Kjo ka qenë një verë e gjatë dhe e nxehtë me kujtime të fuqishme dhe të dhimbshme në Ballkan, dhe i bëri disa njerëz të shqetësoheshin për të ardhmen e rajonit.
Një të diel përcëlluese korriku, mijëra njerëz u grumbulluan në luginën e Srebrenicës në Bosnjë për të kujtuar 8000 myslimanë burra që u masakruan 20 vjet më parë nga trupat tnike serbe, dhe të varrosnin 136 viktima që ishin identifikuar së fundmi nga eshtrat e gjetura në varret masive.
Në fjalimin e tij përkujtimor, ish-presidenti i SHBA Bill Clinton bëri thirrje për pajtim mes armiqve të vjetër ballkanas, dhe u kërkoi të pranishmëve të shtrëngonin dorën e kryeministrit serb, Alesandër Vuçiç, i cili ndodhej aty. Megjithatë, më herët atë javë, Vuçiçi dhe qeveria e tij kishin zemëruar shumë myslimanë të Bosnjës pasi i kishin kërkuar Rusisë të bllokonte rezolutën e Natos që do ta kishte dënuar masakrën si gjenocid, siç është përcaktuar nga një gjykatë e OKB.
Kur Vuçiçi vendosi lule në varrezë, zemërimi i turmës shpërtheu. Disa e fërshëllyen, disa e gjuajtën me gurë dhe u valëvit një banderolë ku ishte cituar një fjalim i tij në parlamentin serb gjatë luftës: “Për çdo serb të vrarë, ne do të vrasim 100 myslimanë”. Bodigardët e mbrojtën dhe e larguan, aleatët e tij menjëherë e quajtën sulmin një “përpjekje për ta vrarë” dhe akuzuan myslimanët e Bosnjës se po refuzonin dorën e miqësisë së Serbisë, në një betejë për përfitim moral që ishte po aq e shëmtuar sa dhe vetë incidenti.
Javën e kaluar rreth 80 000 kroatë u grumbulluan në qytetin Knin për të festuar 20-vjetorin e fitores ndaj separatistëve serbë në Operacionin Stuhia, i cili bashkoi Kroacinë, por detyroi 200 000 serbë të largoheshin prej saj. Në një koncert të këngëtarit nacionalist Marko Petroviç Thompson, disa persona thirrën “Vrite serbin” dhe slogane lidhur me ustashët, një lëvizje që qeverisi Kroacinë si një shtet kukull naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në të njëjtën kohë në Serbi, Vuçiçi dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë në një ngjarje për të përkujtuar “pastrimin etnik” e Operacionit Stuhia, dhe nacionalisti serb dhe i dyshuar si kriminel lufte Vojisllav Sheshel dogji flamurin kroat jashtë ambasadës kroate në Beograd. Vuçiçi dhe presidenti serb i tanishëm Tomisllav Nikoliç ishin aleatë të ngushtë të Sheshelit para se të zbutnin antipatinë e tyre për Perëndimin dhe të betoheshin për ta anëtarësuar Serbinë në BE, por ata janë të gatshëm të përdorin gjuhë të mprehtë nacionaliste kur është e përshtatshme.
Edhe në Kroaci forcat e djathta janë në rritje. Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç vjen nga Unioni Demokratik Kroat (HDZ) i themeluar nga presidenti Franjo Tuxhman (1990-99), dhe kjo parti është e sigurt që të përmbysë socialdemokratët në zgjedhjet e përgjithshme pas gjashtë muajsh. Për një pjesë të kroatëve, HDZ gjithmonë do të lidhet me skandalet e mëdha të korrupsionit që e çuan liderin e partisë dhe ish-kryeministrin Ivo Sanader në burg për 8.5 vjet, dhe për nacionalizmin e fortë që lidhet me Tuxhmanin. Megjithatë, Sanader do të rigjykohet, pasi gjykata kushtetuese e Kroacisë vendosi muajin e kaluar që gjyqi i tij më 2010 nuk kishte qenë i drejtë dhe, së bashku me ndryshimin e shanseve të HDZ, shumë nga patriotët e tij mendojnë se po rishfaqet dhe nacionalizmi.
Në maj, Grabar-Kitaroviç vizitoi Bleiburg-un në Austri për të nderuar anëtarë të utashëve, serbë e sllovenë bashkëpunëtorë të nazistëve, dhe mijëra guerile civile komuniste të masakruar aty në fund të Luftës së Dytë Botërore. Memoriali tërheq ultranacionalistë, të cilët reklamojnë simbolet me krenari dhe përdorin sloganet e ustashëve, të cilët vranë qindra mijëra serbë, çifutë, romë dhe kundërshtarë kroatë, dhe krijuan kampe përqendrimi si ai në Jasenovac. Më shumë se 80 000 mijë viktima u përkujtuan në atë kamp, 110 km në jug të kryeqytetit kroat, Zagreb, në prill në një ceremoni ku mori pjesë kryeministri socialdemokrat Zoran Milanoviç, por jo Grabar-Kitaroviç. Kritikët thonë se HDZ ka një qëndrim të paqartë ndaj ustashëve dhe inkurajon të djathtën ekstreme në Kroaci, kombëtarja e futbollit e të cilës do t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi në stadiumin bosh, pasi në një ndeshje në qershor në fushë ishte vizatuar një svastika [simboli nazist].
Milorad Pupovaç, një akademik, politikan liberal veteran dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Serbëve të Kroacisë, thotë se rrëshqitja e vendit djathtas është e dukshme në gjithçka, nga fushata për të hequr shkrimet në serbisht (alfabeti cirilik) nga tabelat e rrugëve në lindje të Kroacisë te rritja e ndikimit të Kishës Kroate në çështjet sociale.
“Në shoqëri po kthehet frika. Frika që e bën shumicën të mos veprojë ndaj incidenteve, dhe frikëson minoritetin”, i tha Pupovaç The Irish Times.
“Këtë vit në Srebrenicë mësova shumë. Mësova që ne [në ish-Jugosllavi] jemi ende në luftë, dhe sërish e udhëhequr nga banditët. Tani ata nuk luftojnë domosdoshmërish për territore, por për vlera dhe mendjet”.