Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave ngrihet Autoriteti Kombëtar i Evakuimit të Coftinave (AKEC), institucion që do të ketë kompetencë të posaçme evakuimin e mbetjeve shtazore nga asfalti i rrugëve kombëtare. Me mbetje shtazore, vendimi në fjalë nënkupton në mënyrë eksplicite atë që mund të rekuperohet nga ajo çfarë mbetet në asfalt prej kafshëve të shtypura nga autoveturat përgjatë autostradave apo rrugëve kombëtare. Në vendim, vëmendje serioze i kushtohet faktit të identifikimit gjeografik dhe evakuimit sa më të shpejtë të coftinave nga asfalti me qëllim që të shmanget maksimalisht kontakti i mëtejshëm i këtyre mbetjeve me automjete të tjera. Gjithashtu një kujdes i veçantë merr dhe higjena e vendgjarjeve pas largimit të coftinave nga rrugët. Skuadrat e posaçme, përveç përcjelljes së informacionit të detajuar në zyrat qëndrore, me ndihmën edhe të një sistemi të veçantë GPS, pas paketimit të mbetjeve shtazore, do të dezinfektojnë me një solucion të veçantë vendngjarjet, solucion ende të padetajuar pasi ai do të përcaktohet pas një konsultimi të gjerë me specialiste të Instituti të Kërkimeve Veterinare. Groposja ose djegia e këtyre coftinave do t’u lihet si kompetencë njësive të qeverisjes vendore.
Vendimi erdhi pas një debati që kaloi gati në heshtje mes bashkive Tiranë dhe Vorë, pas një incidenti institucional në rastin e evakuimit të një coftinë në autostradën Tiranë Durrës. Në shtator të këtij viti policia bashkiake e njësisë vendore Vorë nisi të heqë nga autostrada mbetjet e një kali i cili dergjej mes asfaltit dhe zhavorrit përbri, diku pranë fshatit Picar. Konflikti nisi kur policia bashkiake e Tiranës u shfaq dhe mblodhi gjysmën tjetër të kalit i cili pas përplasjes nga automjeti kishte përfunduar në kahjen tjetër të autostradës. Konflikti, i cili për pak sa nuk degjeneroi në një përplasje fizike, u duk fillimisht si një keqkuptim i rëndomtë kompetencash territoriale, pasi në vendin e aksidentit ndodhej dhe kufiri administrativ i dy njësive të qeverisjes vendore. Por më pas gjithçka nisi dhe u bë e qartë që përplasja ishte një konflikt që fshihte pas interesa për përfitime fondesh nga qeveria.
Bashkia Vorë kishte nisur pranë qeverisë një projekt për evakuimin e coftinave përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Sipas një kopjeje të draftit të këtij projekti të cilën agjensia jonë e ka në dorë, Bashkia Vorë, për shkak të shtirjes së kufizuar terrtoriale, ajo që, në bashkëpunim me një firmë italiane që ofron infrastrukturën përkatëse, ta menaxhojë ajo këtë shërbim në segmentin rrugor Tiranë-Durrës gjë që do të gjenerojë të ardhura. Duke qenë se kjo njësi vendore qeveriset nga opozita, drafti në fjalë është mbajtur në sirtarët e qeverisë dhe pas incidentit me kalin, në lojë ka hyrë Bashkia e Tiranës. Pas një zvarritje disamujore qeveria ia ka rrëzuar draftin Bashkisë Vorë me argumentimin se do të rishikohet i gjithë legjislacioni për të zgjidhur një herë e mirë problematikën e evakuimit të coftinave.
Burime që nuk duan të identifikohen, na bëjnë të ditur se pas këtij incidenti, qarqe interesi pranë Bashkisë Durrës, xheloze për fondet që mund rridhnin nga ky shërbim, janë përpjekur të inskenojnë një incident të ngjashëm me kafshë në segmentin rrugor ku kufizohet kjo bashki me atë të Vorës.
Projektit i qeverisë nuk ka kaluar pa rënë në sy të grupeve të interesit si dhe të eksponentëve lokalë të vetë mazhorancës. Në një prononcim për FoxyLady News aktivisti i shquar i shoqërisë civile Salsano Shkëmbi, aktiv në mbrojtjen e të drejtave të shtazëve, ishte kritik për këtë emërtim të agjensisë. Kritika e tij qëndronte në faktin se kafshët pas vdekjes tragjike nuk mund të quheshin me përçmim: “coftina”. Gjithmonë sipas tij ato edhe pse kafshë, mbeten viktima të aksidenteve rrugore, dhe duhen të trajtohen si të tilla, në emërtim edhe në praktikë nga specialistët e autoritetit kombëtar. Këtu nis dhe kontestimi më serioz i tij në lidhje me vendimin e qeverisë që i lë në dorë njësive të pushtetit lokal groposjen apo djegien e tyre.
“Kafshët kanë dinjitet dhe një ndërgjegje që bashkëvepron me njeriun. Kafshët që e kanë shoqëruar njeriun që nga neoliti i vonë e deri më sot duhet të groposen pasi i përkasin tokës mëmë. Vetëm në qytetërimet e prapambetura kafshëve u vënë shkrepsen”, – tha Shkëmbi. Mirëpo një burim nga Bashkia Tiranë thotë se groposja e coftinave është praktikisht e pamundur, kur dihet se kjo njësi vendore ka vështirësi të sigurojë parcela të reja edhe për varrezat e njerëzve në kryeqytet. Gjithsesi burimi pranë bashkisë e la të hapur mundësinë e një kompromisi, duke hamendësuar degdisjen e këtyre mbetjeve në një nga landfillet e ish-komunave, të cilat tashmë pas reformës së re territoriale janë pjesë e Bashkisë Tiranë.
Një zë kritik në këshillin bashkiak, që i përket një partie të vogël pjesë e koalicionit, u shpreh për se këto vendime janë të panevojshme. Ai e argumentoi kritikën e tij nga një këndvështrim praktik. “Mua nuk më intereson se çfarë bën qeveria me coftinat. Unë për vete nuk kam shtypur asnjëherë një mace apo ndonjë breshkë”, – tha këshilltari Afrim Tabako që i përket PSV-99. “Këto lloj vendimesh pa bukë vetëm sa na fryjnë kalendarin e mbledhjeve të këshillit bashkiak. Ne mezi po presim seancën ku do të vendoset harta e çmimeve të parkingjeve në Tiranë dhe nuk kemi nge të devijojmë seancën. Këtu fshihet ndonjë interes i atyre ambientalistëve, që duan të rrjepin ndonjë fond”, – tha këshilltari me një bindje që e përcillte edhe me gjestikulacione. “Në vend që të mbledhim sa më shumë taksat vendore na bëjnë që të mbledhim lëkurët e kafshëve”, – shtoi ai në fund.
Vendimi i qeverisë që i jep një zgjidhje problematikës së mbetjeve shtazore në rrugët tona pritet të debatohet edhe në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese. Opozita ka lajmëruar se do ta kundërshtojë këtë pasi sipas saj këtu fshihet një superaferë korruptive. Zëra brenda opozitës thonë se me ngritjen e AKEC, drafti parashikon një ndryshim menaxhimi që vetërregullohet nga autoriteti pas katër viteve të. Kështu sipas opozitës, AKEC do t’ia delegojë veprimtarinë e saj përmes një koncesioni një kompanie private, e cila gjithnjë sipas saj, është përzgjedhur tashmë mes klientëve të qeverisë.
Gjithsesi opozita nuk i fsheh anët pozitive të vendimit. Deputeti i PD Florian Spaho vlerësoi në parim formulën financiare të vendimit e cila në këtë kohë krizë kursen mjaftueshëm paratë publike. Sipas tij në variantin e parë të draftit ishte parashikuar një brez rrjete teli i cili do të shtrihej përgjatë gjithë rrugëve kombëtare për të penguar futjen e kafshëve në hapësirën e asfaltit. Me pas, po nga eksponentë të qeverisë u mendua që kostot e projektit do të kurseheshin në masë të madhe nëse ngrihej një autoritet efektiv dhe i specializuar i cili, me një buxhet disa herë të reduktuar, do të mundësonte evakuimin e coftinave në një kohë rekord, ende taze nga asfalti.
Një eksponent tjetër i opozitës në parlament, Leo Ndoka përshëndeti vendimin e qeverisë sepse sipas tij, kjo edhe pse në përmasa modeste do të ndihmonte zvogëlimin e numrit të qenve rrugaçë nga rrugët e qyteteve tona. “Unë mendoj se AKEC duhet të ketë edhe një filial tjetër i cili të orientojë tufat e qenërve endacakë drejt periferive , atje ku autoveturat ecin me shpejtësi”, tha Ndoka. “Fundja një forcë e koalicionit slloganin qeverisës e ka: ‘Të ecim më shpejt’. Them se duhet shfrytëzuar me efikasitet kjo energji në ngarjen e automjeteve, aq më tepër kur kemi AKEC. Në komision kam propozuar që ky filial, që mund të emërtohej DOQ (Divizioni i Orientimi të Qenërve), t’i rekrutojë specialistët në zonat ku ka traditë zanati fisnik i bariut”, – përsëriti disa herë Ndoka.
Ngritja e AKEC pritet të marrë formë gjatë pjesës së dytë të vitit që vjen, kjo pasi duhen disa ndryshime ligjore të cilat do të lehtësonin veprimtarinë e autoritetit. Kreu i AKEC do të ketë një mandat pesëvjeçar dhe do të ketë një buxhet fillestër prej dyqind e tridhjete e gjashtë milion lekë në vit. Për të mundësuar një aktivitet efikas të autoritetit pritet të kryhet dhe një fotografim me satelit i territorit dhe për këtë ka nisur procedura e një tenderi të hapur. Fotografimi me satelit do të mundësojë identifikimin e pikave të nxehta në rrjetin rrugor, si dhe do të lehtësonte dixhitalizimin e një rregjistri kombëtar të grafikut të petashimit të kafshëve në asfalte. Në territorin kombëtar do të ngrihen shtatë njësi taskforce të cilat do të monitorojnë në kohë rekord rrjetin rrugor dhe do të kenë një koordinim të rregulluar me ligj me njësitë lokale të qeverisjes vendore.