Pleqëria dikur ka gëzuar statusin më të privilegjuar në shoqëri, i cili sillte prestigj dhe pushtet. Në të gjitha shoqëritë tradicionale të moshuarit janë vlerësuar për pjekurinë, maturinë, përvojën, të cilat janë perceptuar si vlerat më të rëndësishme. Thinjat mbi krye, ishin stoli e imazhit të fisnikërisë së gdhendur prej viteve. Fjala e të moshuarve ishte ligj. Ajo përfaqësonte urtësinë, si vlerën themelore mbi të cilën ngrihet rendi shoqëror, ndërsa detyrë e të rinjve ishte respektimit dhe përvetësimin e saj.
Kulti i rinisë
Shoqëritë moderne e kanë përmbysur këtë. Kulti i të riut ka çmitizuar urtësinë, duke i përjashtuar të moshuarit nga ndikimi shoqëror. Urtësia sot perceptohet më shumë si fyerje, si tipar i njeriut që nuk bën asgjë, që nuk reagon apo që nuk arrin të imponojë vullnetin e tij. Siç ka rrëfyer Homsbawm, kulti i moshës është transferuar nga pleqëria tek rinia përgjatë të gjithë shek XX dhe kjo falë mrekullisë së shoqërisë së konsumit ku imazhi ndërmjetëson përdhunshëm përfytyrimet tona për botën. Kjo industri ka prodhuar edhe heronjtë e vet. Xhejms Din apo Merilin Monro janë simbolet e mitit të rinisë së përjetshme në ikonografinë e botës sëre që premton jeta moderne. Vdekja në kulmin e shkëlqimit të tyre, instaloi fuqishëm imazhin e yjeve që plakja nuk mund t’i nënshtrojë. Forever Young është titulli i një kënge të famshme të Alphaville: “Let us die young or let us live forever”.
Stefan Cvajk ka jetuar në cakun midis botës së djeshme dhe të sotme, në kufirin ku dy botët këmbehen me njëra-tjetren. Ai rrëfen sesi gradualisht e shkuara davaritet duke sjellë një botë të re, krejt të kundërt me të parën. Tek “Bota e djeshme” ai shpjegon sesi mosha humbet gradualisht fuqinë e saj magjike për të imponuar respekt, duke sjellë një epokë ku, tashmë të rinjtë dhe jo të mëshuarit janë objekt vlerësimi dhe admirimi. Ai tregon sesi, teksa më parë të rinjtë mezi prisnin t’u dilte sadopak pushi i mjekrrës për t’u dukur të pjekur, më vonë, burrat në moshë filluan të rruhen, trukohen e pudrosen për të ngjarë sa më të rinj. Cvajku e lidh këtë me kultin e fizikut, që e gjen realizimin e vet tek mosha më vitale fizikisht. Në këtë mënyrë kjo rrokadë idhujtarie mbi moshën shfaqet si një dialektikë midis trupit dhe mendjes.
Mosha e dominosë
Sot mosha e tretë është thuajse e përjashtuar nga jeta. Tregu nuk prodhon asgjë për ta. Mediat, mallrat, shërbimet që i adresohen kësaj moshe janë fare të pakta, duke i lënë thuajse jashtë vëmendjes. Ata jetojnë të vetmuar, shpesh të harruar, derisa ndodh që të ndërrojnë jetë pa praninë e njerëzve të afërm. Dhe kjo ndodh ndërsa, në vendet e zhvilluara, kemi një nivel të lartë të plakjes së popullsisë, ku pleqëria zë më shumë se 20 përqind të popullsisë, ndërsa pritet të shkojë në një të tretën e saj. Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve, flasin për nivel të lartë diskriminimi ku përfshihet abuzimi verbal, financiar, psikologjik dhe seksual, trajtimi pa respekt, mosgarantimi i shërbimeve shoqërore, shëndetësore etj. Të jesh i moshuar në një shoqëri të tillë konsumi e marramendjeje është diçka e trishtueshme dhe e vështirë.
Megjithatë, të moshuarit në vendet e zhvilluara janë shumë herë më aktivë sesa në Shipëri. Të moshuarit europiane mundohen të kenë sidoqoftë një jetë më dinamike: ngasin makinën, kryejnë aktivitete fizike, bejnë turizëm dhe shpesh përfshihen vullnetarisht në aktivitete humanitare. Sigurisht, të ardhurat e një pensionisti europian nuk kanë të krahasuar me ato të pensionistëve në Shqipëri. Por nuk është vetëm kjo. Problemi mbetet më shumë një çështje kulture. Të moshuarit në Shqipëri bëhen inaktivë, duke e perceptuar moshën e tyre si një paradhomë të vdekjes. Shumë prej tyre ndjehen sikur “e kanë ngrënë çahirin e tyre” duke u bërë barrë për të tjerët dhe gati-gati ndjehen si në faj që nuk janë nisur ende për në “atë botë”. Aktiviteti më i zakonshëm i moshës së tretë në Shqipëri është loja domino nëpër parqe, ku mund të vrasin mërzinë, përtej perdes së shpërfilljes së shoqërisë, në epilogun e një jete të vështirë e plot halle.
Jetë plaku
Të moshuarit nuk gjenden askund në Shqipëri. Asnjë program televiziv, asnjë produkt tregu, madje asnjë hapësirë serioze e programeve elektorale nuk adresohet për ta. Të dhënat zyrtare flasin për rreth 40 mijë të moshuar në pragun e varfërisë. Ata vuajnë gjithashtu nga niveli i lartë i sëmundjeve shoqëruar nga një indiferencë e frikshme e kujdesit shëndetësor nga shteti. Jo vetëm kaq, por ata vuajnë edhe diskriminimin në institucione në zyra, qendra shëndetësore etj, duke u përballur me shpërfilljen dhe privimin nga shumë shërbime të nevojshme.
Pra, mund të themi se të moshuarit janë të privuar nga një jetë dinjitoze duke hequr dorë nga shumë nevoja, dëshira apo pritshmëri ndaj vetes së tyre. Në fakt, ata janë më shumë pasqyrë e dehumanizimit të shoqërisë sonë, të cveshur nga vlerat dhe të babëzitur pas konsumit dhe parasë. Një shoqëri që nuk mendon nuk ka sesi të ndjejë dhe kuptojë detyrimet e saj për t’iu dhënë dinjitet të tjerëve. Për këtë arsye të moshuarve u duhet të durojnë harresën dhe hidhësinë e fatit që u servir epoka jonë që gloriikon kultin e rinisë. Ata as që ekzistojnë në shoqërinë tonë dhe mund të quhen që tani të ikur nga kjo botë, teksa shteti, tregu, media dhe tërë shoqëria jetërsojnë refrenin e tyre: Forever young.