Vetëm pak vite më parë, politikanët në Bashkimin Europian, dhe në vendet e varfra e të dala nga lufta në juglindje të kontinentit, ndien që po krijonin mes tyre një rreth virtuoz. Me ndihmën e BE, vendet e varfra të Ballkanit do të përmirësonin qeverisjen e tyre ekonomitë e tyre të rrënuara; në kohën e duhur këto vende do të shpërbleheshin me hyrjen në BE. Falë gjithë kësaj, njerëzit në vendet e varfra do të kishin më pak arsye për të lëvizur drejt veriut të pasur të Europës; në mënyra të ndryshme, do të shkonte BE tek ata.
Tani, rrethi virtuoz, nëse ka ekzistuar ndonjëherë, po shqepet keq. Njerëz nga Ballkani po udhëtojnë përsëri drejt veriut, ligjërisht ose jo, sepse ata kanë hequr dorë nga pritja për përmirësimin e situatës në vendet e tyre.
Ky problem shfaqet urgjent në Kosovë. Me papunësi të lartë, dhe jetën politike të korruptuar thellësisht, njerëz të të gjitha fushave ëndërrojnë të largohen. Por Kosova është i vetmi vend nga Portugalia në Ukrainë që ka ende nevojë për vizë në zonën Shengen, pjesa e zhvilluar e BE.
Kohët e fundit, thotë Lulzim Peci, i cili drejton një think-tank në Prishtinë, ka pasur një valë të re pesimizmi se jeta mund të përmirësohet në Kosovë. Kjo mund të jetë një arsye për valën e emigracionit të paligjshëm drejt zonës Shengen. Derisa dera u mbyll në shkurt, shumë kosovarë shfrytëzuan atë që ishte, për thuajse një muaj, një vijë kufitare çuditërisht e pa ruajtur mes Serbisë dhe Hungarisë dhe pastaj udhëtonin drejt veriut.
Shpend Ahmeti, kryetari i bashkisë së Prishtinës, mendon se në emigrimin drejt pjesëve të pasura të Europës u përfshinë rreth 40 mijë vetë. Shumë prej tyre që mbërritën në vende si Gjermania, Austria ose Suedia aplikuan menjëherë për azil. Gjasat janë që asnjëri nuk do ta marrë azilin, duke pasur parasysh që Ballkani nuk është më një zonë lufte, dhe shumë prej tyre po përzihen drejt vendeve të tyre. Por ata ishin të bindur se ia vlente ta provonin.
Do ishte e thjeshtë të thuhet se këta emigrantë arratisen nga varfëria ekstreme. Në përgjithësi, ata nuk janë as më të varfrit në vendin e tyre dhe as të gjithë të papunë. Ata u larguan, thotë zoti Peci, sepse “u dorëzuan” para mjegullës. Njerëzit që u larguan përfshinin taksixhinj, mekanikë, pastrues dhe punëtorë dyqanesh. Shumë prej tyre përpiqeshin të mbanin familjet e tyre me 250 euro në muaj. Kjo mund të ishte e tolerueshme nëse në horizont do të dukeshin ditë më të mira, por iluzione të tilla kanë avulluar.
Ngjarjet politike të kohëve të fundit kanë imponuar një pesimizëm të tillë, thotë zoti Peci. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të verës së kaluar, shumë vetë menduan se pushtetin do ta merrte një koalicion opozitar. Marrëveshja u bë në dhjetor mes partisë kryesore të ish-qeverisë dhe grupit më të madh opozitar. Shumë vetë menduan se për katër vitet e ardhshme nuk do të ketë ndryshim.
Emigracioni nga Kosova tërheq vëmendjen e medieve sepse është në shumicë i paligjshëm. Por kosovarët nuk janë të vetmit që duan të largohen nga një përzierje nepotizmi, taksave të larta dhe pengesave për sipërmarrjen. Sipas një bankieri serb që tani jeton në Londër, gjithnjë e më shumë njerëz në Ballkan thonë: “Ky vend nuk ofron të ardhme për fëmijët e mi.”
Tani njerëzit nuk besojnë më as që anëtarësimi në BE, nëse ndodh më në fund, do të transformojë jetën në vendet e tyre. Kroacia u anëtarësua në BE në 2013, por ka dështuar në zhdukjen e depresionit ekonomik që ka përfshirë vendin prej pesë vitesh dhe i nxiti njerëz të mirë kualifikuar, si doktorë e infermierë, të largohen.
Në 2009-10, njerëz nga pesë vende – Shqipëri, Serbi, Bosnjë, Maqedoni dhe Mal i Zi – fituan të drejtën të hyjnë në BE pa viza. Por kjo nuk do të thotë që ata kanë të drejtë të vendosen aty, të punojnë ose përfitojnë përkrahje sociale. Njerëzit e dëshpëruar përdorin strategji të tjera, si për shembull kërkesa për azil.
Sipas Iniciativës për Stabilitet Europian, numri i kërkesave për azil në BE nga këto pesë vende vitin e kaluar arriti në 70 mijë, krahasuar me një mesatare 10 mijë në periudhën para heqjes së vizave. Dhe ndryshe nga vala kosovare, shumica e këtyre aplikimeve kanë qenë nga njerëzit e niveleve më të varfra të shoqërisë, përfshi minoritetin rom.
Procesi i ngadalshëm i një sistemi të mbyllur krijon mundësi dhe probleme njëkohësisht.
Megjithëse ata janë thuajse të bindur se do refuzohen, kërkuesit e azilit munden të paktën që përfitojnë një farë sigurie sociale dhe madje ndihmë sociale për jetesë gjatë muajve në pritje të zgjidhjes së çështjes, e kjo e bën aplikimin të vlefshëm. Kudo që procedura shpejtohet, aplikimet pakësohen.
Në afat të gjatë, e vetmja gjë që do të pakësojë valën nga Ballkani është një jetë më e mirë në vendet e tyre. Është inkurajues fakti që më shumë njerëz kërkojnë ndryshim, ku është e mundur në mënyra që anashkalojnë politikën. Në Serbi gjykatësit bënë grevë për katër muaj vitin e kaluar dhe mësuesit kanë bërë grevë kohët e fundit. Gjykatësit janë në grevë në Kosovë. Vitin e kaluar protesta shpërthyen në gjithë Bosnjën. Asnjëra nga këto nuk do të sjellë ndryshim të shpejtë. Por njerëzit që ende shpresojnë për një Ballkan më të mirë do të marrin kurajë nga fakti që ca njerëz duan të qëndrojnë dhe të luftojnë, në vend që të emigrojnë.
* Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Shuarje ëndrrash, ndjekje ëndrrash”.