Hugo Dixon
Reuters
Mundësitë e Britanisë për dalë nga Bashkimi Europian do të varen nga rezultati i zgjedhjeve të muajit të ardhshëm. Por paraqitet një rrezik kompleks, duke parë mundësinë e përkrahjes nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP) dhe Partia Liberal Demokrate të një qeverie të kryesuar nga laburistët ose konservatorët.
Nëse sistemi dy partiak i Britanisë së Madhe do të ishte ende i fortë, analiza do të ishte shumë lehtë. Nëse rizgjidhet, David Cameron, kryeministri dhe lideri i konservatorëve, ka premtuar ta rinegociojë marrëdhënien e Britanisë me BE dhe t’i japë popullit të tij mundësinë të votojë për qëndrimin në BE.
Ed Miliband, lideri laburist, është kundër një referendumi, po qe se nuk ka kalim të pushtetit nga Britania në Bruksel, gjë e pamundur në pak vitet e ardhshme. Nëse gara do të ishte mes dy partive, mundësia që Britania të dilte nga BE do të ishte produkt i rizgjedhjes së konservatorëve dhe mbajtja e një referendumi.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se konservatorët dhe laburistët janë në shifra të përafërta dhe një fitore e drejtpërdrejtë e Cameron-it ose Miliband-it është e pamundur.
Disa rezultate janë të mundshme. Mund të zgjidhet një qeveri laburiste e përkrahur nga SNP, e cila ka shumë mundësi të ketë grupin e tretë të madh të deputetëve. Një qeveri laburiste që mund të mbahet në pushtet nga liberal-demokratët, të cilët me gjasë do të kenë grupin e katërt më të madh të deputetëve.
Mundësi të tjera: liberal-demokratët mund të krijojnë një qeveri me konservatorët. Është po kaq e mundshme që mund të mos jenë në gjendje të formojnë qeveri as laburistët dhe as konservatorët e kështu duhet të mbahen zgjedhje të reja. SNP ka deklaruar se nuk do t’i mbështetë konservatorët.
Skenari që nuk paraqet rrezik imediat për vazhdimësinë e qëndrimit të Britanisë në BE është një koalicion laburist me liberal-demokratët. Edhe kjo nuk do ta qetësojë çështjen përgjithmonë, sepse konservatorët do të mbeten të vendosur për një referendum, nëse vijnë pushtet.
Një qeveri konservatore e mbështetur nga liberal-demokratët do të ketë rrezikshmëri më të madhe. Megjithëse partneri i tanishëm në koalicion i konservatorëve është për qëndrimin e Britanisë në BE dhe është kundër referendumit, por do t’i duhet të bjerë dakord për një referendum nëse bën koalicion të ri.
Por ky nuk do të ishte fundi i çështjes, sepse liberal-demokratët mund të jenë në pozicionin që të kërkojnë lëshime nga konservatorët për të maksimizuar mundësinë që Britania të votojë pro qëndrimit në BE.
Liberal-demokratët mund të këmbëngulin që pyetja për elektoratin të jetë pak a shumë e tillë: “Doni që Britania të qëndrojë në BE?”, në vend të jetë: “Doni që Britania të dalë nga BE?” Kjo do të thotë se ata që do të bëjnë fushatë për të mbajtur Birtaninë në BE do të kërkojnë një votë “po”, në vend të “jo” – e cila mund të jetë në favor të tyre.
E dyta, partnerët e konservatorëve mund të kërkojnë që të lejohen të votojnë mosha 16 dhe 17 vjeç. Kjo do të ishte gjithashtu në favor të qëndrimit në BE.
Së fundi, liberal-demokratët mund të këmbëngulin që të jenë pjesë e rinegociimit të marrëdhënieve të Britanisë me BE. Ata mund të dyshojnë që konservatorët do të bëjnë kërkesa të ekzagjeruara ndaj partnerëve të Britanisë në BE, me qëllim dështimin e negociatave dhe tërheqjen e Britanisë nga BE.
Liberal-demokratët mund të kenë një mundësi të arsyeshëm t’i sigurojnë këto lëshime sepse vetë Cameron dëshiron që ta mbajë Britaninë në BE, megjithëse në partinë e tij ka shumë euroskeptikë.
Mund të mendohet se kaq mund të thuhet për rrezikun e daljes nga BE. Tek e fundit, tek e fund nuk ka rrezik për një referendum të menjëhershëm, nëse Miliband fiton zgjedhjet, ngaqë as ai dhe as partnerët e mundshëm të tij nuk e duan referendumin.
Ndërsa kjo është e vërtetë, një qeveri laburiste e mbështetur nga SNP mund të jetë e paqëndrueshme. Nuk ka asnjë mundësi për koalicion zyrtar, ngaqë Miliband ka deklaruar se nuk do të bëjë marrëveshje me partinë skoceze. Megjithëse SNP mund t’i mbështetë rast pas rasti, është e vështirë të përfytyrohet që një rregull i tillë do të zgjatë gjatë gjithë mandatit 5-vjeçar. Qëllimi kryesor i SNP është pavarësia e Skocisë, diçka që laburistët e kundërshtojnë. Diku gjatë rrugës SNP mund ta tërheqë mbështetjen për laburistët, duke e çuar vendin në zgjedhje.
Një skenar i tillë do të rikthente rrezikun e daljes nga BE. Zgjedhjet e reja mund të jenë përsëritje të zgjedhjeve të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, Cameron me siguri që do të jetë zëvendësuar si lider i konservatorëve dhe ka mundësi që liderit të ri t’i duhet të mbajë qëndrim euroskeptik, me qëllim që të fitojë përkrahjen e partisë. Dhe, nëse konservatorët fitojnë zgjedhjet, Britania do të shkojë drejt përplasjes me partnerët evropianë, gjë që do të çojë na largim.
I njëjti rrezik ekziston, nëse zgjedhjet e ardhshme nuk nxjerrin një qeveri dhe do të lindë nevoja për zgjedhje të reja. Mundësia e këtij skenari ka lindur qysh kur Nick Clegg, lideri liberal-demokrat, tha se ai nuk do të bashkohet me laburistët, nëse është e nevojshme dhe përkrahja e SNP.
Dalja nga BE do të ishte keq për Britaninë dhe partnerët e saj. Kjo do ta ndante Europën ekonomikisht dhe diplomatikisht. Rreziku mund të pakësohet me daljen e rezultateve të 7 majit. Megjithatë, sipas rezultateve virtuale, rreziku ka mundësi të bëhet më i ndërlikuar.