizmi shqiptar ndoqi modelin e kombit kulturor, elitat shqiptare shfaqën një veneracion të madh për traditën, kulturën popullore, etnosin, në përgjithësi. Kjo bën që kultura dhe gjuha e lëvruar të mbështetej mbi njëfarë vijimsie duke ruajtur trashëgiminë kulturore ekzistuese.
Shqipja ideologjike
Indoktrinimi dhe denatyrizimi më i madh që i është bërë ligjërimit dhe mendimit shqiptar ka qenë gjatë kohës së komunizmit. Instalimi i një ideologjie totalitare, e cila u përpoq për gjysëm shekulli të rikrijonte shoqërinë shqiptare në bazë të projekteve inxhinierike më utopike të kohës, natyrisht që do të relektohet fuqishëm në mendimin shoqëror. Njeriu i ri, i projektuar nga Partia, ishte një projekt që synonte ribërjen e shoqërisë në një formë krejt tjetër nga ajo ekzistuese, në çdo aspekt të jetës njerëzore. Në funksion të këtij projekti komunizmi ndërtoi një makineri të tërë që fabrikonte mendimin dhe sjelljen shoqërore. Ai angazhoi në këtë ndërmarrje shkollat, mediat, kinematografinë, teatrot, e deri në shtrirjet më kapilare të strukturave partiake në çdo qendër pune apo organizatë lagjeje. Ideologjia zyrtare përpunoi vokabularin e saj doktrinar, i cili injektohej çdo ditë në shoqëri, nëpërmjet industrisë më të zhvilluar që ndërtoi ai regjim, industrisë së përpunimit mendor të masave. Shqipja e njeriut të ri ishte e vetmja dritare për të parë e kuptuar botën, e cila natyrisht diktonte botëkuptime skematike që pengonin çdo lloj lirie dhe kthjelltësie intelektuale.
Sot shqiptarët janë ende të mbërthyer në rrjetën e mendësive të atij regjimi. Në një masë të madhe shqiptarët vijojnë ende ta shpjegojnë botën përmes termave të asaj periudhe. Ende edhe sot, librat e historisë, studimet shoqërore, kulturore e letrare, si edhe shtypi i përditshëm reflektojnë terminologjinë marksiste, e cila ka ndryshuar shumë pak nga koha e komunizmit. Mendimi dialektik, koncepti i masave, popullit, megalomania dhe ngarkesat mitologjike, janë ende të ngulitura mirë në qasjet e studimeve të këtyre fushave dhe nëpërmjet këtyre kuptimeve zhvillohet shpesh edhe debati publik, në media dhe kudo. Do të duhet ende shumë kohë që elitat intelektuale dhe më pas shoqëria të çlirohen nga paradigmat e së kaluarës komuniste.
Kjo ka bërë që debatet mbi gjuhën që zhvillohen sot, të mos e adresojnë drejt problematikën e kohës. Shumica e gjuhëtarëve kanë mbetur në klishetë e instaluara këtu e 50 vjet dhe e kanë të vështirë të rrokin një sërë problemesh të një natyre më sociologjike që lidhet me gjuhën. Debati më i dashur për shumë prej tyre është ai mbi ndryshimin e standardit zyrtar të imponuar arbitrarisht prej Enver Hoxhës, që disa e sulmojnë, edhe për arsye krahinore, përveçse shkencore, ndërsa disa të tjerë e mbrojnë, më shumë për shkak të një inercie historike e madje edhe politike.
Prurjet e reja kulturore kanë sjellë zhvillime që standardi i fosilizuar shqiptar nuk u gjen përgjigje. Interesante është të shohësh filmat e dubluar, kryesisht ata për fëmijë, të cilët ofrojnë një miksim të gjuhës së shkruar letrare, me struktura e mënyra të shprehuri të gjuhëve të huaja nga janë përkthyer. Kjo ka bërë që shumë fëmijë të fitojnë mënyra të shprehuri që tingëllojnë artificiale dhe shpesh komike. Mund të thuhet se fëmijët e sotëm, në përgjithësi, nuk flasin një shqipe normale, por një dialekt të ri të krijuar nga Bang Bang-u dhe kanale të tjera televizive apo online.
Problemet e gjuhës, në fakt, janë shumë komplekse sot, për shkak të një sërë zhvillimesh që lidhen me modernitetin, të cilat studiuesit nuk para i marrin në konsideratë. Sidomos të rinjtë po jetojnë në një univers që fare pak ka lidhje me kulturën shqiptare të trashëguar. Në fakt nuk ka lidhje me asnjë kulturë reale, por formohet nga dukuri akulturuese siç është kultura e konsumit në një shoqëri globale. Të rinjtë shqiptarë po adaptojnë modele kulturore të zbrazëta, me maniera të huazuara refleksivisht nga produktet mediatike më surrogate të botës së komercit, të cilat i bëjnë ata të ngjajnë teatralë. E gjithë kjo ndikon natyrisht edhe në gjuhën e të rinjve që po masakrohet mes dhëmbëve të tyre.
Gjuha e të rinjve po bëhet gjithnjë e më shumë një zhargon vulgar që priret të reduktojë gjithnjë e më tepër numrin e fjalëve në përdorim. Gjuha e tyre është një asfiksi kuptimore, e vënë në funksionim nëpërmjet një sërë skemash të thjeshta të adaptuara shabllon nga mediat. Për rrjedhojë, bota e të rinjve është sot tmerrësisht e varfër, e thjeshtë, primitive e vulgare. Këtë mund ta konstatosh jo vetëm kur i dëgjon të flasin, por edhe kur i sheh të shkruajnë në facebook, blogje, apo detyra kursi në universitete.
Drejt zhdukjes
Ky është një problem global, por në një realitet si ai shqiptar, ku mungon edhe trashëgimia, ai bëhet vdekjeprurës. Sociologët e psikologët ankohen se një dukuri e tillë po merr përhapje të jashtëzakonshme, falë mosleximit dhe vulgarizimit masiv kulturor që ofrojnë mediat dhe interneti. Të rinjtë po shndërrohen në analfabetë të diplomuar dhe kjo po shqetëson kudo studiuesit dhe institucionet që merren me këtë fushë.
Hart Wegner ka shkruar një libër mbi këtë fenomen, një libër që të trishton në çdo rresht: Lamtumirë Fjalë. Autori evidenton aty sëmundjet e modernitetit që po e çojnë shoqërinë drejt vdekjes së fjalëve. Kjo vërehet në çdo aspekt, që nga varfëria e të shprehurit, tek të shkruarit me shkurtime, e deri te prirja për ta zëvendësuar fjalën me simbole e numra. Fjala po shkon gradualisht drejt imazhit, i cili po e zhvesh mendjen e njeriut nga fuqia e të menduarit. Kjo do të thotë se e ardhmja, sipas autorit, pritet të jetë zhgënjyese.
Shqipëria, natyrisht, është edhe më keq. Degradimit intelektual që sjell moderniteti dhe kultura e konsumit, të cilat në Shqipëri gjejnë një shtrirje më të gjerë se kudo, i shtohet edhe e kaluara, e cila ofron denatyrimin spektakolar të një trashëgimie totalitare. Gjuha shqipe sot po ndrydhet si në morsë prej shqipes totalitare enveriste dhe shqipes globale snobiste të një prirjeje infantile për të qenë sa më trendi, e shfaqur kjo edhe tek mosha konsiderueshëm të mëdha. Të diskutosh mbi gjuhën shqipe sot do të thotë të diskutosh mbi diçka që tashmë po i largohet realitetit. Në shumë aspekte gjuha e sotme është bërë jofunksionale duke mos ofruar dot mekanizma për t’u përshtatur.
Në këto kushte, gegë e toskë që zihen sot për standardin, shumë shpejt do të kuptojnë se kanë dalë krejtësisht në një univers tjetër ku nuk do të mund të gjejnë dot as përkthyes për t’u marrë vesh.