Në çështjen e parë të këtij lloj që pas rënies së komunizmit në Rumani, një gjykatë apeli në Bukuresht la në fuqi dënimin me burg për një komandat burgu i dënuar për krime kundër njerëzimit për vdekjen e 12 të burgosurve politikë më shumë se 50 vjet më parë. Alexandru Visinescu, 90 vjeç, ishte dënuar me 20 vjet burg në korrik vitin e kaluar pasi u gjet fajtor për mbajtjen e “një regjimi shfarosjeje” në një burg në afërsi të një qyteti të vogël, Ramnicu Sarat, 90 milje në lindje të kryeqytetit, nga 1956 deri më 1963.
Të burgosurit, anëtarë të elitës intelektuale, politike dhe ushtarake të paraluftës, ishin mbajtur në izolim në qeli pa ngrohje, rriheshin rregullisht, ushqeheshin jashtëzakonisht keq, dhe u ishte mohuar trajtimi mjekësor.
Të paktën 14 nga 138 të burgosurit në Ramnicu Sarat vdiqën, gjatë kohës që Visinescu ishte komandant burgu, tha prokurori, ndërsa shumë të tjerë u sakatuan ose traumatizuan.
Komandanti i parë i burgut që doli në gjyq që nga ekzekutimi i ish-diktatorit Nicolae Ceausescu më 1989, Visinescu, i cili nuk ishte në gjykatë të dëgjonte vendimin të mërkurën, ka treguar fare pak pendesë, duke këmbëngulur që ai thjesht zbatonte urdhrat dhe ka fajësuar regjimin stalinist të paraardhësit të Ceausescu-t, Gheorghe Gheroghe-Dej.
I pyetur gjashtë herë në gjyqin e tij në gjykatë muajin e kaluar se pse të burgosurit kishin vdekur nën komandën e tij, ai u përgjigj vetëm një herë, duke sugjeruar që ndoshta ata kishin vdekur nga pleqëria, pastaj u qau dhe u lut: “Më lini të vdes.”
Të mbijetuar nga regjimi i tij kanë treguar që atyre u ishte ndaluar të uleshin në krevatet e tyre, përveçse natën, ose nuk u lejohej t’u faroheshin mureve të qelive se mos përdornin kodin mors për të komunikuar me njëri-tjetrin.
Vejusha e një të burgosuri, gjeneral Ion Eremia, i cili kaloi 14 vjet në burg, tha se i shoqi i saj ishte detyruar të kalonte orë të tëra duke qëndruar këmbëzbathur në një govatë me ujë të akullt dhe kur doli nga burg nuk peshonte as 30 kile.
Ky vendim shënon një moment domethënës në përpjekjet e Rumanisë për të çuar para drejtësisë figura të periudhës së komunizmit që akuzohen për krime. Ndërsa një grusht zyrtarësh të lartë u dënua për gjenocid në vitet 1990, shumica e akuzave më vonë u pakësuan dhe shumë prej tyre u liruan për arsye shëndetësore.
Sipas Institutit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Kujtimit të Rumunëve të Mërguar (IICCMRE), i cili inicioi çështjen kundër Visinescu-t, deri në 2 milionë rumunë u vranë, u burgosën padrejtësisht, u internuan ose dëbuan gjatë afërsisht gjysmë shekulli shtypje komuniste.
Historianët thonë se më shumë se 600 mijë disidentë – përfshi pronarë, politikanë, priftërinj, avokatë, mjekë, shkrimtarë, mësues dhe studentë – u burgosën për krime kundër shtetit nga fundi i viteve 1940 e deri në rënien e regjimit. Rreth 100 mijë vetë mendohet që kanë vdekur në burgje si Ramnicu Sarat.
IICCMRE ka deklaruar se ka një listë me 35 zyrtarë të burgjeve, shumica tani mes moshës 80-100, të cilët kanë kryer krime. Ai fajëson korrupsionin, ende gjerësisht i përhapur në Rumani, për faktin që deri tani vetëm Visinescu – i cili jeton lirisht në qendër të Bukureshtit me pension ushtarak special – është dënuar.
Andrei Muraru, ish-drejtues i organizatës, tha se ai ishte i kënaqur me vendimin e të mërkurës. “Ky është një vendim historik, duke filluar nga ky moment, çdo krim i kryer gjatë periudhës së komunizmit mund të dënohet,” i tha Muraru Associated Press.
Shefi i tanishëm i IICCMRE, Radu Preda, e përshkroi gjyqin e Visinescu-t vitin e kaluar si “veçanërisht të rëndësishëm” sepse “për herë të parë, një instrument i terrorit komunist do të përballet me drejtësinë. Pa ekzagjerim, ky është Nurembergu rumun,” tha ai.