Qëndrimet qesharake të liderëve të BDI-së së Ali Ahmetit lidhur me publikimin e disa përgjimeve nga shefi i opozitës, Zoran Zaev, ku ata shfaqen hapur në dëm të dinjitetit të shqiptarëve, kanë sjellë në qendër të vëmendjes rëndësinë e një bashkëpunimi të domodoshëm mes komunitetit shqiptar në Maqedoni.
Payshim që, nëse do të kishim të bënim me një funksionim të demokracisë në Maqedoni, një respektim të Marrëveshjes së Ohrit nga Gruevski dhe i gjithë faktori politik atje, kërkesa për një bashkim të ri të shqiptarëve në një forcë lëvizëse do të ishte e pavend, do të ishte një hap prapa në fnksionimin demokratik. Kjo pasi për funksionimin e një shteti të përbashkët duhet të kemi jo konkurrim mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por një konkurrim politik ku shqiptarë e maqedonas së bashku i përkasin njërit apo tjetrit krah politik, siç ndodh rëndom në çdo shtet me demokraci funksionale.
Mirëpo, duke parë se partia më e votuar shqiptare, BDI, në këmbim të koalicioneve të shkuara, të tashme, e me gjasë edhe të ardhshme, ra dakort të heshtë për rastin “Monstra” apo shkelje të tjera që u janë bërë shqiptarëve, atëherë natyrshëm shqiptarët duhet të hedhin sytë nga diçka që do të kapërcente këtë raport që shpërfill elementin shtetforumues të tyre.
Në pamje të parë, duket sikur ka ardhur koha për të diskutuar mbi atë që Partia “Besa” e konsideron si “Ridefinim”. Por a është i nevojshëm një riorganizim për një ridefinim? Dhe për çfarë duhet ky? Për të riparë bazat e shpalljes së shtetit të ri më 1992 apo të Marrëveshjes së Ohrit më 2001? Eshtë i nevojshëm një “ridefinim” i asaj që shqiptarëve u takon, apo një ridefinim i vetë elemetit shqiptar për të marrë në dorë përgjegjësitë e bashkëpunimit në funksion të ngritjes së një shoqërie demokratike?
Reagimet e Ali Ahmetit pas publikimit të përgjimeve, apo prezenca e Menduh Thaçit në tryeza ku pranohet të heshtet për atë çfarë u ka ndodhur shqiptarëve, sidomos në dhunimet e hapura, rikthejnë nevojën për një ridimensionim të faktorit shqiptar me qëlllim që gjithkush nga shqiptarët që jeton në Maqedoni, të ndjejë lirisht aksesin që ka një nënshtetas në vendin e tij për punësim, shkollim dhe biznes.
Përfaqësuesit e sotëm shqiptarë nuk kanë mundur dot të jenë avokatë të mirë të asaj që u nënshkrua 14 vite më parë në Ohër. Ajo kornizë thuajse është shkërmoqur nga mungesa e dinjitetit të vetë shqiptarëve, ndërkjohë që Gruevski veçse ka fërkuar duart, duke patur si vizion dëshirën meskine të disa bashkëqytetarëve të vet për të parë shqiptarët të poshtëruar, e jo të sillet si një burrë shteti për të çuar vendin e tij drejt një demokracie funksionale ku të gjithë duhet të bashkëjetojnë normalisht.
Ndërkaq, në një rrugëtim të “ridefinimit” duket se e vetmja gjë që ka kuptim është rikthimi i një debati lidhur me mundësinë e praktikimit të “Marrëveshjes së Ohrit”. Për këtë duhet bashkëpunim dhe ftesë, jo vetëm për faktorin shqiptar, por edhe për të gjithë ata maqedonas që besojnë se bashkëjetesa me shqiptarët, se aksesi i tyre në vendimarrje, në institucione, në jetën e përdtishme, është në të mirë të shtetit të tyre.
Askush nuk mund të bëjë naivë shqiptarët për atë që u takon dhe askush nuk mund të legjitimojë Gruevskin apo edhe të tejerë që, përmes mekanizmave qesharakë, të krijojë një përçarje që e kthen vendin shumë kohë pas, kur nuk kish asnjë marrëveshje të denjë, e kur tryeza e vetme mbeti fushëbetja.
Parë në këtë kontekst, “Besa” apo kushdo forcë tjetër, që kërkon një bashkejetesë dhe funksionim demokratik në Maqedoni, duhet të gjejë rrugët që të rikthejë dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve. Kushti i vetëm ndaj kujtdo maqedonasi që i bashkangjitet kësaj përpjekje duhet te jëtë debati i hapur publik mbi atë që është konsideruar si marrëveshja që bën shtet të përbashkët, siç është Korniza e Ohrit. Kjo edhe për faktin se, humbja e dinjitetit të shqiptarëve varfëron edhe vetë maqedonasit, që më pas do të jenë veçse marioneta në duart e ultranacioalistëve, ku humbasin të gjithë dhe fiton veçse regresi dhe krimi.