Xavier Marquez
Washington Post
Presidenti rus Vladimir Putin festoi 63-vjetorin kohët e fundit duke shënuar shtatë gola në një ndeshje të transmetuar direkt në gjithë Rusinë. Ekipi i tij, i cili përbëhej nga disa yje të NHL, fitoi 15-10.
Putini nuk është i vetëm mes udhëheqësve politikë modernë që shfaq aftësitë e tij fizike, apo që luan sport me profesionistë. Fidel Kastro dhe Hugo Çavezi pëlqenin të luanin basketboll. Evo Morales çmendet pas futbollit, madje u regjistrua të luante me kohë të pjesshme për klub lokal bolivian më 2014. Dhe, natyrisht, presidentët amerikanë me raste tregojnë talentin e tyre në fushën e basketbollit.
Por Putini është i pazakonshëm në theksin e fortë që imazhi i tij publik u jep arritjeve sportive. Ai ka një brez të zi në xhudo, i kompletuar me një DVD me këshilla, “Le të mësojmë xhudo me Vladimir Putinin.” Ai shfaqet si adhurues i peshkimit dhe gjuetisë. Dhe tani shikojmë aftësitë e tij në hokej. Le t’u hedhim një sy implikimeve politike të këtyre, eh, arritjeve.
- Ka një histori të gjatë të udhëheqësve politikë që përdorin (dhe ekzagjerojnë) imazhe të trimërive fizike të tyre për të treguar shëndet dhe fuqi.
Ndoshta më i famshmi, më 1966, Mao Ce Duni, 72 vjeç, notoi në lumin Jance për të hedhur poshtë thashethemet që ai ishte sëmurë apo i nxjerrë jashtë loje nga armiqtë e tij. Shtypi kinez i kohës e propagandoi këtë arritje me përmasa të nivelit botëror. Dhe Benito Musolini ishte ndoshta udhëheqësi i parë i fotografuar pa këmishë, në shpatet e skive në Terminillo, afër Romës. Ai e bëri këtë veçanërisht të shfaqte virilitetin e tij duke i treguar publikut trupin e tij, në një kohë kur ai ishte i shqetësuar për plakjen.
Shenja të besueshme shëndeti dhe fuqie duket se janë të domosdoshme kur pushteti politik është shumë i personalizuar, siç ishte në Kinë në vitet 1960 ose sot në Rusi. Në rrethana të tilla, dobësimi i shëndetit të sunduesve jetëgjatë ka qenë shpesh arsye për nxitjen e luftës së brendshme të elitës. Nga ky këndvështrim, imazhi i një Putini të fuqishëm, i aftë të luajë hokej në nivel të lartë, ndoshta funksionon pjesërisht si shenjë e besueshme e pushtetit të tij të qëndrueshëm.
Më 1937, fotografi të Musolit, që e tregojnë pa ski në këmbë, demonstrojnë gjithashtu limitet e kësaj strategjie propagandistike në shoqëri më të hapura. Pa një farë kontrolli mbi mediet, skena e sajuar mund të kishte çuar në tallje, për shkak se Musolini duket që s’ka ditur ski.
- Në të njëjtën kohë, sa më shumë pushtet politik përqendrohet te një person, aq më shumë arritjet e sportive ose artistike priren të infektohen nga lavdërimet ose frika.
Perandori romak Neron donte të bëhej këngëtar dhe lirist (që i bie lirës) i shquar, dhe pëlqente të konkurronte në gara këngësh. Ai e trajtonte trajnimin e tij me seriozitet dhe pretendonte se ishte thjesht një konkurrent. Megjithatë, duke pasur parasysh pushtetin e tij personal dhe statusin në shoqërinë romake, sigurisht Neroni i fitonte të gjitha garat që merrte pjesë. Vërtetë senati romak, të zemëruar me talljet e Neronit për takimet e senatit (ai e shikonte senatin si një veprimtari të papërshtatshme), i dhanë çmimin për këngën më të mirë në Lojërat Pesëvjeçare në vitin 65 para erës re, pa u mbajtur ende lojërat, për t’i hequr interesin e pjesëmarrjes në to.
Nuk dihet nëse Neroni besonte vërtetë se ishte këngëtar i madh, por nuk duhet nënvlerësuar aftësia e njeriut për të gënjyer veten. Por me siguri senati nuk u mashtrua, edhe pse nuk mund të bënte shumë për ta ndaluar Neronin t’i përkushtohej këngës.
Pushteti i madh i infekton gjithë arritjet edhe në kontekste demokratike. Për shembull, mes udhëheqësve të shekullit 20 dhe 21, ndoshta vetëm udhëheqësi finlandez Urho Kekkonen (kryeministër dhe president i Finlandës 1950-82) i bëri interesat e tij sportive po aq qendrore për personin e tij publik sa dhe Putini. Kekkonen ishte sportist serioz. Por me sa duket për një farë kohe ai ishte kaq konkurrues dhe i pushtetshëm në sistemin politik finlandez saqë për të mos i prishur humorin shoqëruesit e tij gjithmonë krijonin mundësitë që ai të kryesonte në ski ose koordinoheshin që të siguroheshin që ai kishte peshkun më të madh në grep gjatë udhëtimeve për peshkim.
- Dhe propaganda për arritje të pabesueshme mund të tregojë në mënyrë të besueshme pushtetin e sunduesit dhe të shkurajojë opozitën.
Pretendime absurde të bërë herë-herë në emër të sunduesve të fuqishëm nga agjencitë e shtypit të kontrolluara nga shteti, si pretendimi i bërë në vitet 1980 që Hafez al-Assad ishte “farmacisti më i parë” i Sirisë, nuk besohen vërtetë nga asnjë person, siç dokumenton Lisa Wedeen në librin e saj kulti i Assad. Por deri tani ato nuk mund të kundërshtohen publikisht pa pasoja ose duhet të përsëriten nga të tjerë, këto shërbejnë si dëshmi e besueshme që sunduesi ka pushtetin t’i detyrojë të tjerët të veprojnë sikur të besojnë në to.
Siç shkruajnë Haifeng Huang dhe Milan Svolik, propaganda e pabesueshme nuk duhet të kuptohet si një formë e dështuar për të bindur, por si një instrument pushteti.
Pretendimet krejtësisht të pabesueshme për arritjet sportive janë sidoqoftë të rralla, edhe aty ku kulti personalitetit është në qiell. Në kërkimet e mia unë kam gjetur pak pretendime të këtij lloji. lajmet se Kim Jong-Il një herë shënoi pesë gropa në një në fushën e golfit ka gjasa që janë mit; shtypi korean-verior shkruante herë-herë tullumbace të tilla për të. Për shembull, Rodong Sinmun raportoi më 2006 se Kim kishte zotëruar artin e teleporting [fluturim në hapësirë] për të shmangur zbulimin nga satelitet amerikane.
Propaganda për arritjet sportive të Putinit sinjalizon me siguri dominimin e sistemit politik prej tij; jo të gjithë mund të transmetojnë në gjithë Rusinë festën e ditëlindjes së tyre! por brenda sferës publike ruse pak veta mund të detyrohen të sillen sikur i besojnë, nëse nuk i besojnë.
- Pretendimet për arritje fizike ose artistike janë zakonisht pjesë e fushatave për shtuar mbështetjen popullore duke konstruktuar imazhe të udhëheqësit që përputhen me shijet e popullit.
Studiues të kulturës ruse si Helena Goscilo mbrojnë idenë që “shfaqja e maskulinitetit” të Putnit përputhen thellësisht me pëlqimin e disa pjesëve të publikut rus. Ka dëshmi sondazhesh të bollshme që publiku rus ka qasje pozitive ndaj Putinit. Ndoshta dhe entuziazmi i Neronit për shfaqje artistike mund të ketë qenë pjesë e përpjekjes për të siguruar popullaritet te plebejtë, duke dëmtuar rëndësinë e senatit dhe ushtrisë për pozicionin e tij.
Megjithatë, ndikimi i shfaqjeve të tilla publike në përkrahje të udhëheqësve në afat të gjatë është anësor. Në afat të gjatë, popullariteti i udhëheqësve në kontekste demokratike autoritariane duket se nxitet më shumë nga faktorë prozaikë, si ecuria e ekonomisë, sesa nga aftësia e tyre për të prodhuar propagandë. Në afat të shkurtër, popullariteti është pushtet, dhe mund të amplifikohet nga veprimtaria mjeshtërore në marrëdhëniet publike. Por nuk duhet ta ekzagjerojmë sa rëndësi ka për stabilitetin e regjimit “legjitimiteti” që ajo prodhon.
- Jo të gjitha rrëfenjat për arritje të pazakonshme fizike ose artistike që u atribuohen udhëheqësve orkestrohen nga lart ose reflektojnë një strategji propagandistike të vetëdijshme.
Rrëfime të tilla herë-herë shfaqen në mënyrë organike, “nga poshtë”, në një proces që e kam quajtur “inflacion lavdërimi”, ose përmes identifikimit të sinqertë me udhëheqësin të një ose disa pjesëve të popullsisë, ose sepse ka diçka për t’u fituar përmes prodhimit të lavdeve ose shfaqja e simboleve të identifikimit.
Në rastin e Putinit, ka dhe një nën-zhanër të vogël romanesh humoristike që trajtojnë Putinin si hero aksioni, duke udhëhequr një skuadër spetsnaz [me mison spacial] në Çeçeni ose duke shpëtuar botën.
Megjithatë, këto forma putiniana, si shkruajnë Julie Cassiday dhe Emily D. Johnson, nuk mund të kuptohet si shenjë e mbështetjes së drejtpërdrejtë për Putinin. Rusët, si gjithë popujt, prodhojnë histori për Putinin për një radhë motivesh, përfshi satirën. Megjithëse sfera publike ruse është më e shtrënguar se sfera publike në vende të tjera, ende ka hapësirë që njerëzit e pakënaqur të tallen me “superputinin”.