Brendan O’Neill
Spiked
Gjëja me çuditshme pas referendumit irlandez mbi martesat gej është se kaq pak njerëz flasin për to. Mes përshëndetjeve gati globale që shoqëruan votimin në favor të martesave gej, nuk pati thuajse asnjë koment mbi institucionin e martesës. Sigurisht, pati disa propozime martesore në Dublin përballë kamerave të lajmeve, dhe konkluzioni i një raporti të BBC na informoi se martesat e para gej në Irlandë do të bëhen (në vjeshtë). Por duke pasur parasysh që ky referendum kishte të bënte me hapjen e një institucioni social ku homoseksualëve iu ishte ndaluar me sa duket hyrja brutalisht, mungesa e diskutimit pas referendumit për martesat aktuale ishte vërtet për t’u shënuar.
Në vend të thoshin “Më në fund mund të martohemi”, reagimi më i shpeshtë ndaj rezultatit të referendumit nga udhëheqësit e fushatës Pro dhe ushtria e konsiderueshme e përkrahësve të tyre në media dhe klasën politikën ishte: “Homoseksualët më në fund janë vlerësuar”. Përgjatë gjithë spektrit [politik], nga mbretëreshat dragua që udhëhoqën lobin Pro te politikanët e djathtë që i mbështetën, gjithë fjalimet ishin “për njohje”, jo martesë. Zëvendëskryeministrja e Irlandës, Joan Burton, tha se vota Pro ishte për “pranimin në vendin tuaj”. Në një artikull në Irish Examiner, një psikoterapisë tha se “referendumi ishte për barazinë më shumë se martesën… ishte për vlerësimin dhe pranimin e plotë [të homoseksualëve]”. (Që nënkupton se industria psikoterapike e Irlandës ka luajtur rol kyç në mbështetjen e fushatës Pro.) Kreyministri Enda Kenny tha gjithashtu se referendumi ishte më shumë se martesa – ishte çështje e “realizimi të shpresave thellësisht personale dhe të brishta” [të homoseksualëve]. Ose, sipas fjalëve të shkrimtarit Joseph O’Connor, vota Pro ishte një akt “empathy shoqërore” me një fragment të popullsisë.
Fushata zyrtare Pro shkoi deri aty sa ta përshkruante votën Pro si shtysë për shëndetin dhe mirëqenien e gjithë qytetarëve irlandezë, sidomos të homoseksualëve. Një zëdhënës tha se “efekti i barazisë ligjore shkon përtej letrës së ligjit… hyn në jetën tonë të përditshme dhe bashkëveprimi ynë me të tjerët”. Duke “përqafuar” homoseksualët, Irlanda kishte “përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë”. Shkurt, rezultati pro i bëri njerëzit të ndiheshin mirë. Një shkrimtar i Irish Times i përshkroi “hijen e mërzisë” të miqve të tij homoseksualë para referendumit, si “një ndjenjë që ata ndiheshin inferiorë”, dhe ai pretendoi se fitorja Pro ua konfirmoi më në fund që ata gëzojnë “përkrahjen, mirësinë dhe respektin” e shoqërisë. Fintan O’Toole tha se fitorja Pro i bëri homoseksualët “të pranuar plotësisht”.
Dhe ju kujtonit se referendumi ishte për martesat gej? Sa gabim! Gjithë komentet se si ishte referendumi “për më shumë martesa”, si shkoi “përtej letrës së ligjit” për të prekur diçka më të thellë, diçka psikike, konfirmon që fushata për martesat gej nuk kërkon arritjen e barazisë shoqërore – jo, ajo ka të bëjë me barazi respektimi, që është diçka e ndryshme.
Marshimi i martesës gej ka një marrëdhënie më të fortë me kulturën e re të terapisë, dhe nevojën për njohje, sesa me idealin më jetëgjatë të barazisë ligjore dhe nevojën për të drejta. Ajo që kërkohet këtu nuk është e drejta për t’u martuar, por vlerësimi kulturor dhe shoqëror e mënyrës së jetesës së dikujt – “empathy shoqërore” – veçanërisht nga shteti. Ajo që kemi parë në Irlandë nuk është një agim i ri i barazisë sociale, por zgjerimi i mëtejshëm i vlerës së barazisë kulturore, dhe kjo nuk është hiç pozitive.
Fokusimi i Irlandës te njohja më shumë se të drejtat, dhe kremtimi i martesave gej si mjet për njohjen e ndjenjës së vlefshmërisë së personave homoseksualë, ngjan me diskutimet për martesat gej në gjithë shtetet perëndimore. Gjuha e përdorur vazhdimisht ka qenë ajo e terapisë dhe jo autonomisë. Në esenë e saj të shkëlqyer të vitit 2014, “The liberal case against gay marriage” [Argumenti liberal kundër martesave gej], Susan M Shell vëren mënyrën që agjitatorët e hershëm të martesave gej ishin së pari të shqetësuar për “çlirimin e ankthit të të rriturve”, ajo që disa prej tyre i referoheshin si “frika elementare” e të mos qenin “të vlerësuar”. Aktivistët flisnin se si “mungesa e njohjes ligjore [për lidhjet tona] na bren gjithnjë e më shumë”. Në fjalët e autorit të The Politics of Same-Sex Marriage (2007), së pari aktivistët duan “aprovimin e marrëdhënieve tona intime nga shteti”. Kërkimi për miratim shtetëror, për njohje të jashtme, është ndjerë në reagimin ndaj referendumit irlandez. “Vendi im e ka pranuar që ne ekzistojmë,” tha një biznesmen irlandez.
Ajo që kemi këtu nuk është politika e autonomisë, por politika e identitetit. Politika e autonomisë kërkonte largimin e shtetit nga jeta e homoseksualëve – si në rastin e protestuesve të Stonewall që përzunë policët nga baret [gej] ose Peter Tatchell që kërkoi prishjen e gjithë ligjeve që ndalonin veprimet homoseksuale – politika e identitetit i bën thirrje shtetit të ndërhyjë në jetën e homoseksualëve, t’u ofrojë njohje, t’i aprovojë.
Gjatë pjesës më të madhe të viteve të fundit, aktivistët radikalë të të drejtave të homoseksualëve në thelb thoshin “Nuk kemi nevojë për aprovimin e shtetit të jetojmë sipas mënyrës që zgjedhim vetë”; tani, në fjalët eksplicite të The Politics of Same-Sex Marriage, kërkohet “aprovimi i shtetit për marrëdhëniet tona intime”. Ngritja e çështjes së martesave gej gjatë 10 viteve të fundit flet, thellësisht, për pakësimin e kulturës së autonomisë, dhe zëvendësimin e saj me një kornizë kulturore më të pasigurt, më nervoze, e cila kërkon vazhdimisht vlerësimin e mënyrës së jetesës nga entitete të jashtëm. Dhe shteti është shumë i lumtur të luajë rolin e tij autoritar si aprovues i mënyrës së jetesës, si dëshmi në komentin arrogant (por gjerësisht të respektuar) të Enda Kenny-s për homoseksualët irlandezë që, më në fund, të realizojnë “shpresat thellësisht personale dhe të brishta”.
Ajo që kërkohet përmes martesave gej nuk është sigurimi i të drejtave, por shtimi i respektit. Dhe kjo është një problem për ne që besojmë te liria. Ngaqë aty ku format e barazisë shoqërore pozitive, të vjetra, ishin një përmbushje ligjore e ngushtë, të shqetësuara, ose thjesht për heqjen e ligjeve diskriminuese ose për miratimin e ligjeve që ndalojnë diskriminimin në punë ose sferën publike, barazia kulturore është shumë më shumë… kulturë; pamje e përgjithshme; madje dhe sjelljet e njerëzve. Ajo nuk është e kënaqur vetëm me krijimin e ligjeve kundër diskriminimit dhe pastaj t’i lërë njerëzit të vazhdojnë jetën e tyre; më tepër ajo është e orientuar nga ndryshimi i klimës kulturore, diskutimit, mënyrës si njerëzit shprehen në marrëdhënie me grupe të caktuara. Duke përdorur saktësisht fjalët e fushatës Pro, kjo “shkon prej letrës së ligjit”.
Padyshim që është çështje e shoqërisë të sigurojë barazi shoqërore për homoseksualët, që ata të jetojnë siç u pëlqen pa u persekutuar apo ofenduar. Po a është detyrë e shoqërisë të garantojë barazinë e respektit për homoseksualët? Që ata të ndihen mirë? Që ata të ndihen të vlerësuar dhe të respektuar? Unë do thosha jo, sepse atëherë ne e ftojmë shtetin, jo vetëm që të heqë barrierat për përfshirjen e homoseksualëve në jetën publike, por të ndërhyjë në nivel më psikik, në jetën e homoseksualëve, me qëllim që të ofrojnë “aprovim për marrëdhëniet e tyre intime”, si dhe të ndërhyjë në jetën e të tjerëve, me qëllim që të monitorojë refuzimin e tyre për të vlerësuar mënyrën e jetesës së homoseksualëve duke imponuar detyrimin t’u ofrojnë atyre “përkrahje, mirësi dhe respekt”.
Kjo është arsyeja pse kemi parë, në shumë vende perëndimore, fenomenin e çuditshëm të “tortës gej”,[i] ku gjithnjë e më shumë aktivistët gej shkojnë me qëllim në ëmbëltore tradicionale (dhe biznese të tjera) dhe kërkojnë shërbime për dasma gej. Qëllimi i kësaj forme persekutimi fetar është të zbulojë dhe ekspozojë ata persona, sjellja e të cilëve nuk është përmirësuar nga zbatimi i barazisë së respektit, i mbrojtjes së ndjenjave, për homoseksualët. Që barazia kulturore synon, jo vetëm ndryshimin e ligjeve, por edhe riformësimin e kulturës e madje vetë besimin, është e qartë nga tendenca në rritje e ofendimit të atyre që nuk përkulen para altarit të martesave gej. Joan Burton e bëri të qartë se kjo tendencë do të intensifikohet në Irlandë, kur tha se nuk do të ketë “klauzolë ndërgjegjeje” në Irlandën e Re: do të jetë e patolerueshme, tha ajo, “përjashtimi i disa njerëzve ose institucioneve nga veprimi i barazisë martesore”. Që do të thotë, të gjithë duhet të jenë dakord, të gjithë duhet të marrin pjesë; nuk mund të ketë hapësirë për ushtrimin e ndërgjegjes individuale, kur bëhet fjalë për krijimin e një klime të re kulturore.
Ajo çfarë qartëson rasti Irlandës është se martesa gej nuk ka të bëjnë hiç me lirinë. Prezantimi i kësaj çështjeje si liberale, ose libertariane madje, është krejt e pavërtetë. Sepse, realisht, martesa gej zgjeron masivisht autoritetin e shtetit në jetët tona të përditshme, në marrëdhëniet tona më intime dhe mbi ndërgjegjen tonë madje. Ajo e bën shtetin aprovues në pranimin e marrëdhënieve intime, ofruesin e fundmë të vlerësimit të zgjedhjes sonë në mënyrën e jetës, ndërsa i jep fuqi të ruajë sjelljet tona kulturore dhe ndërgjegjen e atyre me bindje më tradicionale dhe më fetare. Kjo është keq për homoseksualët, sepse i redukton ata, sipas Kenny-s, në krijesa “të brishta” që kërkojnë njohje të vazhdueshme nga të tjerët; dhe është keq për ata që nuk ndihen rehat me martesat gej, përderisa kjo kufizon mundësinë e tyre të veprojnë në përputhje me ndërgjegjen e tyre. Kthimi i shtetit në rolin e vlerësuesit të intimiteteve tona dhe rolin e policit për pamjen tonë morale është një lojë e rrezikshme.
Kjo shpjegon gjerësisht pse çdo krah i shtetit irlandez përkrahu martesën gej, nga policët, të cilët valëvitën krenarë flamurin e ylbertë, te të gjitha partitë politike, sektori publik, establishmenti shëndetësor dhe kulturor. Kjo ndodhi sepse ata e kuptojnë, në mënyrë instiktive, se ndryshe nga çdo kërkesë tjetër për liri ose barazi në kohët moderne, fushata për martesat gej nuk e kërcënon hiç autoritetin e tyre – përkundrazi, e zgjeron atë, në atë masë që dhe më autoritaristët mes tyre vetëm e kanë ëndërruar. Çuditërisht, Fintan O’Toole e përshëndeti rezultatin e referendumit duke thënë se “Irlanda e kishte hedhur pas krahëve tolerancën”, me të cilin nënkuptonte që Irlanda e re inkurajon në mënyrë aktive “respekt”, jo “thjesht tolerancë”, për grupet minoritare. Ai ka të drejtë, por jo në mënyrën që e mendon ai: era e re e monitorimit shtetëror të barazisë kulturore, e zgjerimit të shtetit në më shumë zona të jetëve tona intime dhe bindjeve morale, vërtetë do të nënkuptojë që Irlanda po e hedh tolerancën mbrapa, dhe duket e vendosur të bëhet një vend më pak tolerant.
*Brendan O’Neill është kryeredaktor i spiked.
[i] Në disa raste, në SHBA dhe Europë, aktivitët gej kanë shkuar në dyqane ]mbëlsirash, kanë porositur një tortë për dasma gej dhe kanë kërkuar zbukurime në përputhje me rastin. Kur pronarët kanë refuzuar tëm shërbejnë, aktivistët gej i kanë paditur në gjykatë.