pb
‘Shkencim’ është një nga prurjet më interesante gjuhësore që publiku shqiptar mund të përftonte nga jehona e promovimit të librit të fundit të Aurel Plasarit, i dalë në treg majin e kaluar. Në një farë mënyrë termi është key word i qasjes së prodhimtarisë librare në Shqipëri dhe natyrisht i kritikës (sidomos i saj) ndaj shkencës. Një libër xhepi i bymyer, nga hard coveri, fonti, marzhet bujare dhe çmimi, i përqendruar në kontekstin e shek. XV, në radhë të parë historiografik, u komentua nga intelektualë me kontribute kryesisht në fushën e letërsisë, e aspak të historisë mesjetare, si Piro Misha, Persida Asllani dhe Agron Gjekmarkaj, mbase ngaqë vetë autori ka veshur rrobën e medievistit duke kaluar përmes përkthimeve, letërsisë dhe eseistikës me sfond historik.
Çdo përpjekje që pretendon t’i ofrohet publikut si reçensë, qoftë në formën e një emocioni (i përzier me ngjitësin shkencor) ftues për lexim, e jo si apologji e librit dhe e autorit, duhet të reflektojë pikësëpari mbi këtë formë të të bërit shkencë. Por kritika në Shqipëri ka vdekur, ose më mirë të themi nuk dihet nëse ka lindur ndonjëherë: regjmi e mohoi, kurse nga rënia e tij lulëzuan serenatat e kakofonitë, si në traditën e viteve ’20-’30. Sot s’ka as kritikë, as reçensë studimesh shkencore, as biografi autorësh, pra asgjë në hapësirën ndërmjet apologjisë dhe denigrimit.
Për ta konkretizuar, portali që nënvizon ‘shkencimin’ e Plasarit përdor edhe këtë kriter: “prania e shumë akademikëve dhe njerëzve të letrave në këtë promovim ishte dëshmi e një simpatie që vepra e Plasarit ngjall në arealin e botimeve shqip”. Pra, meqenëse Mandi i Nishtullës ka 100 milionë klikime në youtube më shumë se Johann S. Bach, kjo e certifikon si artist; me sa kuptohet, shitja e Kodi i Da Vinçit më shumë se kontributi i çdo historiani e bën Dan Brownin ekspertin me ‘E’ të madhe, të artit, të Da Vincit, të Vatikanit etj. E ndryshe nga pjesëmarrësit në sallat e promovimeve, kilikuesit në youtube dhe lexuesit e Dan Brawnit duan ta shpenzojnë kohën dhe pasurinë vullnetarisht, pa ftesa e pa firmosjen e prezencës (miqësore ose solidare).
Kontributi shkencor dhe një ‘shkencues’ nuk maten me audiencë, e akoma më pak me simpatinë e miqve, me hapësirat mediatike, me jetëgjatësinë e karriges, po ashtu as me spërkatjen me citime apo me volumin e bibliografisë. Kështu funksionon në Europë, e cila ishte edhe fokusi kryesor i promovimit.
Meqenëse ndër ‘shkencimet’ e Plasarit është cituar edhe përmbledhja e tre eseve, Rrëmbimi i Europës, mund ta shohim nga afër profesionizmin shkencor të autorit. Ashtu si në librin e fundit, fiksimi mbi përplasjen e qytetërimeve dhe hendeku mes tyre (i amplifikuar nga fetë) i dominojnë esetë në fjalë. Ja si shprehet autori:
Rreth kësaj ngrehine [krishtërimit] u patën mobilizuar mijëra kalorësit e nisur për të çliruar Tokën e Shenjtë. Me fjalë të tjera, një “patriotizëm europian” ishte lindur dhe qe kristalizuar rreth idesë se krishterë […]. Qysh prej uljes së ngrehinës së Krishterimit mesjetar, popujt e Europës kanë parë se ideali europian është zbythur ndjeshëm […]. As fondi i kulturës humaniste i trashëguar nga Iluminizmi, as shfaqja e një rreziku të përbashkët në kulmin e konfliktit Lindje-Perëndim, as interesat e vënë në lojë nga BE-ja, nuk kanë qenë në gjendje ta ngjallin një “vrull patriotik europian. Dhe nuk ka gjasa që një kësi vrulli ta ngjalle ideja e një Europe kozmopolite (Plasari 2005: f. 36).
Në thelb Europa e Plasarit nuk është iluministe (mendim), kulturore (art, shkencë), ekonomike (industrializim, teknologji), politike (demokraci), por fetare dhe e ngërthyer me kulmin e agresivitetit. Autori bën të tijat ide të margjinalizuara dhe fton në një ideal europian mesjetar, që për fatin e njerëzimit Europa e sotme nuk e konsideron si zgjidhje kundër antieuropës, në të cilën zien dëshira e një reagimi të tillë europian. Ndër elitat tona thjesht konfirmohet pozicioni periferik dhe i fosilizuar në Mesjetën e luftërave fetare.
Ky sidoqoftë përfaqëson mendimin, ndërsa ‘shkencimi’ është diçka tjetër. Le të marrim një shembull nga i njëjti libër, ku autori përmbledh diferencat mes dy qytetërimeve antagoniste në sjelljen e Emin Pashait:
Pa hyrë në ballafaqime vlerash, për të krijuar vetëm njërin prej dallimeve themelore mes tyre [qytetërimeve] […], po ripërmend një “ndodhi orientale” prej Kujtimeve të Emin-pashës gjatë “revolucionit mahdist”. Njerëzit e pashait kishin kapur një pëllumb shtegtar me një pusullë të lidhur në këmbëz dhe ia kishin sjellë atij. I sigurt që pusulla duhet të përmbante ndonjë sekret nga kampi i armikut, pashai bëri urdhër t’i sillnin një prej robërve dhe e vuri ta lexonte. Robi lexoi se një aksh kopsht zoologjik i lutej atij që do ta kishte kapur ose vrarë pëllumbin të kishte mirësinë t’i njoftonte vendin, datën dhe orën kur kjo kishte ndodhur. Duke pandehur se robi po tallej me te, pashai bëri zë t’i sillnin një rob tjetër […]. Përfundimi ishte i njëjtë. Atëherë pashai thirri se, ndonëse e kishte ditur që kaurët ishin idiotë, kjo idiotësi i dukej se ua kalonte gjithë të tjerave. Këtu njëri prej robërve mund t’i kishte vënë në dukje pashait të nderuar se ata “kaurët idiotë” me kureshtjen e tyre gati-fëminore qenë megjithëkëtë zbulues dhe shpikës shumë gjerash të tjera që ai vetë i mbante të dobishme […]. Në vend të tij do të kujtoj unë se pikërisht falë kureshtjes gati-feminore të do “kaurëve idiotë” […] u realizua në Kohën moderne përparimi i papërfytyrueshëm, fjala vjen, i elektronikës, shkencës me zbatim në të gjitha hapat e jetës sonë të sotme, deri te mundësimi i përhapjes së dokrrave të nip-stërnipërve të Emin-pashës (Po aty, f. 29-30).
Duke anashkaluar fjalinë e fundit – që duket e shkruar në vitet ’20 – ku Plasari rreket të tregojë se prodhuesit e elektronikës janë më parë njerëz të fesë se sa të shkencës, Emin Pashai del si njeri arrogant, përçmues, i izoluar dhe injorant. Në të vërtetë personazhi që Plasari e zgjedh për ambasador të një qytetërimi quhej Isaac (Eduard) Schnitzer. Ai Lindi më 1840 në Oppeln, në një familje hebrenjsh, dhe u pagëzua në protestant (1846). U diplomua për mjekësi në Breslavë dhe u vendos si mjek pranë Ismail Haki Pashait (në territoret shqiptare të Portës). Në njërën prej lerave (1871) saktëson se është integruar më së miri në kulturën osmane, ka ndryshuar emrin, por nuk është bërë turk. Vite më vonë ai shfaqet entuziast për misionin e kishës në territoret që administronte në Sudan dhe i ofron një ndihmë të vyer ekspeditës misionariste. Në Sudan vendoset si mjek (1875-6), në shërbim të gjeneralit britanik Charles Gordon Pasha, i cili e ngriti në rang guvernatori të provincës së Ekuatorias (1882), tre vite pasi kishte marrë titullin Bej. Sukseset e “revolucionit mehdist”, vrasja e gjeneralit Gordon Pasha dhe rënia e Hartumit e izoluan guvernatorin dhe e detyruan të kërkonte ndihmën europiane. Ekspedita shpëtimtare (1886-‘89) e drejtuar nga eksploratori i famshëm Henry Morton Stanley u subvencionua nga Leopoldi II i Belgjikës (i cili synonte të merrte Kongon). Pas afrimit me Kompaninë Gjermane të Afrikës Lindore, përpjekjeve për t’i shërbyer interesave koloniale të Rajhut, për të cilat u vlerësua në Perandorinë gjermane, dhe disa aventurave të tjera eksploruese, Emin Pashai vdiq i vrarë nga tregtarë myslimanë skllevërish (1892, Kongo).
Dr. Schnitzeri ishte kluturalisht europian, i kaluar nga një fe në tjetrën brenda kontinentit, një erudit i kohës së tij, në udhëkryq të interesave të fuqive europiane, që gjatë “revolucionit mehdist” u gjend në luftë me lëvizjen islame të Mehdiut sudanez. Duke mos qenë oriental e injorant – njohës i mirë i disa gjuhëve, mjek, botanist, zoolog, ornitolog, antropolog, gjeograf, eksplorator –, Pashai ia përmbys Plasarit edhe krahasimin.
Secili është i lirë ta simpatizojë këtë ‘shkencim’, po atëherë çfarë është ‘joshkencimi’? E nëse ky ‘shkencim’ mbledh kaq intelektualë sallonesh dhe kjo ‘etikë’ meriton kaq apologji, jemi të destinuar ta shohim Europën me dylbi për së prapthi e t’ia vëmë fajin dylbive sepse ‘mall turk’.