Një klub futbolli ku drejtori sportiv thotë “duhet t’hapim shkresat e partisë ta nxjerrim datën fiks të krijimit tonë”, çfarë klub futbolli është? A je parti, a je ushtri, a je politikë, a je futboll, a je diktat, çfarë? Këto marrëzira ndodhin sigurisht vetëm në Shqipëri dhe shtetet simotra të saj. Atyre, të cilëve dikur na detyronin tu thonim “vëllezër” ose “motra”.
Marrim klubet e futbollit të Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Korçës, Vlorës, Elbasanit etj, të gjitha pa dallim janë krijuar si shoqëri sportive nën kujdesien e qytetarëve. Pa asnjë dallim nga vendet perendimore. Ndërsa Partizani erdhi në arenën shqiptare me dhunë, diçka e jashtme, ideal lindor komunist. Një skuadër me urdhër nga lart e zbatim nga poshtë, me rrëmbime, plot frikë, pa sportivitet, a quhet skuadër? Ata shqiptarë me pak shtyllë kurrizore, por mbi të gjitha ata shqiptarë me traditë nuk e pranuan dot asnjëherë ideologjinë e tyre. As atëherë, as sot! Sepse ideologjia tyre ishte: vrit, përça, e sundo. E si mund të pranohet Partizani si klub, që më 2016 ende në logon e tij ka yllin e partisë? Si mund të pranohet Partizani si klub, që tifozët e tyre s’dinë çfarë janë a sportdashës apo guerrilsa? Si ta pranojmë Partizanin Titisto-Enverist si klub shqiptar mbi të gjitha?
Nuk urrej tifozët e Partizanit, përkundrazi… më dhimbsen! Dua kaq shumë t’i ndihmoj sepse nuk kanë fuqinë të llogjikojnë historinë haptazi. Ta shohin historinë në sy ashtu siç e sheh gjithë bota, pra pa gënjeshtra. Mjaft më e panë historinë me mentalitetin Dullist, që zbukuronte dhe deformonte çdo gjë sipas interesave të partisë. Ju lutem, nëse vërtetë jeni shqiptarë, hapeni mendjen dhe zemrën! Në të kundërt vazhdoni në rrugën që keni prej 70 vitesh!
Prandaj, tifozëve të Partizanit u ka mbetur vetëm një rrugëzgjidhje. Ta pranojnë krijimin e tyre artificial, pra një krijesë politike Titiste-Enveriste, pse nga ana tjetër, të përqafojnë faktin se u krijuan si një klub gjithpërfshirës dhe jo i Tiranës, paçka se gjithpërfshirës asokohe nënkuptonte: komunist sllavist. Kësisoj të ndërrojnë emrin, nëse dikur do duan ta kthejnë gjithpërfshirësen në gjith-kombëtare. Duke hequr yllin e kuq nga stema përfundimisht do të mund ta shkëpusin veten nga politika dhe nga ideologjia lindore komuniste duke u bërë më kombtarë. Duke larguar një emër të huazuar, – si Partizani i Beogradit (4 tetor 1945), aq sa dhe datën Koçi Xoxe ia vuri Partizanit të këtejshëm 4 shkurt 1946, plot 4 muaj midis dy sivllezërve, – të bëheshin edhe më gjith-kombtarë.
Të mos aspirojnë më jetën maleve, por jetën evropiane. Ta shkëpusin pra njëherë e përgjithmonë veten nga politika vrastare përçarëse! Larg politika nga futbolli, nëse duan t’i marrim si klub futbolli! Keshtu vetëm na bëjnë me turp se si Shqipëria më 2016 prezantohet ende në Evropë me skuadra me emra të vdekurish. Kush do xhanëm t’i ngjallë gogolët e një sistemi uzurpues?
Le t’u japin ish lojtarëve të tyre respektin që meritojnë duke i falur mbas vdekjes së tyre një ekip që do t’ishin krenar. Lojtari më i madh i tyre Refik Resmja kur e morën nga Tirana ka pas thënë “Vetëm dëshira për futbollin na bënte të vazhdonim të luanim kur na detyruan të luanim me skuadrën e ushtrisë. Ime më më thonte: mos u mërzit bir, s’ke çfarë i bën, këta janë të qeverisë”. A nuk është për të vënë kujën? Loro Boriçin kur e morën gjasme për ushtri nga Vllaznia e Shkodrës dhe e detyruan të rrinte aty mëpastaj, kërkoi vitin e fundit të karrierës ta lejonin të kthehej tek Shkodra. Por jo. E dërguan tek klubi “Shkolla Bashkuar Enver Hoxha”, që veç klub sportiv nuk qe.
Kur të bëni këto ndryshime njerëzore dhe patriotike atëhere mund ta quajmë derbi. Deri atëhere… një derbi klasik njeh Shqipëria atë Shkodra-Tirana.