Në një studim të fundit vihet re se partitë politike shqiptare po shkojnë drejt një klientelizmi politik gati ekstrem. Në komentin që i bën këtij studimi, Afrim Krasniqi nënvizon se: “në Shqipëri dy partitë e mëdha deklarojnë 206 mijë anëtarë, por marrin vetëm 731 mijë vota, së bashku me LSI raporti shkon 3.6 vota për cdo anëtarë partie!” Dhe ky raport në partitë simotra në Europe sipas studimit të mësipërm shkon: “në Gjermani 1 anëtarë partie është baras me 40 vota (CDU), në Britani është baras me 75 vota (Cons), në Itali është baras me 93 vota (Forza Italia)”. Krasniqi e cilëson këtë një deformim politik të demokracisë në Shqipëri, i cili po prodhon një politikë të orientuar dhe të bazuar tek militantizmi. Në fakt, më shumë së “demokraci militantësh” duket sikur, në kontekstin shqiptar, kemi të bëjmë me një “demokraci klienteliste”.
Militantët pa kauzë
Sot në fakt ka qëndrime të ndryshme rreth termit “militant politik”. Politologu i njohur Maurice Duverger e dallon anëtarin e thjeshtë të partisë duke u nisur nga intesiteti i angazhimit të tij gjatë fushatës elektorale dhe organizimeve të ndryshme të karakterit politik. Pra, anëtari i thjeshtë është simpatizanti, i cili mbështet dhe voton partinë e tij politike. Këtë kategori Duverger e quan “masa”, ndërsa “militant” sipas tij, është ai që ka një angazhim më aktiv dhe organizativ. Në ndryshim nga “masa” militantët kanë ndikim dhe rol të rëndësishëm në parti, pasi ata, ndër të tjera, nëpërmjet prezencës së tyre aktive gjatë fushatave elektorale, shpesh përcaktojnë dhe identifikojnë elektoratin e partisë.
Ndërsa për Charles Micaud, militanti politik dallon nga anëtari i thjeshtë më shumë nga indoktrinimi ideologjik se sa nga aktivizmi në kuptimin administrativ dhe organizativ. Militanti, dhe këtu ai i referohet si shembull strukturës së Partisë Komuniste Franceze, është ai i cili beson tek doktrina politike dhe e mbështet partinë e tij duke u nisur nga pikpamja ideologjike. Një ndër veçoritë më të spikatura të militantit, dhe që e dallon atë nga një anëtar apo simpatizant i thjeshtë, është propagandimi i ideologjisë së forcës politike në të cilën ai militon.
Një term tjetër i përdorshëm që shpesh i mvishet termit “militant politik” është dhe ai i “aktivistit politik”. Megjithëse, ky i fundit njihet më shumë në literaturë si dikush që merr një qëndrim publik për një kauzë të natyrës politike nëpërmjet formave jo konvencionale siç është votimi. “Aktivisti politik” e shikon votimin si një formë pasive e cila nuk është e mjaftueshme për të sjellë ndryshim. “Aktivisti politik” merr qëndrime publike nëpërmjet daljes në shtyp, organizimeve publike, mësimdhënies, mediave sociale, studimeve dhe çdo lloj forme tjetër të komukimit publik. “Aktivisti publik” është “militant” i kauzës dhe doktrinës politike dhe jo i partisë politike.
Vota si monedhë
Për t’iu kthyer modelit politik shqiptar referuar gjetjeve të studimit të mësipërm, ai më shumë i ngjan një regjimi të mbështetur në klientelizëm politik. Për të kuptuar më mire këtë situate kemi nevojë për një qartësim teorik të termit.
Jonathan Hopkins bën një pasqyrë të përcaktimeve teorike të cilat shpjegojnë termin “klientelizëm politik”. Sipas tij, historia e këtij termi lidhet me marrëdhënien hierarkike të pronarit dhe klientit në zonat rurale ku “pronari” i siguron “klientit” akses në të mirat bazike materiale dhe ky i fundit, në shkëmbim, i ofron besnikëri dhe mbrojtje. Ky lloj modeli klientelizmi ishte forma e parë e një modeli politik në shoqëritë feudale ku marrëdhënia midis përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit ishte hierarkike dhe mbështetej thjesht në shkëmbim interesash dhe besnikëri.
Gradualisht, me forcimin e partive politike (kjo pas luftës së dytë botërore), këto të fundit zëvëndësuan, njeriun influent të zonës (të fortin) duke sjellë një farë modernizimi apo institucionalizmi të klientelizmit politik. Nën ndikimin e konkurrencës partitë politike, sidomos në Itali, do ofronin shërbime dhe përfitime direkte në shkëmbim të votës. Dhe klientelizmi politik mori një qasje tjetër, nga një klientelizëm i orientuar nga individi (i forti i zonës) në një klientelizëm të karakterit tregtar, ku partitë politike silleshin si biznese dhe votuesit si klientë. Ky lloj klientelizmi politik e kthen garën elektorale në një marrëdhënie tregtare midis partisë dhe votuesit. Ky komunikim politik prodhon një votim që në literaturë njihet si “vota si mjet shkëmbimi” apo “vota si monedhë”.
Pazari i demokracisë shqiptare
Studimi i mësipërm nxjerr në pah një hibrid të formës së vjetër dhe të re të “klientelizmit politik” në Shqipëri, pasi akoma sot kemi parti politike të forta, por dhe individë të fortë në nivel lokal. Jo pa qëllim shohim se numri i klientëve besnikë orientohet drejt numrave që zakonisht i përkasin një familjeje, pasi kjo përkon edhe me kontekstin kulturor shqiptar, ku familja zëvëndëson rolin e shtetit, pra ofron mbrojtje ekonomike dhe fizike.
Duhet cilësuar se në Shqipëri marrëdhënia midis partive politike dhe votuesit sa vjen dhe po komercializohet. Sot zgjedhjet politike janë kthyer në një biznes politik. Kjo u evidentua edhe në zgjedhjet e fundit. Në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje vumë re që tregu politik ishte sofistikuar duke krijuar edhe një bursë të “monedhës politike”. Tashmë dihet pak a shumë sesa është vlera e një vote në zonat rurale dhe sesa është në zonat urbane, apo sesa është në qytetet e mëdha dhe sa është në qytetet e vogla. Megjithëse mungesa e dhunës në këto zgjedhje u përshëndet, askush nuk nënvizoji faktin se kjo mungesë dhune erdhi edhe si rezultat i pazarit me votën. Pra influenca e muskujve u zëvëndësua nga influenca e parave.
Edhe studimi i mësipërm nxjerr në pah se gara e partive politike në fakt nuk është garë programi qeverisës, por një garë e bazuar në skema të sukseshme punësimi për klientët. Koalicionet përcaktojnë zonat duke u nisur nga interesat e bizneseve apo investimeve të cilët i mbështesin. Partitë politike planifikojnë dhe orientojnë fushatat elektorale të “punësimit” në publik bazuar në këto projekte private dhe jo projekte për interesin e gjerë publik.
Deri tani një parti ka arritur të jetë e sukseshme në këtë lloj modeli. Ajo ka arritur të krijojë një klientelë gjithnjë në rritje duke marrë klientë edhe nga partitë e mëdha. Dhe fatkeqësisht ky lloj modeli po tërheq dhe partitë e tjera politike të mëdha apo të vogla. Aktualisht zgjedhjet po zhvendosen nga gara politike në një konkurencë të pastër biznesi. Jo pa qëllim sot dhe në të ardhmen profili i deputetit ka tendencën të shkojë drejt profilit të një biznesmeni apo në një hibridid midis biznesmenit dhe kriminelit. Gradualisht deputeti tregtar po kthehet edhe në deputet infuencues në politikat e partisë nga thjesht financues apo klient që ishte deri dje. Pra, deputeti tregtar është kthyer në një aksioner të partisë politike.
Nëse bisnesmenët politikanë apo politikanët biznesmenë të tranzicionit do të jenë ndërmjetësues të votës së qytetarëve në partitë politike, ata do të përçojnë edhe konfliktet e tyre të vjetra në partitë e mëdha, të cilat aktualisht drejtohen nga një lidership i ri. Dhe kjo pa dyshim do të vijojë shkallën e lartë të devijimit të demokracisë në Shqipëri edhe për një kohë të gjatë. Ky fenomen në mënyrë të pashmangshme do të formësojë gradualisht mini-oligarkët dhe do të konsolidojë oligarkinë e cila, nga privatizimi i partive politike, do të kalojë në monopolizimin e demokracisë.