Bursat e botës janë në territor të egër. Ari, një parajsë në kohë trazimesh, e ka pasur fillimin e një viti të mbarë për më shumë se një dekadë. Kostoja e sigurimeve nga frika e krizës bankare është fryrë. Fjalët për rënie ekonomike në Amerikë po shtohen, ashtu siç shtohet probabiliteti që Rezerva Federale, e cila i rriti normat vetëm në dhjetor, do të detyrohet t’i zbresë ato nën zero.
Frika më e madhe e tregjeve është kjo: arma e botës së pasur kundër dobësisë ekonomike mund të mos funksionojë më. Që nga kriza 2007-08, barra për nxitjen e kërkesës u ka rënë bankave qendrore. Apogjeu i fuqisë së tyre u shfaq më 2012, kur Mario Dragi, kreu i Bankës Qendrore Europiane (BQE), tha se ai do të bënte “çfarëdo që është e nevojshme” për të shpëtuar euron. Tregjet e obligacioneve u bashkuan dhe ndjenja e krizës u zbeh.
Por veç përkohësisht. Pavarësisht përpjekjeve të bankave qendrore, ringritja ekonomike është ende e dobët dhe inflacioni është i ulët. Besimi në politikat monetare po lëkundet. Ashtu siç ngjallin besim, bankat qendrore mbjellin frikë. Norma negative e interesit në Europë dhe Japoni i bën investitorët të frikësohen për fitimet e bankës, dhe kjo çon në uljen e vlerës së aksioneve. Lehtësia sasiore (LS, printimi i parave për të blerë mallra) ka çuar në krijimin e një borxhi të tregjeve në zhvillim që tani rrezikon të shpaloset.
Lajm i mirë është që mund të bëhet më shumë për t’i shkundur nga gjendja me nivel të ulët rritjeje dhe inflacion të ulët. Kanë mbetur shumë politika, dhe të gjitha mund të japin një goditje. Lajmi i keq është që bankat qendrore do të kenë nevojë për ndihmën e qeverive. Deri tani bankave qendrore iu është dashur të mbajnë barrën kryesore sepse politikanët, për turp të tyre, nuk kanë pasur dëshirë të ndanin peshën. Të paktën një pjesë e tyre nuk e kanë pikasur nevojën për të pasur politika fiskale dhe monetare të harmonike. Dhe vërtetë, shumë qeveri punuan aktivisht kundër stimulit monetar duke përqafuar kufizimet ekonomike.
Ka ardhur koha për politikanët t’i bashkohen betejës përkrah bankave qendrore. Idetë politike radikale shkrijnë politikat monetare dhe fiskale. Një opsion i tillë është financimi i shpenzimeve publike (ose ulja e taksave) direkt duke prerë para – fenomen ky që njihet me termin “rënie helikopteri”. Ndryshe nga LS, një rënie helikopteri i anashkalon bankat dhe tregjet financiare, dhe fut para të thata të freskëta drejt në xhepin e qytetarëve. Një e metë e kësaj, në teori, është që njerëzit shpenzojnë paratë e rëna nga qielli, në vend ta shpëtojnë ekonominë.
Një tjetër set idesh për të ndikuar vendosjen e çmimit dhe pagave është përdorimi i një politike pagash me mandat qeveritar për të nxjerrë ekonomitë nga ngecja në rërë. Ideja këtu është që gjenerohet rritje pagash e përgjithshme, ndoshta duke përdorur incentiva taksimi, për të nxitur një spirale pagë-çmim të llojit që politikanët nuk iu shmangën dot në vitet 1970.
E gjithë kjo ka rreziqe. Një rënie helikopteri botërore është mallkim për shumë vetë: financimi monetar është i ndaluar nga marrëveshje që mbrojnë euron, për shembull. Politikat e pagave janë akoma më problematike, sepse ato zvogëlojnë elasticitetin dhe janë të vështira për t’u anuluar. Por nëse bota e pasur ngec në deflacion, do të vijë koha për të menduar për veprime ekstreme, sidomos në ekonomitë më të pafata, si ajo e Japonisë.
Në vende të tjera, qeveritë mund të përdorin instrumente më pak me rrezik: politikë fiskale. Shumë vende me hapësirë të huazojnë më shumë, Gjermania për shembull, kanë qëndruar të tërhequra.
Një nxitje fiskale do të ishte një lëvizje e mirë, nëse shoqërohej me reforma strukturale që funksionojnë me përfitimet e stimulit. Balancat e bankave evropiane kanë ende nevojë të fuqizohen dhe, sa kohë që do të ketë dyshime për shëndetin e tyre, bankat nuk do të japin borxh me lehtësi. Shuarja e borxheve është një opsion, por do të ishte më mirë që të rishikoheshin rregullat që qeveritë të insistojnë që bankat ose të rritin kapitalin ose rezerva e kapitalit t’u imponohet nga rregullatorët.
De-rregullimi është një prioritet tjetër. Këshilli i Këshilltarëve Ekonomikë thotë se numri i fuqisë punëtore në Amerikë e mbuluar nga ligjet e shtetit për licencimin është rritur në 25 për qind, nga 5 për qind në vitet 50. Shumica e kësaj burokracie është e panevojshme. Ligjet kufizuese janë pengesa për infrastrukturën e re.
Atëherë, problemi nuk është se botës i mungojnë opsionet politike. Politikanët e kanë ditur gjatë gjithë kohës se ata mund të bëjnë ndryshim, por ata janë të dobët dhe grindavecë e nuk veprojnë. Establishmenti politik i Amerikës është i përçarë; politikanë japonezë janë shumë të brishtë të kundërshtojnë lobet; dhe zona euro duket institucionalisht e paaftë të bashkohet rreth politikave.
Nëse politikanët nuk veprojnë tani, kur kanë ende kohë, një krizë e plotë në tregje do t’ua imponojë ndryshimet. Megjithëse ky do të jetë një përfundim i dobët, prapëseprapë do të jetë më mirë se alternativa. Shqetësimi më i madh është që rënia e tregjeve dhe stanjacioni i ekonomive u japin fuqi politike populistëve që janë forcuar pas krizës 2007-08. Populistët kanë zgjidhjet e tyre për vështirësitë ekonomike, që përfshijnë tarifat protektoniste, ulje taksash, shtetëzim dhe skema te tjera.
Pas shqetësimit që bankat qendrore nuk munden më të ruajnë kontrollin është një frikë më e thellë. Frika se politikanët liberalë dhe centristë nuk janë të aftë.