Heather Wilhelm
Real clear politics
Të martën, pronari i një dyqani picash në Indiana bëri një gabim të tmerrshëm. Familja O’Connor, e cila menaxhon dyqan Memories Pizza në qytetin e vogël Walkerton, i tha një bashkëpunëtori lokal të ABC se kurrë nuk do të “ngurronin” t’u shërbenin një çifti homoseksualësh ose klientëve të një tjetër besimi fetar, “ata thjesht nuk janë dakord për martesat e homoseksualëve” dhe nuk do të prodhonin pica për një dasmë homoseksualësh nëse u kërkohej.
Nëse keni ndjekur debatin për Ligjin e Rikthimit të Lirisë Fetare [RFRA – akronimi në angl.] – një ligj i etiketuar “antigej” dhe “fanatik” nga njerëz të famshëm, që nga drejtori ekzekutiv i Apple te ylli i popit Miley Cyrus – nuk do të habiteni nga ajo ndodhi në vazhdim.
Brenda disa minutave, një trumë kibernetike u lëshua kundër dyqaneve Memories Pizza. Disa përdorues të Tweeter-it, përfshi trajnerin e golfit të një shkolle [ekuivalente me 9-vjeçaren], kërcënuan se do t’i vinte zjarrin dyqanit. Të tjerë e sulmuan faqen e dyqanit me porno homoseksualësh dhe kërcënime personale, përfshi këtë: “Oh po, unë do vras Krishtin tënd. Përpiqu të më ndalosh.” (Lajm: Dikush u përpoq ta bënte këtë dikur.) Siç e raportoi gazetarja radiofonike Dana Loesch, familja O’Connor mori dhe kërcënime me vdekje – aq shumë, në fakt, saqë po mendojnë ta mbyllin restorantin.
E bukur, apo jo? Mirëserdhët në botën e “tolerancës” 2015! Ky është rasti më i fundit i valës së histerisë që rrethoi një ligj qetësues. Më herët, në faqen e komenteve të Washington Post-it, drejtori ekzekutiv i Apple e etiketoi ligjin “të rrezikshëm”, dhe bëri thirrje për bojkotim të Indianës – duke harruar ndoshta, në ethe e sipër, që bën me kënaqësi biznes në Arabinë Saudite të rreptë kundër homoseksualëve. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, për të mos ngelur mbrapa, ndaloi udhëtimet “jo thelbësore” për në Indiana. (Mbyllja e kufijve dhe ndalimet në panik nuk kanë të bëjnë me lirinë!) ndërkohë, duke shkruar për revistën Time, Kareem Abdul-Jabbar e quajti ligjin e Indianës “një version amerikan të ligjit Sharia” që mund të bëjë “mësimet e një besimi fetar të vetëm… ligjin e vendit.”
Për ata që dinë diçka për ligje të tilla si RFRA, kjo është absurde. Nëntëmbëdhjetë shtete të tjera kanë ligj RFRA; qeveria federale përshtati një të tillë më 1993. Një radhë përkrahësish të të drejtave dhe martesave të homoseksualëve e kanë mbështetur ligjin e propozuar të Indianës, duke shpjeguar as ai thjesht u lejon minoriteteve fetare të ankohen në gjykatë nëse mendojnë se ndërgjegja e tyre ose liritë e Amendamentit të Parë janë shkelur.
Sigurisht, këto fakte nuk kanë rëndësi. Është bërë e qartë që shpërthimi në Indiana nuk ka të bëjë me detajet e asnjë ligji. Kareem Abdul-Jabbar mund të mos e kuptojë këtë, por ai shkroi “Shkallë për në Parajsë” para të gjithë opinionit. Mesazhi real është aty, por vetëm nëse e lexoni nga e kundërta. Sharia e Re nuk vjen nga të krishterët e fuqishëm dhe jo tolerantë. Ajo vjen nga aktivistët e majtë, në aleancë të ngushtë me biznesin e madh dhe qeverinë. Është një koalicion, që gjithnjë e më shumë nuk do të tolerojë asnjë lloj kundërshtimi.
Të krishterët konservatorë nuk munden thjesht të jetojnë apo të lënë të tjerët të jetojnë kur bëhet fjalë për martesat homoseksuale. Ata duhet ti mbështesin ato në mënyrë aktive dhe të marrin pjesë në to, të lejojnë që koalicioni “Aprovo me domosdo” të ndërhyjë e të shkatërrojë biznesin, reputacionin dhe jetën e tyre. Kjo është e trishtueshme. Kjo sigurisht reflekton një pasiguri të habitshme. Kjo po ndodh në gjithë vendin. Për mospranimin e pjesëmarrjes në dasma të të njëjtit seks, një pastiçeri në Oregon u shkatërrua, një luleshitëse në Uashington u detyrua të humbasë biznesin e saj, dhe janë kërcënuar se do të mbyllen, janë gjobitur dhe u janë dërguar fatura të kripura studiove fotografike, dyqaneve të dasmave dhe dyqaneve t-shirts [bluzash].
Ju mund të mendoni se kundërshtimet fetare ndaj martesave homoseksuale janë budallallëqe ose të dala boje. Ju mund të mendoni ndoshta se njerëzit që nuk pranojnë t’u shërbejnë martesave homoseksuale janë idiotë të pa orientuar. Kjo është e drejta juaj; është një vend i lirë, të paktën deri tani. Personalisht, mendoj se kundërshtimet fetare ndaj martesave homoseksuale janë të kuptueshme dhe e arsyeshme, jo “fanatizëm”.
Në të njëjtën mënyrë, nëse një nga miqtë e mi homoseksualë dëshiron që unë t’i bëj një ëmbëlsirë për dasmë, padyshim që do t’i bëj një ëmbëlsirë për të lëpirë gishtat. (Në fakt, kjo është gënjeshtër. Me shumë gjasë do bëj atë që bëj në raste shoqërore që kërkojnë të çosh ushqim, që do të thotë të blej diçka në një dyqan ekstravagant dhe të pretendoj se e kam bërë vetë.)
Por, sërish, unë e çmoj lirinë dhe llojshmërinë [diversity]. Por duket se shumë amerikanë e kanë humbur mënyrën bazë të të kuptuarit si funksionon liria. Ju kujtohet ora e qytetarisë në shkollë 9-vjeçare, ku Mësimi Një është se të drejtat e Amendamentit të Parë [të drejtat themelore të qytetarit, në kushtetutën amerikane] nuk ekzistojnë nëse ato nuk zbatohen për njerëzit që ju mendoni se kanë mendime të gabuar, madje dhe të dëmshme? Diçka më thotë se mësuesit nuk i mësojnë më këto.
Është e trishtueshme të shikosh njerëzit që t’i trajtojnë fqinjët si mostra. Duke parë turmat e internetit që sulmojnë Memories Pizza – më bëri të mendoj nëse këta ushtarë me laptop duhet të dalin ndonjëherë nga shtëpia e të vështrojnë përreth. Në gjithë Amerikën, në dyqane, në kafene, në shkolla, në parqe, homoseksualët dhe njerëzit normalë jo vetëm bashkëjetojnë, ata komunikojnë normalisht. Ata janë miq. Përballë njëri-tjetrit, në shumicën e rasteve, ata kanë vullnetin e mirë dhe ndjenjën e komunitetit – ose, të paktën, një ndjenjë respekti të sjellshëm.
Deri tani, ne kemi një shoqëri funksionale. Por me rritjen e turmës “Aprovo me domosdo” dhe partnerët e saj të fuqishëm, po shfaqen të çara. Për ironi, liritë që turma kërkon të shkatërrojë – liria e besimit, fjalës dhe shoqërizimit – janë pikërisht liritë që na dallojnë ne nga vende si Arabia Saudite. Nëse u lihet rruga e lirë grupeve të caktuara, këto liri mund të mos i gëzojmë gjatë.
______________________
Titulli, i përshtatur nga redaksia. Pb