Elizabeth Cobbs Hoffman
Përplasja e kryetarit të Dhomës së Ulët amerikane John Boehner me Presidentin por kthehet në një betejë të keqe kundër Kushtetutës. Vendimi i Boehner-it për të ftuar kryeministrin e një vendi tjetër [Izraelit në këtë rast] të fliste përpara Kongresit, pa u konsultuar më parë me presidentin në detyrë nuk ka precedent në historinë amerikane. Kjo për një arsye të thjesht. Sepse është antikushtetuese.
Boehner e pranon plotësisht që moskomunikimi i tij me Shtëpinë e Bardhë nuk ka qenë padashje. Si një nxënës që jep kopje, kur mësuesi është me shpinë nga dërrasa e zezë, ai veproi pas shpinës së presidentit për të caktuar, me ambasadorin e Izraelit, datën e fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Ai u kërkoi dinjitarëve të huaj të mos i thonin presidentit. “Doja të garantohesha nuk do të kishte ndërhyrje,” i tha Boehner më vonë Fox News. Netanyahu e mbajti fjalimin para Kongresit më 3 mars.
Kjo është e padëgjuar në historinë e SHBA. Kongreset amerikane kanë kundërshtuar politikën e jashtme të presidentit, sigurisht. Kjo është brenda të drejtave të tyre. Megjithëse presidenti ka fuqinë të bëjë marrëveshje me vende të tjera, Senati mund t’i aprovojë ose rrëzojë ato. Për shembull, presidenti Woodrow Wilson shkoi në Paris më 1919 për të biseduar për Traktatin e Versajës pas Luftës së Parë Botërore. Wilson ishte vendimtar në përgatitjen e traktatit, sidomos pjesët që krijuan një institucion të ri, Lidhjen e Kombeve, për të ofruar siguri të përbashkët.
Kur Wilson-i u rikthye në vend, ai zhvilloi një fushatë për të shtuar përkrahjen për Lidhjen e re. Por më kot. Senati ishte nën kontrollin e izolacionistëve. Një senator me influencë, Henry Cabot Lodge, e urrente personalisht Wilson-in. Presidenti kishte armiqësuar dhe Dhomën e Lartë, sepse nuk kishte marrë asnjë senator me vete në bisedimet për paqe. Senati votoi kundër marrëveshjes. Vendimi i tij për të mos u anëtarësuar në Lidhjen e Kombeve mund të ketë qenë gabim, por kjo ishte e drejta e Senatit.
Megjithatë, ka vetëm një detyrë që etërit themelues ia ngarkuan vetëm presidentit. Kushtetuta thotë që presidenti “do të presë ambasadorë dhe ministra publikë të tjerë” nga qeveritë e huaja. Pse e bënë themeluesit këtë? Sipas profesorit të universitetit të Standfordit, Jack Rakove, i cili fitoi çmimin Pulitzer për librin me këtë temë, ata i ngarkuan presidentit këtë përgjegjësi për një arsye të veçantë: për të lehtësuar bisedimet bilaterale në çështjet e komplikuara në emër të SHBA.
Kongresi ka autoritetin të shpallë luftë. Senati tërheq fijet e kuletës dhe përfaqëson vullnetin e gjithë kombit. Lufta është gjithashtu një vendim publik, i njëanshëm. Ajo kërkon vetëm një “deklaratë të thjeshtë të hapur,” shkroi James Madison në shënimet që mbajti në Konventën Kushtetuese.
Në kontrast, presidenti është ngarkuar të bëjë paqe – dhe “paqja [ishte] zhvilluar me bisedime sekrete dhe të ndërlikuara.” Kështu që themeluesit caktuan presidentin në krye të takimeve me ministrat e huaj për çështjet delikate që kërkojnë fshehtësi.
Etërit themelues do të tmerroheshin nga vperimet e tanishme të kryetarit të Dhomës së ulët. Ata ishin të apasionuar pas check and balance [kontroll dhe balancim të pushteteve]. Madisoni, babai i Kushtetutës, nuk ishte mosbesues ndaj pushtetit në duart e njerëzve të vdekshëm. Ai e kishte frikë sundimin e turmës dhe të monarkut.
Kështu Madisoni dhe themeluesit – George Washington, Alexander Hamilton, Benjamin Franklin dhe 51 delegatë që u takuan në Konventën Kushtetuese në Filadelfia më 1787 — e ndanë qëllimisht në tre degë qeverinë federale. Ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori, secili me pushtetin dhe detyrat e tij. Në fare pak situata të përcaktuara qartë, njëra degë mund të vendosë veton kundër vendimeve të tjetrës. Burrat që u takuan në Filandelfia parashikonin situata pikërisht si kjo e tanishmja.
Obama përpiqet të negociojë për t’i dhënë fund krizës nukleare të Iranit. SHBA po bashkëpunon me fuqi të tjera në këtë situatë të rrezikshme, sepse progresi nuklear prek çdo vend të planetit. SHBA, Britania, Kina, Rusia, Gjermania dhe Franca kanë negociatorë në bisedime në përpjekje për të bindur Iranin të heqë dorë.
Boehner nuk është dakord. Ose, të paktën, ai do që Kongresi dhe publiku amerikan të dëgjojnë Netanyahut për këtë çështje. Megjithatë, ftesa për kryeministrin izraelit [pa miratimin e presidnetit] është shkelje e kushtetutës.
Sekretari i Shtetit Thomas Jefferson ishte i pari që kundërshtoi një dinjitar të huaj të fliste përpara Kongresit pa miratim të kreut të ekzekutivit. Kur Edmond-Charles Genet, që përfaqësonte qeverinë revolucionare të Francës, kërkoi mbështetjen e Kongresit më 1973 për një politikë të kundërshtuar nga presidenti Washington, Jefferson e ndaloi. Megjithëse vetë Jefferson kishte simpati të madhe për këndvështrimin e Francës.
Presidenti, shkroi, “duhet lënë ta gjykojë vetë çfarë është me rëndësi për detyrën e tij…” Ose, siç tha Washington në një rast tjetër, Kushtetuta i jepte atij “kanalin e vetëm të bisedimeve zyrtare” me vende të tjera. Çfarë dëmi ka në vendosjen e një precedenti të ri? Historia tregon se komandanti suprem i ka tejkaluar ndonjëherë kufijtë e tij – ose, të paktë, i ka zgjatur ato.
Në fillim të Luftës së Dytë Botërore në Europë, presidenti Franklin Roosevelt firmosi një marrëveshje ekzekutive me kryeministrin britanik Winston Churchill të shkëmbente destrojerët e marinës amerikane për bazat në West Indies britanike. Editorialët e gazetave e etiketuan “Roosevelt diktatori”.
Në këtë situatë dhe të tjera, anëtarët e Kongresit u ankuan që presidenti kishte zgjatur mandatin e tij si komandant i përgjithshëm. Themeluesit e parashikuan që ndarja e pushteteve nxiste garën. Të gjitha palët do të përplaseshin me rregullat. Kështë që pese Kongresi të mos bëjë çfarë i pëlqen? Improvizimi i Kushtetutës nuk është një ide e mirë. Ky dokument i urtë, Kushtetuta, është një gjë për të cilën të gjitha partitë kanë qenë dakord për më shumë 225 vjet. Ruajeni dhe çmojeni.