pb
Gjatë vizitës së fundit në Shkodër ambasadori amerikan Donald Lu bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime, mos-shitjen e votës dhe nevojën e pastrimit të listave nga eksponentë të krimit. Do të ishte më e besueshme sikur nganjëherë Lu të citonte ndonjë emër, e nganjëherë tjetër të shpjegonte përse është i shqetësuar nga shitja e votës. Sepse në qoftë se është verifikuar si fenomen, përveç dy koalicioneve të zgjedhjeve të kaluara matematikisht nuk ka blerës të tjerë. Atëherë si na qenka moment historik kandidimi i dy femrave të këtyre koalicioneve që blejnë vota?
Në Shkodër ka edhe një kandidat të tretë, mashkull dhe jashtë forcave me potencial blerës, por duket se interesi i ambasadës shkon drejt rozës, sikur të jesh femër në politikën shqiptare është në vetvete garanci e jo makijazh i kësaj kaste me tregti votash, kriminelë e manipulues të sprovuar. Në thelb, ambasadori kërkon të votohet vetëm njëra prej dy femrave. Të ishte ndonjë anëtar i LGBT-së kandidati i tretë, me siguri Lu-ja do kish ardhur nga Tirana me biçikletë për ta mbështetur.
Edhe mediat i shkojnë nga pas këtij ndryshimi të tregtuar si i pa parë. Shkodra po paraqitet si risi, megjithëse aty kanë sunduar femra si Teuta e Jozefina, dhe rezultatet, përveçse me gjurmë në histori, janë lehtësisht të prekshme teksa materializohen nga pusetat e unazës së qytetit apo te ndonjë ndërtim i familjes Topalli-Çoba në pedonale.
Voltana Ademi ofron vijimësinë, përveç premtimeve elektorale, që mund të ilustrohen në mënyrë brilante me të ashtuquajturën ‘pedonale’, e cila i shërben këmbësoreve (ndryshe pedonë-ve, sepse vdesim për një çikë italian-llik) për foto ose përfshirje në xhirime reklamash, pasi është e tejmbushur me karrige mejhanesh dhe makina, që teorikisht ia fshijnë kuptimin termit ‘pedonale’. Ky është rezultati i një klase politike të fosilizuar prej 25 vitesh, ndryshimi i së cilës duhej të ishte prioritet absolut dhe i shprehur qartë në premtimet e kandidates Ademi. Këtë presin njerëzit. ‘Spastrim për frymëmarrje’, mund të ishte motoja e Ademit.
Keti Bazhdari ofron spektakël, duke filluar nga shpjegimi i mos vazhdimit të studimeve në Romë (1998) me mallin për atdheun. “Sti cazzi!”, do të thonin në Romë: nga atomet te ndërmarrja e brekëve. Vajza e një ish të përndjekuri politik, të cilin lënia e dinjitetit në burg e ka bërë aleat me vrasësit, Keti, shembulli i kapitalizmit pa dinjitet (me emrin fason), ka zbuluar prej vitesh socializmin dhe premton ta drejtojë Bashkinë ashtu si sipërmarrjen e saj, pra si diçka private. Kështu u thoshte edhe Silvio Berlusconi italianëve. Shkodranët pra duhet të mësohen me transformimin në ‘rrobaqepëset e Bazhdarit’, që kapitalistja socialiste paguan me rroga mbijetese dhe në vend të të drejtave ofron detyrime, pa çka se shpalos një çmim filantropie, i cili për vetë mënyrën e publicitetit ka vetëm nuanca promovimi, që romakët e lashtë quanin evergjezi. Pastaj, edhe Pablo Escobar ka qenë i famshëm për filantropi.
Por të paktën Keti i ka dhënë mundësi Ramës të mënjanojë modelin politik-bërës Doshi. Ajo është e sinqertë si në njësimin e publikes me privaten, aty ku PD-ja e Shkodrës nuk ka rivalë, ashtu edhe në mos-koherencën e saj, të shprehur më së miri nga aleanca me LSI, që deri para pak kohësh ajo dhe eprorët në PS e kishin shënjestruar si shfaqje e djallit. Në fakt LSI nuk është djalli, por vetëm mishërimi i mbijetuar i kunetërve të Rozafës, të cilët ne pasardhësit (e ilirëve) i kemi në mitin e themelimit, e me sa duket do të na shoqërojnë përjetësisht. Natyrisht, jo se kolegët e tyre nuk janë të të njëjtit gen. Sidoqoftë, ndër tre, dy mashtrues nuk janë pak.
Duke qëndruar në krah të kunatave, Lu-ja iu drejtua pikërisht Rozafës: “mos e shit votën”, “mos rri indiferente”, sakrifikohu. Përsëri? Po deri kur? Që të sundojnë të zakonshmit? Për sakrificën e radhës, ambasadori nuk ofroi shpërblim të ndryshëm nga shija e njohur. Asgjë përtej bojatisjes dhe joshjes nga të brendshmet. Kur ndodhesh i zhytur deri në fyt, kur aty regjesh prej dekadash dhe kur shpresa të serviret nga ata që janë bashkëfajtorë në vrasjen e saj, ajo dilema “më mirë vezën sot apo pulën nesër” kthjellohet menjëherë: më mirë thesin e miellit sot, se nesër një kërkesë për azil politik e kam të sigurt. Një punëtor i fabrikës së këpucëve, bashkë me 2000 kolegë-votues të tjerë, kur sheh pronarin të bëhet prefekt qarku e ka të pamundur të sakrifikojë vendin e punës për idealet e Tomas Jefferson-it të komentuara nga një ambasador simpatik. Natyrisht, s’e lu topi që teorikisht Lu-ja ka të drejtë.