pb
Pesë vjet më parë, presidenti i Kosovës u zgjodh me një SMS të ambasadorit amerikan. Sot po zgjidhet me tym e flakë, në një përleshje trishtuese mes pozitës dhe opozitës në parlament dhe policisë e qytetarëve në rrugë. Një mendje e arsyeshme na thotë se nuk mund të jenë krejt pa lidhje këto dy ngjarje, ndonëse natyrisht e para nuk është shkaktari dominant i të dytës.
Ngjarjet në Kosovë të mbushura me tym e flakë janë një refren i trishtë i një realiteti të hidhur të akumuluar prej disa vitesh. Që prej pavarësisë zhgënjimi ka qenë refreni i vazhdueshëm, i përforcuar progresivisht në çdo hap drejt përpjekjeve të vendit për të pasur një shtëpi si të gjithë popujt e tjerë. Mjerisht një popull që ka vuajtur për më se një shekull detyrohet ende të mbetet peng i politikave të mbrapshta të brendshme e të jashtme. Thaçi është gati t’i vërë flaken vendit vetëm për pushtetin dhe interesat e veta personale, ndërkohë që ndërkombëtarët kanë hallin te gazi në parlament, duke u shprehur me keqardhje për “dhunën”.
Dikush duhet t’i tregojë ndërkombëtarëve dhe ambasadorit Delawie se gazi nuk hidhet për të vrarë apo dëmtuar njeri, por për të penguar një veprim politik për të cilin ka një ndjeshmëri të lartë në shoqërinë e Kosovës. Ky është tregues i një frustrimi social, i cili nuk heshtet duke shuar tymin e protestën. Mund të akuzohet opozita për gjuhë radikale, për intolerancë në debat, për prishje të jetës normale parlamentare apo për çdo gjë tjetër. Kjo është një çështje e debatueshme, ku ndërkombëtarët mund të kenë mendimin e tyre. Por të akuzohet për dhunë, është minimumi shprehje e qartë e anësisë, ndërkohë që nuk shihet kjo ndjeshmëri kur deputetë e liderë të opozitës arrestohen edhe pa mandat gjykate, në kundërshtim me rregullat më elementare të një shteti ligjor.
Si rrallëherë në ndonjë vend faktori ndërkombëtar bën opozitë ndaj opozitës, ndërsa rreshtohet me pushtetarët kundër indinjatës kolektive. I kemi parë në Tiranë që i kanë dalë në krah opozitës historikisht, edhe kur ajo ka shkelur çdo limit, thjesht dhe vetëm me idenë se ka nevojë të mos dekurajohet opozitarizmi. Kjo me sa duket nuk vlen në Kosovë edhe kur opozita ka të drejtë.
Ndërkombëtarët duhet të kuptojnë se vendet në Ballkan nuk gjejnë qetësi edhe për manovra të sajuara në fillimet e “shekullit të shkurtër” të Hobsbawm-it, që tani zvarriten edhe për shkak të rikompozimit të ekuilibrave globalë. Duke legjitimuar poshtërsinë e pushtetarëve të dhjamur në korrupsion, duke mbajtur anë midis palëve, duke imponuar politika që nuk iu vlejnë qytetarëve, ndërkombëtarët kanë qenë kontribues për realitetin zhgënjyes të krijuar gjatë këtyre viteve. Sërish për hir të ekuilibrave, shqiptarët duhen sakrifikuar.