Sarah N. Lynch
Reuters
Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Nju Jorkut po heton nëse tre shpërndarësit e mëdhenj të internetit po i furnizojnë konsumatorët me internet me po atë shpejtësi që shfaqin në reklama, sipas dokumenteve të para nga Reuters.
Letrat e dërguara drejtuesve ekzekutivë të kompanive Verizon Communications Inc (VZ.N), Cablevision Systems Corp (CVC.N) dhe Time Warner Cable Inc (TWC.N), i kërkojnë secilës kompani të dorëzojë kopjet e shpërndarjes që u kanë bërë klientëve dhe si dhe kopje të çdo lloj testimi të mundshëm që mund të kenë bërë për shpejtësinë e internetit.
“Qyteti i Nju Jorkut meriton shpejtësi interneti të denjë për çmimin që paguajnë. Por, me sa duket, shumë nga ne paguajnë për një gjë dhe marrin një gjë tjetër,” tha në një deklaratë prokuroi i përgjithshëm Eric Schneiderman.
Në deklaratat e tyre, zëdhënësit e tre kompanive shprehën besim në shpejtësinë e shërbimit të internetit.
“Ne jemi të sigurt që u ofrojmë klientëve shpejtësinë dhe shërbimin që premtojmë dhe presim me padurim të bashkëpunojmë me prokurorinë për këtë çështje,” tha zëdhënësi i Time Warner Cable, Bobby Amirshahi.
Zëdhënësi i Cablevision, Charlie Schueler, tha se shërbimi i kompanisë Optimum Online “e tejkalon rregullisht shpejtësinë e paraqitur në reklama. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë prokurorit të përgjithshëm, ashtu siç bëjmë me klientët, çdo lloj informacioni të nevojshëm në lidhje me perfomancën tonë”
Një zëdhënës i Verizon tha se kompania do të bashkëpunojë me zyrën e prokurorit.
“Verizon është e sigurt për shpejtësinë e besueshme të internetit që ajo shpërndan për abonentët,” tha zëdhënësi.
Hetimi i prokurorit të përgjithshëm është veçanërisht i fokusuar në të ashtuquajturit rregullime të ndërmjetme, ose marrëveshje kontraktuese që shpërndarësit e internetit bëjnë me rrjetet për shkëmbim të përbashkët të dhënash.
Në letra, zyra e Schneiderman thotë se është e shqetësuar se konsumatorët që paguajnë një çmim ekstra për shpejtësi të lartë mund të pësojnë ndërprerje të shërbimit për shkak të problemeve teknike dhe mosmarrëveshje të bizneseve në lidhje me marrëveshjet e ndërlidhjes.
Një studim i vitit 2014 i kryer nga Measurement Lab Consortium, ose M-Lab, zbuloi që konsumatorët e shërbimit të internetit ishin të prirë të kishin ndërprerje aty ku furnizuesit e broadbandit lidheshin me shërbime interneti me trafik të lartë.
Një zëdhënës për zyrën e prokurorit të përgjithshëm tha se zbulimet e studimit të vitit 2014, së bashku me ankesat e konsumatorëve dhe analizat e brendshme, nxitën hetimin për shpejtësinë e internetit.
Disa nga letrat ngrinin dyshime për shpejtësinë e internetit të ofruar nga Time Warner Cable dhe Cablevision për konsumatorët e cila humbiste “në kilometrin e fundit”, një term që i referohet pikës ku një zinxhir telekomunikacioni mbërrin pikat e shpërndarjes me pakicë.