Qartësia është miku më i mirë i konservatorëve.
Nëse shumica e amerikanëve do të ishin të qartë për dallimet mes të majtës dhe të djathtës, nuk do të votonin për demokratët në shifrat që votojnë. Të majtët e kuptojnë këtë, prandaj pjesa më e madhe e retorikës së tyre sulmon karakterin e konservatorëve – “seksist”, jo tolerantë”, “fanatikë”, “urryes”, “ksenofob”, “racistë”, “islamofobë”, “homofobë” – dhe jo qëndrimin e konservatorëve. Duke u fokusuar te konservatorët si njerëz dhe me karakterizimin e tyre si të këqij, e majta e largon me sukses vëmendjen nga qëndrimi i konservatorizmit.
Kjo më nxit të shpjegoj dallimin e majtë-e djathtë Nr. 5: Si e shikon e majta dhe e djathta rolin e shtetit (ose qeverisë).
Ky është një dallim kaq i rëndësishëm sa mund të jetë një dallim përcaktues mes të majtës dhe të djathtës. Pa besimin në një shtet gjithnjë në zgjerim, nuk ka të majtë. Pa besimin në një qeveri të kufizuar, nuk ka konservatorizëm. Prandaj, të kuptuarit e këtij dallimi është me rëndësi thelbësore që të gjithë njerëzit të dijnë nëse qëndrojnë djathtas apo majtas.
E majta beson se shteti duhet të jetë fuqia më e madhe në shoqëri. Duhet të jetë në kontroll të arsimimit të gjithë fëmijëve; duhet të ofrojnë shërbim shëndetësor për të gjithë qytetarët e tij; dhe duhet të mbikëqyrë thuajse të gjitha fushat e tjera të shoqërisë. Nuk duhet të ketë fuqi konkurruese. Sa për pyetjen kyç se sa e madhe duhet të jetë qeveria e madhe, nuk kam takuar kurrë një person të majtë që të më japë një përgjigje.
Konservatorët besojnë se komponenti kryesor në një shoqëri të mirë është individi, jo qeveria. Roli i qeverisë në shoqëri duhet kufizuar te nevojat absolute si mbrojtja kombëtare dhe funksioni si burim i zgjidhjes së fundit për qytetarët që nuk mund të ndihmohen nga qytetarë të tjerë ose organizata private apo bamirëse që dhurojnë para dhe kohë.
Konservatorët e dinë se ndërsa rriten përmasat dhe pushtetit i qeverisë, ato që vijojnë do të ndodhin pashmangshmërisht – po, pashmangshmërisht:
- Do të ketë korrupsion në përmasa të gjera e në rritje. Pushteti dhe paraja prodhojnë korrupsion. Njerëzit në qeveri do të shesin influencë për përfitim personal. Kjo është e vërtetë për Amerikën siç është dhe për Afrikën dhe Amerikën Latine, ku korrupsioni qeveritar është faktori i vetëm kryesor që nuk i lë këto vende të përparojnë materialisht.
- Liria individuale (jashtë sjelljes seksuale dhe abortit) do të pësojë rënie. Liria është më pak e rëndësishme për të majtën se për të djathtën. Ky nuk është as opinion as kritikë. Është logjikë e thjeshtë. Sa më shumë kontroll të ketë qeveria mbi jetën e njerëzve aq më pak liri do të kenë ata. Sa më e madhe qeveria, aq më i vogël qytetari.
- Shtetet ose do të kufizojnë madhësinë e qeverisë së tyre, ose më në fund do të shkërmoqen ekonomikisht. Çdo shtet social është një piramidë, mbështet te kreditorë të rinj që të paguajë kreditorët e vjetër. Si çdo piramidë, kur nuk ka më kreditorë të rinj, piramida falimenton. Shtetet evropiane, të gjitha shtete sociale, po e provojnë këtë problem tashmë, secili në masë të ndryshme.
- Taksat ngrihen vazhdimisht me qëllim që të paguajnë qeverinë në zgjerim të përhershëm. Por në një nivel të caktuar taksimi, prodhuesit e pasurisë së shoqërisë do të ndalojnë punën, do të punojnë më pak, do të punësojnë më pak njerëz ose do t’i zhvendosin bizneset jashtë vendit.
- Shteti i madh prodhon pashmangshmërisht një deficit të madh – dhe në fund të papërballueshëm. Kjo është thjesht logjike. Sa më shumë shteti shpërndan para – punonjësve të shtetit si rroga dhe pensione; agjencive shtetërore (arsim, mjedis, energji, transport dhe një radhë të tjerash); dhe qytetarëve (grante të përmuajshme sociale, rimbursim qiraje, arsim, ushqim, etj) – aq më shumë do të kërkojnë të gjithë: agjencitë shtetërore dhe individët që marrin para nga qeveria. Askush prej tyre nuk ka thënë ndonjëherë “Jo, nuk i dua, faleminderit. Kam e më mjaftojnë.”
Borxhi i pashlyeshëm i Greqisë është vetëm fillimi. Nëse qeveria e madhe nuk zvogëlohet, ajo do të shembet nga pesha e saj – me pasoja të tmerrshme sociale dhe ekonomike.
- Shekulli i 20-të ishte shekulli më vrasës në histori. Rreth 200 milionë njerëz u vranë, shumica dërrmuese tyre jo në betejë, dhe më shumë se një miliardë njerëz u skllavëruan nga regjimet totalitare. E kush i bëri gjithë këto vrasje dhe skllavërime? Qeveria e madhe, në çdo rast. Sa më a madhe qeveria, aq më madhe mundësia për të bërë të këqija të mëdha. Njerëzit e këqij pa pushtet mund të shkaktojnë veç dëm të kufizuar. Por kur individët e këqij kontrollojnë një qeveri të madhe, e keqja që ata mund të shkaktojnë është e pakufizuar.
- E fundit, ndikimi moral i qeverisë së madhe mbi qytetarët është i shpifur. Njerëzit jo vetëm që heqin dorë nga kujdesi për të tjerët – tek e fundit, ata e dinë që do të kujdeset qeveria – por ata heqin dorë dhe nga kujdesi për veten. Dhe sa më shumë ata fillojnë të varen nga qeveria, aq më shumë ata zhvillojnë një ndjenjë përkatësie, që pastaj çon te një shtet mosmirënjohësish.
Përveç sa më sipër, qeveria e madhe është e mrekullueshme. Shikoni Greqinë, ose Porto Rikon, ose Detroitin! Pa qenë nevoja të përmend Bashkimin Sovjetik, Korenë e Veriut ose Kinën e Maos.