Gara për vëmendje publike – qoftë dhe mes grupeve virtuale në facebook – me rastin e 80 vjetorit të shkrimtarit Ismail Kadare, siç pritej, nuk zhgënjeu në eufori dhe nganjëherë në origjinalitet, aq sa vetë i celebruari u ankua se shqiptarët e kishin tepruar, nëse krahasohej me gati indiferencën, sipas tij, rezervuar ndaj Heroit Kombëtar në ditën e vdekjes (17 janar). Kur Skënderbeu merr më pak ose aspak respekt, siç nënvizon Kadare, euforia e urimeve në rastin më të mirë gjenerohet nga egoizmi, për shërbimet e shkrimtarit në favor të imazhit tonë kolektiv, e në rastin më të shëmtuar gjenerohet nga pragmatizmi personal, i cili shpesh herë rrëshqet në servilizëm. Për ta ilustruar normalitetin e servilizmit kemi përzgjedhur një shkrim të Ndriçim Kullës, botuar te Mapo, ku autori e këshillon shkrimtarin ta plotësojë krijimtarinë e tij me një vepër për hebrenjtë:
“Në korpusin e veprës unikale të Kadaresë, më duket se ka mbetur diçka e paplotësuar. Përgjatë veprës së tij shfaqen hebrenjtë, por nuk ka një libër të tij ku ata të përbëjnë temën qendrore”.
Praktikisht Kulla i thotë “bëhu servil” ose “flirto” me ata që kanë pushtet, duke marrë shkas, si studiues i tij, nga e shkuara oborrtare e Kadaresë së regjimit, nga kapërcimi në 1990 prej një konteksti majtist totalitar në një kontekst me nuanca konservatore, afër traditës, kombit, identitetit të pandryshueshëm dhe vlerave mesjetare të Evropës, pa rezervuarin judaik. Mungesa e këtij të fundit në Europën e Kadaresë së pas 1990, ngaqë kontinenti i imagjinuar prej tij nuk është edhe kontribut hebraik, shkakton një lloj keqardhjeje te Kulla, ndaj ai propozon ndreqjen e gabimit. Ftesa për pragmatizëm shqeto vjen pa dorashka, pa nënkuptime, si metodë familjare dhe rrjedhimisht etike, duke nëpërkëmbur faktin se bëhet fjalë për art dhe vlera.
Tërthorazi Kulla ofron edhe mjetin: shpikjen. Këshilla e dytë e Kullës është: “shpik”! Kur nuk e turpëron pragmatizmi në shfaqjen e tij servile, nuk ka përse ta shqetësojë shpikja, konkretisht e raporteve mesjetare e protomoderne shqiptaro-hebraike:
“Dihet se kur hebrenjtë e dëbuar nga Spanja në fund të shekullit XV u pranuan nga Perandoria Osmane, portet e bregdetit shqiptar ishin pikat kryesore të hyrjes së tyre në territorin perandorak. Kjo ka qenë një nga dyndjet më të mëdha të refugjatëve në Evropën mesjetare. Dihet shumë mirë që shteti osman nuk kishte struktura për përballimin e krizave humanitare […]. Për këtë arsye, kuptohet se roli kryesor në përballimin e krizës humanitare i takoi popullsisë vendase shqiptare”.
Ajo çka dihet shumë mirë është se në shek. XV nuk ekzistonte koncepti ‘krizë humanitare’ dhe rrjedhimisht nuk kishte si të ekzistonte një procedurë përballimi e situatave të tilla. Ai kontingjent nuk ishte i ngjashëm me sirianët e gjorë që ka në mendje Kulla, të cilët grumbullohen sot, në epokën e krizave humanitare, ndihmohen ose u sekuestrohen gjërat me vlerë: historia nuk është rubrika e lajmeve të përsëritshme të ABC-së dhe as kolazhi i fotove të medieve on-line.
Porta i pranoi hebrenjtë e dëbuar nga Spanja-Portugalia (1492, 1496), e më pas nga Italia (1510-1511), sepse kishte nevojë dhe gjithashtu nuk e refuzonte të ndryshmen. Hebrenjtë nga ana e tyre vinin kryesisht nga zonat urbane, sillnin profesione, eksperiencë, njohuri, pasuri dhe rrjet komunikimi në tregti. Vlora është ilustrimi më i mirë i vendosjes së hebrenjve në territoret shqiptare të Portës. Aty sistemohen në mëhallë, ushtrojnë profesione, japin hua, tregtojnë, zotërojnë prona tokësore, vetadministrohen si ‘dhimmi/zimmi’, pra nuk janë varfanjakë dhe, akoma më e rëndësishme, janë fenomen urban, që do të thotë i shërbejnë pushtetit dhe nga ai kanë mbështetje. Në regjistrin e vitit 1520 gati 40{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e familjeve vlonjate ishin hebraike, të vendosura në 14 mëhalla të veçanta, të integruar në ekonominë urbane, por jo me popullsinë, që sipas Kullës i paskërka ndihmuar. Pastaj, reduktimi nga 14 në 1 mëhallë (1695) nuk e sugjeron ndihmën.
Dëshira për t’i barazuar hebrenjtë e shek. XV me shqiptarët e Kosovës së 1999 duket se i përshtatet logjikës së këshilluesit për të flirtuar me të pushtetshmit e sotëm, por Kadareja tashmë e ka thuajse të pamundur të ketë në fokus hebrenjtë e shpërngulur të shek. XV për një arsye të thjeshtë. “Civilizimi i përparuar dhe ideal” i kishte dëbuar ato hebrenj që “civilizimi i prapambetur dhe ogurzi” u hapi dyert, dhe Kadare ka kontribuar, e vazhdon ta bëjë në çdo rishikim letrar dhe ese, në identifikimin e dy civilizimeve në këtë mënyrë. Rrjedhimisht një frymëzim letrar mbi hebrenjtë e shek. XV nuk do të mund të anashkalonte konsensusin (botëror) akademik mbi raportin jo armiqësor ose, të paktën, jo shfarosës të Portës ndaj hebrenjve, gjë e cila e humanizon Perandorinë Osmane, por kjo është në kundërshtim të plotë me linjën e Kadaresë, e cila përkon me të vetmen koherencë të shkrimtarit deri në moshën 80 vjeçare.
Prandaj, me modesti dhe dashamirësi, propozojmë një zgjidhje të realizueshme. Meqenëse shtëpia e shkrimtarit sapo ka përfunduar së ndërtuari, pasi as nuk mund të quhet ri-ndërtim e aq më tepër re-staurim, mes gjithë atyre kinezërive me dru të plastifikuar, allçi, gips e gurë të gdhendur me laser, që të japin përshtypjen e një hibridi diku mes kështjellës së shëmtuar të Krujës dhe “pallatit viktorian” në Kashar (përbri “autostradës”), mund të zbulohet ndonjë yll me 6 cepa ose Is(h)ak (por jo Ismael). Duhet shpejtuar ama, sa nuk kanë filluar videoklipet e BBF-së. Ne që kemi imagjinuar 300 burra të mbledhur nga Abdyl Frashëri në një dhomë (15 m2), rreth një oxhaku si ai i Kadaresë, që dekorojmë persekutues, i quajmë komunistët ‘disidentë’, kriminelët ‘burra shteti’, tradhtarët ‘politikanë’, hajdutët ‘të shkathët’, nuk do ta kemi të vështirë ta besojmë një zbulim të atillë. Ky po që mund të ishte çelësi i Nobelit.