Arnold Kling
econlib.org
Në librin The Evolution of Everything: How Ideas Emerge [Evolucioni i gjithçkaje: Si shfaqen idetë], Matt Ridley pretendon për lirinë atë që Marksi pretendonte për socializmin: si baza e gjithë shkencave. Ai mbron idenë që evolucioni shtrihet jo vetëm në biologji, por dhe në teknologji dhe kulturë, dhe sjell progres. Ndërsa, në kontrast, institucionet njerëzore që bazohen në autoritet nga lartë-poshtë mund të shkaktojnë shumë dëm.
Ridley shkruan:
Ndryshimi në institucionet njerëzore, veprat e artit dhe zakonet është i pandalshëm, i palëkundshëm, dhe i pashmangshëm. Ai ndjek një narrativë, duke kaluar nga një fazë te tjetra; më shumë zvarritet sesa kërcen; ka shtysën e vetë spontane, dhe jo të shtyhet nga jashtë; nuk ka qëllim ose fund në mendje; dhe kryesisht ndodh prej përsimit dhe mësimit – një version i seleksionimit natyral.
Ai debaton me ata që e vënë theksin te agjenti njerëzor individual dhe jo te procesi tërësor i evolucionit.
Prandaj në mënyrën si mësohet historia njerëzore ajo mund të jetë keq-informuese, sepse ajo e vë theksin më shumë te skicimi, drejtimi dhe planifikimi, dhe shumë pak te evolucioni. Prandaj kështu duket sikur betejat i fitojnë gjeneralët; sikur shtetet i drejtojnë politikanët; shkencëtarët zbulojnë të vërtetën; artistët krijojnë zhanre; shpikësit bëjnë shpikje; mësuesit formojnë mendje njerëzore; filozofët ndryshojnë mendje njerëzore; priftërinjtë japin mësime morali; biznesmenët drejtojnë biznese; konspiratorët shkaktojnë kriza; zotat bëjnë moral…
…sërish e sërish ne marrim shkakun për efekt; ne fajësojmë anijen në lundrim për erën, ose ia atribuojmë sehirxhiut shkaktimin e ngjarjes. Një fëmijë mëson, kështu që duhet ta ketë mësuar mësuesi (jo librat, shokët dhe kurioziteti që mësuesi e ndihmoi të gjejë); shpëtohet një specie, kështu që duhet ta ketë shpëtuar një konservues [shpëtimtar] (jo shpikja e fertelizuesit që u shpik për të pakësuar tokën e nevojshme për të ushqyer popullsinë); bëhet një shpikje, kështu që e ka shpikur një shpikës (jo pjekja e momentit për hapin tjerët të palëkundshëm, të paevitueshëm, teknologjik)…
Libri i Ridley-t është vetë një shembull i procesit të progresit njerëzor siç e shikon ai. Ai nuk shpik tërësisht ide të reja. Ai sintetizon dhe kombinon në mënyrë të re ide të shkrimtarëve të tjerë në një numër fushash.
Ridley citon Joseph Henrich dhe të tjerë për evolucionin e kulturës. Henrich mbron idenë se, si individë të izoluar, njerëzit kanë shumë pak inteligjencë. Ne jemi unikë mes gjithë specieve të tjera në aftësinë tonë të grumbullojmë dije dhe ta transmetojmë atë te njëri-tjetri. Sepse ne mund të transmetojmë dije, rezultati i provës dhe gabimit kalon te brezat e mëvonshëm. Kjo i mundëson njerëzit të përparojnë në fushën e ekonomisë, teknologjisë dhe etikës.
Në fushën e teknologjisë, Ridley citon Kevin Kelly-n dhe Steven Berlin Johnson. Ata theksojnë që idetë “shpikëse”, si llamba elektrike, anija me avull, ose teoria e evolucionit, shpesh u shfaqen disa individëve në të njëjtën kohë. Kjo ndodh sepse dija akumulohet gradualisht. Shkencëtarët dhe shpikësit punojnë me kombinimet e reja të ideve që bëhen të disponueshme pasi janë zhvilluar pararendësit e nevojshëm.
Për ekonominë, Ridley shkruan:
Prosperiteti u shfaq pavarësisht, dhe jo për shkak të, politikës njerëzore. U zhvillua në mënyrë të palëkundshme prej ndërveprimit të njerëzve përmes një progresi përzgjedhës i ngjashëm me evolucionin. Mbi të gjitha, ai ishte një fenomen i decentralizuar, i arritur nga miliona vendime individuale, më së shumti pavarësisht veprimeve të sunduesve. Dhe, vërtetë, është e mundshme të debatohet, siç bëjnë Daron Acemoglu dhe James Robinson, që vende si Britania dhe SHBA u pasuruan pikërisht ngaqë qytetarët e tyre i përmbysën elitat që monopolizuan pushtetin.
Ridley e shikon figurën e fuqishme historike më shumë si një keqbërës sesa hero. Asnjë njeri i vetëm nuk mund të jetë më efektiv sesa evolucioni në arritjen e progresit. Megjithatë, një Hitler, ose Stalin, ose Mao mund të vrasin shumë njerëz dhe të shkatërrojnë jetën e shumë të tjerëve. Si përfundim:
…lajmet e këqija prodhohen nga njeriu, nga lart-poshtë, mbushur me qëllim, imponuar ndaj historisë. Lajmet e mira janë aksidentale, të paplanifikuara, gjëra emergjente që evoluojnë gradualisht.
Leximi i The Evolution of Everything më pëlqeu. Megjithatë, pas leximit më lindën një radhë pyetjesh.
Së pari, Ridley përçmon fenë. Ai shkruan:
Feja nuk është një fenomen nga lartë-poshtë vetëm në teologjinë e saj, por dhe në organizimin njerëzor të saj. feja gjithmonë e kudo këmbëngul te argumenti i autoritetit.
Prapëseprapë, a nuk ka qenë feja në forcë progresi në disa periudha të historisë? Ridley vetë duket se sugjeron që krishterimi luajti rol konstruktiv në kalimin te martesa monogame, e cila, për rrjedhojë, ndihmoi në uljen e dhunës. Gjithashtu, ekziston pyetja, nëse njerëzit kanë nevojë apo jo për ndonjë farë sistem besimi që kryen funksionet e fesë. Shumë libertarianë shqetësohen që marksizmi dhe ambientalizmi kanë qenë zëvendësues autoritaristë për fenë.
Së dyti, Ridley përçmon evolucionin e ngadalshëm të sistemeve politike. Megjithatë, nga kjo mund të ketë një lloj përfitimi. Nëse sistemet politike do të evoluonin me shpejtësi, a nuk do të bëheshin ato më autoritariste?
Së fundi, Ridley nuk shpjegon pse ideja e evolucionit mbeti e fjetur për kaq gjatë, dhe pse ajo vazhdon t’u duket e papranueshme shumë njerëzve. Ai citon filozofin grek Epikurin që përshkruan një botë që u shfaq pa zota dhe mbretër. Ridley i rikthehet shpesh poemës së gjatë filozofike “Of the Nature of Things” [Mbi natyrën e gjërave], e poetit romak Titus Lucretia Carus, e cila duket se parashikon shumë nga mendimi modern, por që ishte denoncuar e madje ndaluar për shumë shekuj.
Nëse idetë shfaqen nga “e afërmja e mundshme,” si ndodh që disa individë të rrallë mijëra vjet më parë ishin në gjendje të parashikonin ide që nisën të penetrojnë kulturën tonë në fundin e shekullit të 18-të, kur Adam Smith-i botoi veprat e tij më të rëndësishme? Pse ideja e evolucionit has në kaq shumë rezistencë sot? Siç thekson Ridley, në një anë ka shumë konservatorë fetarë dhe të tjerë që këmbëngulin se biologjia rrjedh nga krijimi, jo evolucioni. Në anën tjetër ka shumë të majtë që këmbëngulin se mirëqenia ekonomike vjen nga planifikimi qeveritar, jo nga tregu. A jemi ne që e shikojmë evolucionin e decentralizuar superior ndaj planifikimit të centralizuar, të destinuar të jemi në pjacë? Apo, është mundshme të përfytyrojmë progres evolucionist dhe në atë front?