Humori me rëndësinë që i jepet gjatësisë së liderit po kapërcen përmasat e groteskut. Tani edhe Heroi Kombëtar propozohet si pjesë e konkursit ku Rama konsiderohet pa rivalë! Gazeta Koha Ditore i ofroi lexuesit një artikull ku saktësohej lartësia e Skënderbeut. Kështu e prezanton gazeta “zbulimin”:
Por sa realisht ishte i gjatë Gjergj Kastrioti? Ndonëse Skënderbeu ka jetuar në shekullin XV (1405-1468), falë një dokumenti prej 26 fletësh që ruhet në Arkivin Shtetëror të Venedikut, historianët kanë arritur të përllogarisin përafërsisht gjatësinë e trupit të tij. Këtë përllogaritje e ka bërë albonologu dhe prifti italian, At Giussepe Valentini (1900-1979), në një artikull të tij të botuar më 1971, në revistën “Shejzat”.
Saktësimi i numrit të faqeve (26) shkon paralelisht me përdorimin e fjalës ‘historianët’ në shumës, ndërsa menjëherë sqarohet se përllogaritësi është një i vetëm, Giuseppe Valentini. Përballë gjithë këtyre faqeve, të ruajtura në një arkiv në Perëndim – për ligjërimin elitar kosovar edhe kaq mjafton –, dhe gjithë këtyre historianëve, lexuesit i mbetet vetëm ta konsumojë si informacion të vërtetë, dhe praktikisht kush ka pasur dyshime mbi lartësinë e Heroit Kombëtar tani mund të flejë i qetë. Por Valentini e ka sforcuar së tepërmi supozimin, përveçse ka gabuar në përllogaritje, siç do të shohim në artikullin që propozojmë më poshtë, duke analizuar dy “kopjues” të studiuesit italian. Duke ndjekur të njëjtën metodë, por duke korrigjuar të dhënat, Skënderbeu shkon në gati 2 metra e gjysmë, e bashkë me të rritet edhe lartësia mesatare e kohës…
pb
Madhështia dhe madhësia e heroit*
Doan Dani
«Shtati i tij i lartë dhe i hedhur, krahët që s’ishin parë më të bukura te njeri; qafa e fuqishme dhe e përkulur, si e atletëve; gjerësia e supeve e admirueshme; ngjyra e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm; shikimi i syve as i egër, as i fjetur, por shume i këndshëm. Këto ia rritnin shumë virtytet dhe dukeshin se ia shtonin mirësinë shpirtërore». Ky është përshkrimi sintetik i pamjes së Skënderbeut nga kronisti Barleti, që sipas historianit Kristo Frashëri, «në thelb», qëndron. Gjithmonë sipas Frashërit, i cili citon Dhimitër Frëngun, «ai hante shumë pak dhe i mjaftonin pesë ore gjumë; duronte vapën dhe acarin; flinte përdhe mbi qilim», «me një të rënë» mund t’ia këpuste «kokën një bualli të egërsuar».
Në artikujt Letrat e Skënderbeut (1986) dhe Për mbrojtjen e atdheut (1987), të integruar më pas në vëllimin III të Studime për epokën e Skënderbeut (1989) dhe në monografinë Skënderbeu: jeta dhe vepra (2002), Frashëri këmbëngul në përfundimin se «Skënderbeu duhet të këtë qenë rreth 2 metra i lartë». Kësaj here nuk janë përshkrimet barletiane, por një dokument i vitit 1457 që e shtyn historianin e shquar në këtë konkluzion. Fragmenti i dokumentit ku bazohet historiani, në të cilin Skënderbeu ngarkon Gjergj Pelinin me një mision diplomatik dhe ndër të tjera i kërkon tërheqjen e cohës së premtuar, është ky: «Fol edhe për cohën që më kanë premtuar […]. Mbasi thonë se mua me duhen 16 kute cohë për dy palë petka, ata zotërinj le ta shqyrtojnë vetë sa cohë duhet për ato dy palë petka dhe të më japin aq sa ta shohin të arsyeshme së unë mund të kem nevojë». Në përgjigje, Senati venedikas i dërgon 18 e jo 16 kute stof skarlat.
Përllogaritja që e shtyn Frashërin në konkluzionin 2 metra ndërthur masën e kutit venedikas, që sipas historianit «ishte 58 centimetra», 9 kutet për një veshje të kërkuar nga heroi dhe gjatësinë mesatare të njeriut mesjetar e cila, gjithmonë sipas historianit, ishte «1.70 deri 1.75 metra». «Kjo do të thotë se për heroin tonë» – pohon Frashëri – «duheshin 30 centimetra më tepër»: me logjikën që për njeriun e zakonshëm nevojiteshin 464 cm, ndërsa për Skënderbeun 522 cm stof.
Në këtë konkluzion arrin edhe Musa Ahmeti, ilustrimi i regresit të profesionalizmit ne historiografi. Edhe Ahmeti merr në shqyrtim të njëjtin dokument, duke e botuar në gjuhën origjinale, por e përforcon tezën e tij me një tjetër dokument, që, megjithëse i deklaruar si zbulim, e boton vetëm të përkthyer. Në dokumentin e dytë, që mban datën 1467, autori, Luigi Machiavelli (një piktor), sipas Ahmetit pohon se «lartësia e tij [Skënderbeut] është 1.98 m».
Që të dy autorët imitojnë pa as më të voglën kritikë analizën e Giuseppe (Zef) Valentinit të botuar në revistën «Shejzat» që në vitin 1971, dhe janë në kufirin e plagjiaturës. Edhe përkthimi i dokumentit është i Valentinit. Natyrisht, Frashëri e ndjek më me përpikëri dhe praktikisht është pothuajse njëlloj sikur të lexohet Valentini (i njëjti supozim, i njëjti dokument, e njëjta metodë, i njëjti përfundim, të njëjtat gabime). Sidoqoftë, në këto konkluzione ka mjaft anomali.
Së pari, tentohet të saktësohet gjatësia e një personi, deri në centimetra, duke u nisur nga rrobat, e kështu, përse jo, mund të fantazohet: “më thuaj me kë rri, të tregoj sa je i/e lartë”. Është njëlloj sikur të shtrohet kjo problemë e thjeshtë: unë kam blerë 6 m cohë për t’i bërë veturës një mbulesë; sa është gjatësia e veturës? Përfundimet janë të shumta dhe, me këto të dhëna, vetëm rastësia mund të shpie te konkluzioni i saktë, që ndodhet në dokumentet përkatëse të mjetit. Pikërisht këto të dhëna nuk i ofron dokumenti me “26 faqe”.
Në vitet që jetoi Skënderbeu për një veshje femërore në Firence nevojiteshin 14 kute stof; për një çarçaf nevojiteshin 12 kute; për një kapele fiorentine të quajtur cappuccio duheshin deri 15 kute. Këto ishin pjesë e gardërobës të një personi të zakonshëm, brenda 175 cm të sipërcituar. Në të kundërt, kur Skënderbeu, të cilit i nevojiteshin 9 kute për një veshje, arrinte gjatësinë 2 metra, e kam të vështirë të mendoj gjatësinë e një personi që vetëm kapela i merrte 15 kute.
Është çështje preference mode) e jo përmase, dhe preferencat varen nga momenti, personi, mundësia ekonomike, rajoni, ndikimet, artizani. Ne, për fat të keq, nuk njohim thuajse asgjë nga jeta personale e heroit: kjo nuk justifikon faktin që duhet të sajojmë apo të spekulojmë mbi disa metafora kronikash dhe fragmente të paqarta dokumentare. Mendoj se asnjeri, i nisur nga një larim i pallatit të Sargonit II të ruajtur në Louvre, beson që përmasat e Gilgameshit ishin të atilla sa ai të shtrëngonte në kraharor me krahun e majtë një luan mashkull të rritur, siç bën në këtë fragment monumenti.
Së dyti, nga rrafshi konceptual, problemi zhvendoset te mekanizmi i përllogaritjes. Njësia matëse venedikase, il braccio, apo kuti, konkretisht për stofin (ndryshonte në varësi të materialit), sipas të dhënave të kohës dhe studimeve më të fundit, ishte jo 58 cm, por 68 cm. Kjo përmbys përfundimin e 2 metrave sepse çdo kut e shton sasinë përfundimtare me nga 10 cm, që do të thotë se në qoftë se Skënderbeu me 522 cm stof ishte i lartë rreth 2 m, njeriu i zakonshëm mesjetar, me 544 cm stof për veshje, e kalon lartësinë dymetroshe të Skënderbeut, kurse ky i fundit i afrohet 2,4 metrave lartësi.
Nuk përjashtohet mundësia që vërtet heroi të kishte këtë përmasë, megjithëse asnjë medievist nuk do ta pranonte kurrë, pasi mungojnë dokumentet, se njeriu i shek. XV ishte rreth 2 m i lartë, por sidoqoftë mekanizmi i përllogaritjes krijon hapësira të tilla interpretimi grotesk. Kjo kuptohet më mirë nga logjika e Ahmetit. Sikur të mos mjaftonte, ai arrin në konkluzionin e 198 cm me një kut prej 79 cm, pra akoma 10 cm më tepër se Valentini – tek i cili ka huazuar përfundimin në fjalë – dhe Frashëri. Duke ndjekur makinën llogaritëse të këtyre dy autorëve, e kështu ka bërë Ahmeti, me një kut prej 79 cm Skënderbeu shkon në 2,7–2,8 m lartësi. Një shifër absurde.
Së treti, analiza që bën Ahmeti ka disa “parregullsi”. Në fillim, duhet thënë që koincidenca e përfundimit të ekuacionit të çuditshëm me 198 cm e deklaruara nga piktori Machiavelli është aq perfekte sa nuk mund të mos ngjallte dyshime. Ahmeti limitohet te përkthimi dhe njësinë matëse e jep me centimetra. Tani, sistemi metrik decimal është dekretuar fillimisht në Francën revolucionare, pas punimeve të komisionit të drejtuar nga Joseph Louis (Luigi) Lagrange: nëse piktori përdor centimetrat në matjen e Skënderbeut, më shumë se sa lartësia e heroit, këtu është zbuluar një dokument i cili vërteton sistemin metrik decimal që në shek. XV (!).
Një problem më vete është përkthimi i Ahmetit. Fragmentin origjinal «perche dixeno che me po esser de braza 16 de veste» ai e shqipëron «pasiqë, sipas pohimit të tyre, nuk më mjaftojnë 16 kutë», ndërsa duhet «sepse thonë se më mjaftojnë 16 kute». Pjesa «nuk më mjaftojnë» është shtuar nga Ahmeti për ta nënvizuar faktin që heroit nuk i mjaftonin 16 kute, duke e transformuar dokumentin. Dhe Ahmeti është bashkëpërkthyes i Illirycum Sacrum e Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të katedrales së Drishtit.
Loja me përmasat dëshmon edhe një herë varësinë e historiografisë sonë nga kulti i heroit: një hero duhet të jetë domosdoshmërish i denjë edhe fizikisht, ndryshe nga mediokriteti i «njeriut të zakonshëm» prej 175 cm. Akoma sot e studiojmë Skënderbeun si hero e jo si njeri. Natyrisht që një qasje e tillë e mban peng kërkimin shkencor si shpata e Damokliut dhe nuk është për t’u çuditur nëse firmosen peticione që pretendojnë paprekshmërinë e kësaj historiografie.
*Ribotohet me shkurtime për postbllok nga vetë autori
** Po japim edhe fragmentin e dokumentit, sipas të cilit Skënderbeu arrin 2 m lartësi:
«Guarda per i panni, i quali me hano promesso de dar do vesti al ano, che me diano le veste, le qual son per mi, chome hano dado a li altri signori, perche dixeno che per me po esser de braza 16 do veste, de che signori guarde quanti brazi de pano me pono essere de veste, tanto me dadi mo, signori, quello che piaze a la vostra signoria, quello farete, quello non me ano dudo».