Ricardo Martinelli jeton në një apartament privat në Atlantis, një vend luksoz i kërkuar në Gjirin Biscayne të Floridas i bërë i famshëm nga telenevola Miami Vice. Një miliarder thinjosh, i bëshëm, Martinelli, 63, shikohej vetëm ca vite më parë si një nga liderët më popullorë të Amerikës Latine: Nga 2009 deri më 2014, ai ishte president i Panamasë. Por tani, megjithëse jeton në luks, Martinelli është një person në kërkim nga drejtësia.
Ai u arratis nga vendi i tij më 28 janar 2015, pak orë para se Gjykata e Lartë e Panamasë të lajmëronte për nisjen e një hetimi për korrupsion ndaj qeverisë. Mes akuzave me të cilat përballet Martinelli është ajo e spiunimit, me një dënim të mundshëm deri në 21 vjet burg, për ndërhyrjen e paligjshme në telefonat dhe e-mail-et e më shumë se 150 njerëzve: udhëheqës të opozitës panameze, gazetarë, gjykatës, biznesmenë rivalë, anëtarë të qeverisë, zyrtarë të ambasadës së SHBA, një kryepeshkop katolik, e madje dhe një grua e identifikuar si dashnorja Martinelli-t.
Shumica e këtij aktiviteti të dyshuar ishte bërë e mundur nga biznesi i majmë i kompanive private që shesin pajisje ushtarake spiunimi. Më 2011, gazeta Wall Street Journal raportoi që tregu me pakicë për pajisjet e përgjimit ishte rritur në vlerë, nga thuajse asgjë 10 vjet më parë në rreth 5 miliardë dollarë në vit. Megjithatë tregu funksionon kryesisht i pavarur, madje qysh nga skandali i përgjimeve të Agjencisë Kombëtare për Sigurinë që shpërtheu në SHBA më 2013, politikanët e SHBA u kanë kushtuar shumë pak vëmendje firmave që u shesin qeverive të huaja pajisje përgjimi.
Skandali në Panama ofron një dritare unike për të parë sa i rrezikshëm është bërë biznesi i eksporteve të spiunimit. Pa kontroll kufizues, rreziku që zotëron kjo industri vetëm do të rritet: Gjithnjë e më shumë vende do të zotërojnë instrumentet për të ushtruar korrupsion dhe për të abuzuar me të drejtat e njeriut.
* * *
Prokurorët panamezë po ndërtojnë një akuzë kundër Martinelli-t, të cilën avokati i tij, Rogelio Cruz, e quan “kafkeske”. Klienti i tij, i cili kërkon azil politik në SHHBA, është i pafajshëm për të gjitha akuzat, pretendon Cruz. Megjithatë, sipas një kabllogrami të vitit 2009 i publikuar nga WikiLeaks, Martinelli kërkoi pajisje përgjimi nga Zyra e Luftës kundër Drogës e SHBA menjëherë pasi mori detyrën; ai synonte t’i përdorte ato kundër kërcënimeve të sigurisë. Kabllogrami, i përgatitur nga Barbara Stephenson, atëherë ambasadore në Panama, theksonte “obsesionin e Martinelli-t për pajisjet e përgjimit.” Kërkesa nuk u pranua, shkroi Stephenson, sepse Martinelli “nuk bënte dallim mes objektivave legjitime të sigurisë dhe armiqve politikë.” Kabllogrami përfundonte: “Ne mendojmë se ai ka ngarkuar një numër vartësish të gjejnë pajisje përgjimi duke kontaktuar qeveritë dhe sektorin privat.”
Ky informacion, me sa duket, ishte i saktë. Sipas medieve lokale, Martinelli pagoi të paktën 13.4 milionë dollarë pajisje për të monitoruar telefonat e përgjuar e-mail-e dhe lista kontakti. (Gazeta PanAm Post ka hedhur dyshime që ai ka futur duart në një program ushqimi për të varfrit me qëllim të mbulonte shpenzimet.) një nga kompanitë që përdori Martinelli ishte NSO Group Technologies, një firmë inteligjence izraelite në pronësi të një grupi amerikan, Francisco Partners. Sipas materialit reklamues të NSO, sistemi i saj “paraqet një instrument monitorimi unik dhe të fuqishëm, i quajtur Pegasus, i cili lejon monitorimin nga larg dhe të qëndrueshëm dhe marrjen e të dhënave të plota nga objektiva të largëta përmes komandave që nuk lënë gjurmë.” Një memo e brendshme nga shitësi italian i pajisjeve për sigurinë e pc Hacking Team, i bërë publik verën e kaluar nga WikiLeaks, theksonte që ky instrument i dërgon një telefoni të vënë në shënjestër një “sms që zë shfrytëzon këtë instrument.” Që ky sulm të funksionojë, është e mjaftueshme që të lexohet kjo sms.
Qeveria e Panamasë nuk është e vetmja që blen pajisje përgjimi në tregun privat. Sipas një raporti të 2015-ës nga grupi i kontrollit i vendosur në Britani, Privacy International, një tjetër firmë amerikano-izraelite, Verint, ka furnizuar aparatin e sigurisë së Kolumbisë me sisteme përgjimi të sofistikuara. “Që nga 2005, kompania ka qenë kyç në zhvillimin e aftësive të interceptimit në masë në Kolumbi,” shkruan raporti. (Më 2015, një ish-shefe e sigurisë kolumbiane u dënua për rolin e saj në përgjimin e paligjshëm gjatë viteve 2002-2010 të presidencës së Alvaro Uribe-s.)
Verint dhe një kompani teknologjike izraelite e quajtur Nice Systems, sipas një raporti tjetër të Privacy International, i kanë shitur hardware dhe software Kazakistanit dhe Uzbekistanit, duke i mundësuar qeveritë shtypëse të këtyre vendeve të përgjojnë telefonat fiks, celularë, dhe rrjetet e internetit. Kjo i ka ndihmuar zyrtarët të godasin disidencën politike. Siç i tha Vice më 2014 njëra nga autoret e raportit, Edin Omanoviç, “Policia sekrete brutale e shteteve autoritare janë fuqizuar me pajisje përgjimi që synojnë të kenë nën kontroll jetën private të çdo individi. Ky është skenari më i frikshëm që bëhet i paevitueshëm kur një industri që s’jep kund llogari vepron nën radar.”
Privacy International zbuloi që, në një pikë të caktuar, Verint i kërkoi një forme të vendosur në Kaliforni, Netronome, për teknologji që mund të ndihmonte zyrtarët uzbekë thyente sistemet e përdorur nga Facebook, Gmail, dhe rrjete të tjera. (Nuk dihet nëse ky program ishte i suksesshëm apo jo). Pas daljes së raportit, Netronome tha në një deklaratë se “ajo nuk e anashkalon shkeljen e të drejtave të njeriut ose privatësisë” dhe se ajo vepron në përputhje me ligjet e vendeve në të cilat vepron.
* * *
Mgjithatë, sekreti gjendet këtu: Privatizimi i përgjimit në masë është rezultat i kontrollove të dobëta të eksportit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare vullnetare në lidhje me pajisjet e spiunimit. I vetmi mekanizëm për rregullimin e sistemeve të spiunimit është Marrëveshja Wassenaar, e cila i lejon shtete të shkëmbejnë informacion rregullisht për transferimin e armëve konvencionale dhe për materialet dhe teknologjinë me përdorim të dyfishtë. Por nuk është e detyrueshme për 41 nënshkruesit e saj, përfshi SHBA, ndërsa Izraeli nuk i ka pranuar kurrë zyrtarisht kushtet e saj.
Në Uashington, republikani Chris Smith paraqiti një ligj më 2013 i projektuar për “ndalimin e bizneseve të SHBA të bashkëpunojnë me qeveri shtypëse në transformimin ee internetit në një instrument censure dhe përgjimi.” Ligji nuk kaloi kurrë në komision. Sot, kjo çështje është shumë e parëndësishme në shkallën e prioriteteve të republikanëve.
Qytetarët e kanë pasur teknologjinë në anën e tyre në të shkuarën. Në epokën e komunikimit analog, përgjimi në masë ishte punë masive, me shumë njerëz, shumë tela dhe shumë pak dëgjues. Megjithatë, sot, teknologjia dixhitale e përparuar është në anën e shtypësve. Është e pamundur të kthesh kohën pas, por nuk është vonë për të krijuar rregulla të forta për pajisjet e spiunimit. Ekzistojnë të paktën dy precedentë: Më 2012, SHBA dhe BA ndaluan shitjen, furnizimin, transferimin dhe eksportimin e teknologjisë së spiunimit në Siri dhe Iran.
Nëse më shumë vende nuk bien dakord që t’i trajtojnë sistemet e përgjimit siç trajtojnë armët e dëmtimit në masë, fjalët Gorge Orwell në romanin 1984 do të bëhen realitet i përhershëm: “Ti duhet të jetoje – jetove, nga zakoni që u bë instinkt – me mendimin që çdo zë që lëshoje dëgjohej, dhe, përveç errësirës, çdo lëvizje hetohej.”