Fabian Zhilla
Një politikë e sukseshme kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve nuk përfundon me burgosjen e disa njerëzve apo shkatërrimin e parcelave kanabisi me të mbjella. Ajo vetëm nis aty. Nëse goditjet afatshkurtra nuk shoqërohen me politika sociale dhe ekonomike, lufta kundër drogës jo vetëm nuk do të jetë e sukseshme, por rrezikon të dalë jashtë kontrollit.
Vetëm në periudhen 1-15 gusht janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia e Shtetit parcela me kanabis në Shkodër, Vlorë, Librazhd, Berat, Lezhë, Kurbin, Gjiroksatër dhe Tropojë, ndërkohë që janë bërë arrestime të personave të cilët trafikonin drogë në sasi të vogla në qytetet Korçë, Tiranë, Sarandë etj. Kjo rishpërndarje e fenomenit të kultivimit të kanabisit po ndodh sot vetëm një vit pas mega-operacioneve të Lazaratit dhe Dukagjinit. Tani shohim që nga një mbjellje e centralizuar në zona të mëdha, siç ishte dikur Lazarati, është kaluar në një parcelizim në nivel kombëtar të kultivimit. Nga grupe të organizuara të cilat ishin përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kanabist, tani rritja e tij është kthyer në një “biznes” familjar. Tashmë “tregu i shumicës” i hashashit në Lazarat është zëvëndësuar me “tregje të vogla pakice” kudo: kemi nga pak “Lazarat” dhe “Dukagjin” në të gjithë Shqipërinë.
Vihet re se këtij konfigurimi të ri të “hartës” së rritjes së kanabisit shteti shqiptar i është përgjigjur duke u mjaftuar vetëm me goditje të përqendruara sezonale në varësi të “suksesit” të të mbjellave. Dhe sipas kësaj teorie sa më mirë të ecin të mbjellat aq më e sukseshme do të jetë edhe “korrja” nga policia (luftë kundër kultivimit të kanabisit). Kjo lloj politike jo vetëm që nuk do të arrijë ta zgjidhë problemin, por do ta përkeqësojë më shumë atë. Kjo sepse kultivimi i kanabisit po banalizohet, pasi mbjellja po bëhet në zona ku situata ekonomike është dëshpëruese. Për pasojë, mbjellja e kanabisit po shihet si një mundësi për të shpëtuar nga varfëria dhe jo si një mjet fitimi në kuptimin e organizatave kriminale.
Pra “kanabisi” në një kohë të shkurtër rrezikon të kthehet në “bukën” dhe “kripën” e shqiptarëve. Dhe pikërisht për këtë fakt lufta kundër këtij fenomeni meriton një vëmendje të veçantë, duke filluar që nga përpilimi i një strategjie kombëtare dhe deri te ndërhyrjet në legjislacionin përkatës, për një kategorizim më të mirë e të detajuar të veprave penale që lidhen me kultivimin, trafikimin, përdorimin dhe posedimin, duke specifikuar më mirë dënimet penale në varësi të kushteve ekonomike dhe sociale të kultivuesit.
Sugjerim
Një ndër problemet e politikave me efekte afatshkurtëra dhe jo thelbësore është se ato nuk janë gjithëpërfshirëse, ndërkohë që ky fenomen është kompleks. Çështja e kultivimit të kanabisit meriton të vendoset ndër prioritetet e shtetit shqiptar. Një ndër problemet në goditjen e krimit dhe më specifikisht, goditjen e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve është në konceptim. Ajo i lihet si barrë vetëm një ministrie, siç është ajo e Punëve të Brendshme apo më saktë Policisë së Shtetit, ndërkohë që ky është një fenomen me rrënjë në problemet sociale dhe ekonomike. Për këtë arsye zgjidhja duhet të vijë si bashkëveprim i disa ministrive (Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes etj).
Problemi tjetër është mënyra organizative se si i qasemi zgjidhjes. Në rastet kur një krim kthehet në fenomen kombëtar ai duhet trajtuar nga ekspertët më të mirë në vend, pa marrë parasysh nëse janë punonjës të administratës shtetërore apo jo. Në vend që kjo strategji t’i lihet një drejtorie në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ajo duhet t’i kalojë një grupi ekspertësh (task forcë) të cilët do të përgatisnin një plan sugjerimesh, të cilat do të mbështeteshin në një studim të mirfilltë të dhënash për të analizuar fenomenin dhe për të dhënë zgjidhjen. Kjo më pas, nën dirigjimin e Ministrit të Punëve të Brendshme mund të përkthehet në një strategji kombëtare duke përfshirë edhe ministritë e tjera, të cilat kanë burimet dhe kapacitetet institucionale për të ndihmuar në ekzekutimin e kësaj strategjie.
Me pak fjalë fenomeni i “kombëtarizimit” të mbjelljes së kanabisit është diçka shumë serioze dhe si e tillë duhet trajtuar. Shkatërrimi i disa parcelave dhe burgosja e kultivuesve është pozitive, por jo shteruese për zgjidhjen e problemit. Për sa kohë që ky problem nuk do të trajtohet si prioritet, duke angazhuar të gjithë kapacitetet e mundshme, nuk është çudi që shpejt kanabisi, nga fushat e disa fshatrave periferikë, të kalojë në vazo lulesh nëpër ballkonet e shtëpive në qytete.