Pas performancës artistiko-kontemporane, dhe pavarësisht premtimit për t’ia bërë të aksesueshme shumicës së shqiptarëve, Ministria e Kulturës nuk e çeli vilën e Enver Hoxhës në Bllok për qytetarët e thjeshtë.
Qenefi ku i doli shpirti diktatorit famëkeq shqiptar, Enver Hoxha, për të marrë rrugëtimin e shpejtë drejt Hesfelit, nuk u hap për publikun. Te dera, kur nuk bie shi, sheh ndonjë roje të mërzitur që shikon me maraz shalët e bythët e gocave që kalojnë atypari me shikimin vezullues që si ekran LED i lexon “mish”. Sa për dijeni, vila vazhdon të jetë ajo që është – për ata që si unë patën fatin të shohin rreth një ¼ e saj.
Ju të tjerët ama nuk keni shansin ta shihni, sepse në sebepe të tilla të rëndësishme, siç është hapja e saj “Prive” për më të privilegjuarit ndër ne, nuk mund të hyjë kushdo. “Kushdo” jeni ju të tjerët. Me gjasa, këto rreshta do më heqin mundësinë të shoh 1.2/5 e vilës së Mehmet Shehut kur dhe ajo të bëhet arenë e ndonjë performance të “artit kontemporan”.
Çelja e vilës së Dullës për publikun elitar – të paktën Enverin nuk e rehabilitojnë dot – u bë një vit e një muaj më parë (prill 2014) me rastin e një aktiviteti të artit performues bashkëkohor, ku morën pjesë artistë të njohur të këtij zhanri. Si rregull, duhet të kisha pritur të bëhej viti para se të ankohesha. Por duke qenë i paduruar nga natyra, po e shpreh që tani këtë sëkëlldi.
Ministria e Kulturës, mbështetëse kryesore e këtij eventi artistik pati deklaruar se do e hapte shtëpinë për publikun. Bën kuptim. Diktatori stalinist i Ballkanit, ka lënë aq gjurmë të pashlyeshme në jetët dhe kujtesën historike të shqiptarëve, sa është veçse e detyrueshme që diçka e tillë të kishte ndodhur. Nuk ishte rasti.
Ministria vijon të ushqejë me pasion fetishin e saj për mbrëmjet letrare, ku virgjëresha në shpirt shpalosin gjithë patosin melankolik dhe rebuset e shpirtit njomëzak në mbi ’30 me vjershërime masturbatore të nivelit jointeresant. Për të qenë të sinertë, ka bërë dhe gjëra të tjera, përfshi një koncert shumë të mirë në Pezë, vitin e shkuar, ku personalisht u kënaqa shumë. Këto janë pakica absolute.
Në fakt, ekziston një bashkëpunim belgo-shqiptar që të montojnë edhe një herë një ekran LED, ku do të shfaqen vetëm fragmente të padukshme të brendisë së vilës për kalimtarët, të cilët, jo vetëm që nuk do mund ta vizitojnë dot personalisht, por dhe supozohet të plasin nga marazi ngaqë në ekran nuk shquhet asgjë konkrete. Titullohet “Haleja e Diktatorit”. Ndërkaq, meqenëse erdhi behari, roja te dera përveç këqyrjes kanibale të shalëve e bythëve, tani mund të kryejë edhe aktin prozaik të ngrënies së farave. Kjo sepse nuk i mërdhijnë duart.
Ps: Ky koment nuk ka lidhje me asnjë pretendim fondesh publike nga autori për ndonjë projekt të hamendësuar. Si kurdoherë, autori është i kënaqur të paguajë rregullisht taksat me shpresën se mund të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët.