Pas sulmit të bërë në emisionin Opinion ndaj Ilir Metës, ku, për habinë e teleshikuesit, përgjimet e prokurorisë e tregonin atë të përfshirë në një skemë abuzimi financiar, të gjithë pritën me ankth shfaqjen e Baba Takut, kryetarit të Shërbimit Inteligjent të LSI-së (SHILSI). Mirëpo kjo nuk ka ndodhur akoma. Ndryshe nga ç’ka ngjarë zakonisht, ku personazhi flokëbardhë udhëtonte sa nga një sit i arkeologjisë së korrupsionit në tjetrin dhe shfaqej duke treguar një kuti të zezë, në të cilën ruhen prova për të gjithë ligësitë e botës që nga koha e Nuhut, këtë radhë Baba Taku mungoi, nuk iu avit mediave.
Diçka ka ndodhur me SHILSI-n! Të dhëna në rrugë jozyrtare nga selia e saj thonë për Foxy Lady News se kjo është një strategji e re për të krijuar hutim në radhët e kundërshtarëve. Sipas tyre është vënë re se kundërshtarët hyjnë në panik kur Baba Taku hesht. Heshtja e tij krijon paqartësi dhe pasiguri, në një kohë që prononcimet u japin mundësi rivalëve të hamendësojnë planin, gjë që iu krijon rrugëdalje mbrojtëse. Zyrtarisht në seli thuhet se Baba Taku është në një fazë meditimi.
Megjithatë kjo është vetëm një tezë e paprovuar. Zëra të tjerë shprehin arsye më objektive. Thuhet se agjentura të tjera rivale kanë arritur të futen në sëndukun e Baba Takut e të bëjnë copy-paste të gjithë arkivin e tij. Kjo e ka bërë SHILSI-n të sulmueshëm, pasi një pjesë e madhe e përgjimeve në valixhen e zezë përmbanin material përgjimesh për vetë kupolën e LSI-së, dhe nëse SHILSI do të publikonte material prej saj, pala tjetër do të publikonte pjesën tjetër të materialit. Kjo do të thotë një kërcënim nuklear për skenën politike shqiptare. Kështu Baba Takut i është zbardhur valixhja në dorë duke humbur tërë fuqinë e saj shantazhuese.
Sipas një hipoteze tjetër, mendohet se Baba Taku ka harruar password-in e valixhes dhe nuk mund ta hapë dot atë. Para pak kohësh qarkulluan zëra se agjentura rivale arritën t’ia zbulojnë kodin në një mënyrë shumë të thjeshtë. Duke qenë se flitej se materialet që ajo fsheh janë filmime porno, u hodh ideja se kodi i saj duhet të ishte 1234. Kjo u përgënjeshtrua atëherë nga pronari i saj, por të afërm të tij thanë se megjithatë ndërkohë ai e ndërroi kodin. Problemi tani është se nuk mban mend kodin e ri dhe kjo e ka nxjerrë nga skena politike, duke e bërë njëkohësisht më vulnerabël partinë e tij. Fakt është se Ylli Manjani, që atë ditë, ka lënë leshtë duke kërkuar kombinimet e mundshme.
Zëra të tjerë janë të mendimit se Baba Taku po mundohet të përfitojë drejtpërdrejtë nga pasuria e tij, pasi ka marrë oferta nga kompania You Porn. Kjo sipas specialistëve shpjegon udhëtimet e tij të vazhdueshme sa në Gjermani, ku thuhej se kompania kishte zyrat qendrore, sa në Antilet e Vogla, në Karaibe.
Sido që të jetë, priten transformime interesante në skenën politike, qoftë nëse Baba Taku e gjen kodin e valixhes së tij, qoftë nëse valixhja ka ndërruar pronar apo qoftë edhe nëse ajo mbetet e bllokuar përgjithmonë, gjë që do të sillte rikonceptimin e një LSI-je të re, pa valixhe të zezë. Po a mund të ketë një parti të tillë thjesht me duar në xhepa?