Telekamera lëvizi ngadalë, rroku fillimisht gjithë sallën dhe më pas shoqëroi ecjen me hap të kryeministrit duke u fokusuar në fund tek portreti i tij. Teksa ai nisi të flasë, telekamera, në përpjekje për të ndërtuar një dikotomi folës-dëgjues, u rrotullua butësisht, padyshim nga dorë profesionale, dhe nxori në plan sallën e folësin. Telekamera i përsëriti herë pas here këto lëvizje, duke mos harruar të gjente njerëz të shtangur nga ajo që po thuhej. Kryeministri në një akt vetvrasës literal përmendi për dhjetë minuta dhjetë herë fjalën “transformim”, të shoqëruar nga cilësori “rrënjësor”, përmendi disa herë fjalët “mirëmenduar”, “revolucionarizim, “dixhital” etj. Nuk qe e qartë se ç’donte të thoshte, por e gjitha endej tek “një hap i madh përpara në shkollën tonë që do të ndërtonte marrëdhënie të re mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve dhe do të ofronte nivel të lartë në mësimdhënie dhe mësimnxënie”.
Fjalët dhe kuptimi i tyre dukej se nuk ishin shumë të rëndësishme, të paktën jo aq sa imazhi, kamera dhe klishetë. Bash në një aktivitet që fliste për teknologjinë, kryeministri Edi Rama dëshmoi atë që studiues të shumtë të shkencave sociale ka kohë që e thonë të alarmuar: teknologjia dhe sistemi që ajo prodhon kufizojnë liritë individuale. Ky system nuk ekziston për të përmbushur nevojat e njerëzve, siç gabimisht mendohet (edhe nga kryeministri), përkundrazi njerëzit duhet t’i përshtaten nevojave të sistemit. Kryeministri u kufizua të kujdeset vetëm për kamerat, vetëm për mënyrën sesi do të shfaqej në televizion, për mënyrën sesi imazhi do të përshkruante realitetin etj. Sado paradoksale të duket, ai me sjelljen e tij ishte duke plotësuar nevojat e tyre.
Si për ironi, kjo ndodhi në një aktivitetet që shënoi nisjen e dixhitalizimit të shollës, pajisjen e nxënësve me tableta, komunikimin e tyre me mësuesit on-line, marrjen e mësimit on-line, zhvillimin e provimeve on-line, futjen e tyre në klasa virtuale etj. Kryeministri u shfaq nën kontrollin e teknologjisë në një aktivitet që lajmëron teknologjizimin e shkollës për të bërë më të lirë dhe më të zotë nxënësit. Aty u bë e ditur se nuk do të ketë më ditar për mësuesin, nuk do të ketë më fletore për nxënësin, mësimet do të merren on-line, mësuesi do t’u nisë materialet on-line, ushtrimet on-line, detyrat on-line, ditari do të bëhet on-line etj.
Futja e teknologjisë në përmasa të tilla në shkolla dhe zhvillimi i mësimit në këtë mënyrë ka nisur në pak vende në botë dhe kudo opinioni është i ndarë ashpërsisht mbi efikasitetin dhe dobinë e një nisme të tillë. Vazhdimisht kryhen studime mbi pasojat që ka ky teknologjizim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tronditën në vitin 2010 nga libri i profesor Nicolas Carr “Cektinat….”. Autori u vlerësua me çmimin Pulitzer për librin e tij. Ai përdor të dhëna masive nga mjaft studime të tjera për të argumentuar se interneti, përdorimi i kompjuterave, të lexuarit, të nxënët në to çon drejt një kulture vëmendje të pakët dhe të cekët. Ai thotë se bota on-line dhe hiperlidhjet virtuale në të thërrmojnë në shumë çikërrima vëmendjen dhe degradojnë aftësitë e njerëzve për të menduar thellë apo për vëzhgime të imëta dhe serioze.
Kërkuesit në Universitetin e Tennessee, të drejtuar nga prof. Richard Allington, iu dhanë 852 studentëve, që kishin mbetur më pas se të tjerët, për të lexuar 12 libra. Në testimet e kryera, ata panë se studentët që lexuan librat morën rezultate më të larta se sa të tjerët që i studiuan në kompjutera. Jacob Vigdor dhe Helen Ladd, të Universitetit të Stanford-it në SHBA, analizuan përdorimin e kompjuterave nga nxënësit e klasave të pesta dhe të teta të Karolinës së Veriut. Ata vunë re se përdorimi i komjuterit ishte në përpjestim të drejtë me rënien e tyre në mësime. Studiuesit e Stanford-it thanë se leximi në komjuter apo on-line pamundëson dërgimin e informacionit në kujtesën afatgjatë. Mes kujtesës afatshkurtër dhe asaj afatgjatë krijohet një grykë shishje për shkak të thërrmimit të vëmendjes dhe të efektit hutues të imazheve. Njerëzit nuk arrijnë të dalin në konkluzione apo të bëjnë sinteza. Ata ngjajnë më dikë që rrëshqet si patinator në sipërfaqe, në asnjë pikë të saj, pa u zhytur thellë askund. Ky është pak a shumë lundrimi i përditshëm on-line, më së shumti mes imazhesh.
Nicolas Carr mbështetet edhe në të dhëna bazike të neuropsikiatrisë për të vërtetuat tezën e tij. Në fakt në vitet ’60 filluan të dalin në dritë gjetje të rëndësishme që rrëzuan plotësisht idenë e pandryshueshmërisë së trurit . Shkencëtarët, pas eksperimentsh të shumta, dolën në përfundimin se truri ka “plasticitet”. Ai mund të ndryshojë jo vetëm fuqinë e lidhjeve neuronike, por edhe tërë strukturën apo arkitekturën e tij. E thënë më thjesht, përvoja mund të bëjë që të shfaqen lidhje të reja neurale, pra të kemi ndryshim të strukturës së trurit.
Kështu, për shembull, kur majmunëve iu priten nervat e “duarve” truri i tyre riorganizohet për të kompensuar dëmin e shkaktuar. Një rast tjetër është ai i njerëzve që kanë humbur një këmbë apo një dorë, ku për pasojë zonat e trurit që merrnin sinjalet nga dora apo këmba e humbur pushtohen nga qarqe neurale që mbulojnë aktivitete të tjera. Shenja të plasticitetit të trurit janë vërejtur edhe te shoferët e taksive apo te violinistët, ku zona të trurit që përpunojnë sinjalet, që llogarisin hapësirat apo sinjalet e gishtave, janë shumë më të zhvilluara. Neuroplasticiteti shpjegon edhe varësitë ndaj pornografisë, alkoolit, drogës etj. Kjo ndodh sepse një qark i ri neural kur krijohet kërkon më pas të ushqehet dhe ai do të hajë zona të tjera të trurit që kanë funksione të tjera.
Pikërisht kjo gjë ndodh me përdorimin e internetit dhe të kompjuterave, thotë Carr. Futja e tabletëve në shkollë, krijimi i klasave dixhitale dhe i klasave on-line është një çmenduritë tona. Ne kemi shkolla ku nxënësit nuk po lexojnë libra, ku rezultatet janë dëshpëruese në çdo aspket. Po të shohësh rezultatet maturës shtetërore lemerisesh nga niveli i gjimnazistëve. Vetëm 20{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e tyre meritojnë të kalojnë klasën realisht. Zhvillimi i provimit të maturës është një tmerr i vërtetë. Në mënyrë të shëmtuar masivisht kërkojnë të kopjojnë, me telefona, tabletë e Ipade, megjithëse provimi zhvillohet si në kazerma ushtarake.
Kur ishin në opozitë, ministrja dhe kryeministri e kanë denoncuar vetë këtë gjë. Në shkolla merret drogë. Edhe në ato 9 vjeçare. Klasat janë me 40 vetë. Zhurma është masive. Nxënësit (të klasave 7-8-9 dhe të gjimnazeve) vishen si për parada mode në shumë raste. Ata që nuk po lexojnë në libra, ata që nuk kanë aspak vëmendje të zgjidhin ushtrime në fletore si mund të lexojnë në tablet dhe si mund të zgjidhin ushtrimet në të? Kur nxënësit tanë nuk arrijnë të dalin në konluzione apo të ndërtojnë sinteza, si do ta bëjnë këtë kur ta marrin mësimin në tablet, kur të lexojnë dhe shkruajnë në të? Lidhjet e reja neurale që do të krijohen në trurin e tyre (i cili edhe sot është i mbushur me facebook e internet) do të hanë pafund nga zonat në tru që mbulojnë aktivitete të nevojshme të mendimit, arsyetimit, vëzhgimit, analizës etj.
Sot Shqipëria vuan nga prania masive e njerëzve që flasin kot, prodhojnë fjalë, ndërsa nuk bëjnë dot një sintezë, nuk formulojnë dot fjali logjike. Këta njerëz i gjen në media, në politikë, në art e kudo, dhe shpresa e vetme është te nxënësit. Kryeministri me siguri nuk ka menduar fare për këtë. Ministrja e arsimit as e ka idenë se çfarë debatesh bëhen sot mbi shkollën, internetin, dixhitalizimin apo të mendurit dhe mendimin kreativ, të cilët i shkatërron kompjuteri. Zëvendësministri Mazniku është i pari në gjithë historinë e arsimit shqiptar që aktin më të madh ka fyerejen e një akademiku si prof. Fuga, pse ai e kritikon ligjin për arsimin e lartë. Zëvendësministrja tjetër, Malaj, është shumë kohë para teknologjisë. Ajo duket sikur e ka jetuar shumë më parë epokën e tabletëve. Kryeministri është lënë dorë të telekamerave, betejës së imazhit. Teknologjia e ka robëruar atë, ndonëse ka menduar se do të jetë ai që do ta përdorë. Është pikërisht kjo çka do të ndodhë edhe me nxënësit që do të hyjnë në klasat dixhitale, me tabletë përballë mësuesve me kompjutera dhe projektorë.