Ai përqeshet për natyrën e tij të pabesë dhe është izoluar nga homologët e tij. Ai drejton një vend me monedhën në rënie dhe ekonomi që zvogëlohet me shpejtësi. Sanksionet ndërkombëtare i ndalojnë miqtë e tij të bëjnë pushime në vilat e tyre në Mesdhe, të blera me para jo fort të pastra. I gjykuar duke u bazuar në objektivat që vendosi kur mori presidencën e Rusisë 15 vjet më parë – prosperitet, sundim i ligjit, integrim nga perëndimi – ta konsiderosh punën e tij të suksesshme mund të tingëllojë si humor i zi.
Por ato nuk janë më qëllimet e tij, nëse kanë qenë ndonjëherë. Shikojeni botën nga këndvështrimi i tij, dhe Putini është fitues. Pavarësisht makinacioneve të armiqve të tij, ai vazhdon të jetë udhëheqësi i pakundërshtueshëm i Kremlinit. U krainën e ka kapur fyti, dhe një gjendje që marrëveshja e kësaj jave në Minsk nuk e ka lehtësuar. Zbutja e Ukrainës me taktikën e tij të zakonshme të kërcënimeve dhe ryshfetit ishte preferenca e tij e parë, por pushtimi i saj ka pasur përfitime anësore. Pushtimi ekspozoi çmimin e varësisë nga Rusia; dhe, përderisa ai mendon se qeveria e Ukrainës është thjesht një kukull e perëndimit, konflikti ka treguar kush sundon në bahçen e Rusisë. Dhe më e mira, kjo ka hedhur farën e mosmarrëveshjes mes kundërshtarëve të Putinit: mes evropianëve dhe mes evropianëve dhe Amerikës.
Qëllimi i tij kryesor është ta përçajë dhe neutralizojë atë aleancë, ta copëzojë qasjen e saj kolektive për sigurinë, dhe t’u rezistojë përparimeve të saj. Që nga kundërshtimet për Lindjen e Mesme, te pushtimi i Gjeorgjisë dhe një sërë aventurash në Ukrainë, zoti Putin është parë sikur ka ndeshur në mosmarrëveshje aksidentale me perëndimin, i nxitur nga paranoja e izolimit. Në retrospektivë duket se përplasja mund të ketë qenë e paevitueshme. Sidoqoftë, konflikti për të cilin ai këmbëngul nuk mund të anashkalohet më. Ai nuk filloi në Ukrainën e mjerë dhe nuk do të mbarojë aty. Fitorja do të kërkojë më shumë vendosmëri seç kanë treguar deri tani udhëheqësit perëndimorë.
Çfarë do Kremlini
Vitin e kaluar Putini aneksoi Krimenë, duke e ndryshuar hartën e Europës me forcë. Lufta haluçinante e tij që ai e ktheu në realitet në Ukrainë ka vrarë me mijëra. Edhe nëse armëpushimi i parashikuar për në 15 shkurt zbatohet, ai duket i sigurt se do marrë atë që kërkon aty: një quasi shtet të shkatërruar në Donbas, të cilin ai mund ta përdorë për të ndikuar zhvillimin e Ukrainës. Megjithatë, kjo është përpjekja e tij më e fundit për t’i detyruar ish-vendet sovjetike t’i nënshtrohen, përmes shantazhit me energji, embargo tregtare apo luftë. Për Putinin fqinj i mirë është vetëm një fqinj i dobët; vasalët janë më të mirë se aleatët. Vetëm të verbrit me vullnetin e tyre mund të mendojnë se revanshizmi i Putinit është përmbushur. Herët apo vonë ai mund të qarkojë shtetet baltike – anëtarë të BE dhe Nato, dhe strehë e minoriteteve ruse të llojit që ai përgjërohet “t’i mbrojë”.
BE dhe Nato janë objektivi i fundmë i Putinit. Për të, institucionet dhe vlerat perëndimore janë më kërcënuese se ushtritë. Ai dëshiron ta frenojë zgjerimin e tyre, t’i gërryejë ato nga brenda dhe, të paktën në periferinë e brishtë të perëndimit, t’u imponojë modelin e tij të qeverisjes. Sipas atij modeli, shtetet kombëtare mund të dalin nga aleancat. Shtetet dominohen nga elitat, dhe ato elita mund të blihen. Edhe këtu ai ka pasur një farë suksesi. Nga Franca në Greqi në Hungari ai po kultivon parti të ekstremit të majtë e të djathtë: kushdo që mund të lobojë për interesat ruse në BE, ose që mund të ndihmojë për shkatërrimin e BE. Objektivi kryesor është përkushtimi i Natos për vetëmbrojtje të përbashkët. Diskreditoje këtë – me nxitjen e protestave proruse në Estoni ose Letoni, që vendet e tjera anëtare të Natos nuk pranojnë t’i ndihmojnë – dhe aleanca shkërmoqet.
Mbështetja në vendin e tij do të thotë që Putini ka kohë dhe liri për fushatën e tij. Siç e ka demonstruar, ai nuk e ka problem ta sakrifikojë gjendjen e mirë të rusëve për të kënaqur babëzinë e tij ose të çojë më tej skemat e tij gjeopolitike. Ai i persekuton ata që protestojnë. Dhe në Rusi, propaganda e tij, e cila krijon frymën nacionaliste mbi të cilën ai lundron si një ngushëllim për mbështetje të brendshme, lulëzon.
Çfarë mund të bëhet?
Detyra e parë e perëndimit është të njohë problemin. Obama e ka konsideruar Rusinë si një fuqi rajonale të paqartë, e ndikuar nga spazma post-perandorake, por thellësisht në rënie. Historianët do të habiten, me Ukrainën në flakë, perëndimi vazhdon ende të debatojë ta përjashtojë apo jo Rusinë nga G8. Të parafrazoj Trockin, udhëheqësit perëndimorë mund të mos i kenë kushtuar vëmendje Putit, por Putini u ka kushtuar vëmendje atyre.
Hapi i radhës është që përgatitet një përgjigje aq elastike sa sulmi. Pjesë e problemit është dhe fakti që Putini luan me rregulla të tjera; për të nuk ka rregulla që nuk shkelen, nuk ka vlera universale, as fakte të pakundërshtueshme (si ai që kush e rrëzoi avionin MH17). Për të ka vetëm interesa. Rusia e tij ka kaluar nga bezdisja e ambasadorëve te vrasja e kritikëve, te pushtimi. Ky është një nga asetet e tij kryesore: gatishmëria t’u përshtatet metodave që perëndimi nuk mund t’i përdorë pa njollosur veten.
Versioni i tanishëm i këtij ekuacioni është që, nëse armëpushimi më i fundit dështon, të armatoset Ukraina. Kundërshtuesit thonë se armët mbrojtëse mund të nxitin Putinin të tërhiqet për shkak të kostos. Por kushdo që ka dyshime për tolerancën e tij ndaj viktimave në masë le të kujtojë luftën në Çeçeni. Nëse armët do ta frenojnë atë, perëndimi duhet që bashkohet dhe të jetë i gatshëm të mbajë ritmin e përparimit të luftës me armë më të fuqishme (përfshi dhe personel për t’i përdorur ato). Mirëpo, Nato është e ndarë mbi këtë ide. Putini e prezanton luftën si një provokim perëndimor: armatimi i Ukrainës do ta kthejë këtë nga fantazi në fakt, kurse lënia e tij të ekspozojë kufizimet e bashkimit të perëndimit dhe mungesën e vendosmërisë – janë dhurata për të cilat ai gjakon. Nëse një agresion rus i freskët e galvanizon aleancën, armatimi i Ukrainës do të bëhet një kërcënim më i fortë. Deri në atë pikë, ajo do të ketë pasoja.
Një strategji më e mirë është shmangia nga metodat e tij dhe mbështetja në asete që ai nuk mund t’i konkurrojë: një mënyrë jetese që njerëzit e kanë zili. Nëse kjo duket mendjelehtësi përkrah tankeve të tij, kujtoni që kriza nisi me Ukrainën që dëshironte të afrohej me BE – dhe vendosmërinë e Putinit për t’i frenuar. Më mirë se armët, perëndimi duhet t’i japë menjëherë Ukrainës aq ndihmë sa është e nevojshme të ndërtojë një shtet dhe realizojë atë ëndërr. Marrëveshja e FMN e lajmëruar në 12 shkurt duhet të jetë vetëm fillimi. Putini do që ta bëjë Ukrainën një shembull të frikshëm për ata që shikojnë nga perëndimi. Ajo duhet kthyer në një shembull përfitimi.
Po kaq me urgjencë, vendeve ish-sovjetike që janë bashkuar me institucionet perëndimore duhet t’u jepet siguri. Nëse dërgimi i armëve në Donbas është me dyshim, vendosja e trupave të Natos në vendet baltike duhet të mos ketë kundërshtime, sado që të ankohet Putini. Udhëheqësit perëndimorë duhet t’ia bëjnë të qartë, atij dhe botës, se ata do t’i mbrojnë aleatët dhe aleancën – edhe nëse beteja është e fshehtë dhe pistë.
Dhe nuk janë vetëm aleatët që çmojnë virtytet e perëndimit. Ato i vlerësojnë dhe shumë rusë, përfshi putinistët e pacipë që denoncojnë dekadencën e perëndimit dhe shfrytëzojnë shkollat dhe bursat e tij. Është vonuar shumë me vendosjen e sanksioneve për parlamentarët rusë dhe zyrtarët e lartë. Sanksionet duhet të shtrëngohen. Në fund ato do të rezultojnë një mjet më i efektshëm se armët.
Ndërkohë, perëndimi duhet të përdorë çdo mjet të mundshëm për të ndihmuar rusët e thjeshtë, përfshi simpatizantët e Rusisë në vendet baltike dhe Ukrainë, të mësojnë të vërtetën e përgjakshme për Putinin. Ata duhet të dinë që Rusia, një vend i madh i futur në një rrugë të tmerrshme, do të përqafohet vetëm kur të ketë sundimtarë që e trajtonë botën, dhe popullin e tyre, me respekt e jo me urrejtje, pavarësisht sa kohë duhet për këtë.