Diskutimet mbi masakrën në revistën Charlie Hebdo përfshinë aq shumë këndvështrime, informacion dhe njerëz sa krijuan në mjaft raste atë që Jean Baudrillard e quan groposje nga shpërthimi së brendshmi i kuptimit. Në rastin tonë ata zëra seriozë, ato mendje që përpiqen ta bëjnë shoqërinë të kuptojë diçka nga ngjarje kaq të mëdha, me ndikim kaq të madh, u zbehën para zhurmës së atyre që i gjykojnë ngjarjet si shfaqje.
Me një mprehtësi mahnitëse Daniel Kahneman flet për dy sisteme të menduari. Sistemi i parë është i menduari i shpejtë, automatik, i shpeshtë, stereotipik dhe i pavetëdijshëm. Për këtë sistem të menduari çdo gjë është një shfaqje dhe për të flitet në bazë të asaj çfarë sheh. Sistemi i dytë i të menduarit nuk i sheh ngjarjet apo dukuritë si shfaqje. Në të ka ngadalësi, përpjekje, analizë, logjikë, vetëdije.
Sapo ndodhi atentati ndaj Charlie Hebdo-së kryeministri shkroi në facebook se u “godit Franca e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë”. Presidentja Jahjaga, menjëherë pas lajmit se do të mbahet një marshim në Paris, u shpreh se “do të marr pjesë në nderim të viktimave”. Një gazetar që ndezi qirinj në mbrëmje para piramidës tha se Charlie Hebdo ishte emblemë e shtypit. Në televizione u diskutua me lehtësinë e komentimit të një ndeshjeje futbolli; shih dhe fol.
Pa menduar të gjejmë ndonjë të vërtetë përfundimtare do të përpiqemi të shohim se cilat janë vlerat e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë dhe cilat janë vlerat e Charlie Hebdo-së që u shenjtëruan pa ndalur.
Në perëndim, ndryshe nga njëngjyrshmëria servile dhe injorante tek ne, autorë të shumtë që prej kohës së revolucionit francez i cilësojnë idetë e tij si shkakun kryesor të disa prej dramave më të mëdha që njohu njerëzimi. Të gjithë e dinë se Charlie Hebdo është trashëgimtare e vijës së ashpër antiklerikale të revolucionit francez. Caroline Weber e universitetit të Harvardit e ka shpjeguar shumë qartë këtë trashëgimi.
Në kohën para revolucionit dhe gjatë tij në Francë gëlonin shumë vepra utopiste: romane, pamflete, por edhe filozofi e sociologji, të shkruara kryesisht nga Volteri, Rusoi, Dideroi, Meslieri, De Sade etj. Ato flisnin për njeriun e lumtur në gjendjen e natyrës, pa pronë private dhe me gra të përbashkëta.
I famshëm në këtë kohë u bë një libri Testamenti i Jean Meslier. Ky libër është shkruar në formën e një letre të një kleriku drejtuar besimtarëve. Në qendër të tij është urrejtja për fenë, e cila konsiderohet përgjegjëse për të gjitha të këqijat e botës. Në këtë libër Krishti shihet si një i marrë dhe fanatik i dëshpëruar.
Meslier shkruan se bota do të jetë e përsosur kur feja të eliminohet krejtësisht. “Pa fenë, thotë ai, nuk do të kishin lindur dy institucione shumë të dëmshme si prona private dhe martesa.” Për Meslier-in prona private duhet të zhduket ndërsa për martesën burrat dhe gratë duhet të çiftohen vetëm nisur nga kriteri estetik. Volteri e ishte shumë entuziast për këtë libër dhe porositi shpërndarjen e tij. Falë Volterit libri u shndërrua në thelbin e kulturës së asaj kohe.
Ndërkohë Didero, nën emrin Morelly, shkroi një libër të qajtur Kodi i Natyrës ose Fryma Autentike e Ligjeve, në të cilin ai thotë se fatkeqësitë e njeriut nisën kur u ndërpre gjendja natyrore. Rikthimi në gjendjen e lumtur të natyrës mund të bëhet me “progresin e arsyes” duke zhdukur së pari pronën private, e duke punësuar të gjithë njerëzit në shtet. Gjithë prodhimi duhet ti jepej shtetit. Ai që nuk do ti bindej këtyre masave nuk ishte vetëm një kriminel i thjeshtë, por ishte një armik i utopisë, i ëndrrës. “Feja e ka mbajtur njeriun në injorancë. Zoti është vetëm projeksioni njerëzve ndaj duhet të shfaroset edhe vetë ky emër, shkruan Didero .”
Veç këtyre ideve egërsisht antifetare mendimtarët e revolucionit ishin edhe racistë dhe antisemitë. Në Letrat e Amabed, Volteri shkruan: “Është një pyetje serioze nëse afrikanët kanë zbritur nga majmunët apo majmunët kanë ardhur nga ata”. Tek Veprat , ai shkruan:
“Nuk ka në gjithë historinë e njeriut asnjë gjë fisnike të kryer nga hebrejtë. Ata nuk njohin as mirësinë, as mikpritjen, as lirinë. Ata dinë vetëm çështë fajdeja. Për ta lumturia është vetëm djegia e shtëpive dhe fshatrave. Ata vrasin pleq dhe fëmijë.”
Gjatë revolucuionit këto ide të egra antiklerikale, raciste dhe anti-semite prodhuan mynxyra. Gjenerali Joseph Westerman që shkoi të shtypë lëvizjen në Vendé shkruante: “Vendé nuk ekziston më, vrava të gjithë burrat dhe gratë, të gjithë fëmijët dhe pleqtë.” Vendé u ngrit kundër dhunës ndaj fesë. De Sade urdhëronte zhveshjen lakuriq të burrave dhe grave, i detyronte të kryenin orgji dhe marrëdhënie seksuale homoseksuale. Më pas i lidhte dhe i hidhte në lumë. Gijotina nuk kurseu askënd që shihej si kundërshtar. Në Lion u përdorën topat sepse gijotina nuk mjaftonte. Në fuqi hyri terrori. Me dekret çdo prift që nuk betohej për besnikëri duhet të vritej. U mbyllën kishat dhe u shpall fe e re “arsyeja”, për të cilën u ngritën edhe tempuj.
E gjithë kjo u bë mbi idetë e përmendura më lart dhe nën parullën liri, barazi, vëllazëri. Pa hyrë në ravgime filozofike le të shohim pse këto ide në dukje të mira çuan në këtë zeznajë dhe pse zgjatime apo modifikime të tyre gjithnjë janë problematike.
Edhe SHBA është themeluar mbi ide të ngjashme, por atje ato sollën begati dhe liri, siç bëjnë ende. Për etërit themelues të SHBA, Madison, Franklin, Washington, Jefferson, gjendja natyrore ishte reale. Në atë gjendje njerëzit ishin të pajisur nga Krijuesi me të drejta natyrore si jeta dhe liria. Nën ndikimin e ideve të John Lock-ut ata besonin se qeveria duhet të ndërtohet për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e njërëzve.
Njerëzit e kanë në mënyrë të natyrshme lirinë dhe ajo duhet mbrojtur nga disa rreziqe. Rreziku kryesor vjen nga qeveria, nga shumica dhe më pas vjen nga vetë njerëzit. Për etërit themelues të SHBA-së, sipas ideve të Lock dhe Hobs, liria i përket të drejtave negative (nuk bëhet e qenësishme nga shteti) dhe të drejtat ekzistojnë në natyrë. Ato zbulohen me anë të arsyes dhe nuk krijohen nga filozofët apo qeveria. Ndërsa revolucioni francez dhe idetë e tij imagjinonin një botë të re në të cilën gjithkush dashuron dhe kujdeset për tjetrin, vetëm se për të bërë ta mundur këtë duhet të shkatërrohen të gjitha zakonet dhe ligjet e të kaluarës.
Në fakt kjo është një ide e Rusoit që besonte se njerëzimi, duke qenë i mirë si natyrë do të ekzistonte në një gjendje harmonie të plotë shoqërore nëse nuk do të ishin ndikimet korruptuese të së shkuarës. Në këtë gjendje njerëzit nuk mund të bënin keq kështu që askush nuk mund të jetë kundër tyre. Rusoi shkruan: “Kushdo që refuzon vullnetin e përgjithshëm do të detyrohet me dhunë të bindet.” Kështu liria është një e drejtë pozitive (qeveria e bën të qenësishme) e cila imponohet në shoqëri.
Ideja për barazinë është e lidhur me atë të lirisë. Përderisa liria është kolektive, shprehje e vullnetit të përgjithshëm dhe nuk përcaktohet individualisht atëherë natyrshëm shprehja e saj më e vërtetë është barazia e masave. Dikush mund të jetë vërtet i lirë vetëm nëse është në të njëjtën valë me vullnetin e përgjithshëm. Kështu që të gjithë duhet të jenë të barabartë. Në qoftë se do të kemi statuse, opinione, apo interesa të ndryshme atëherë nuk do të jemi të bashkuar në një vullnet të përgjithshëm.
Edhe ideja e vëllazërisë po ashtu buron nga dy të parat dhe i bën njerëzit pjesëtarë të unitetit kombëtar. Kësisoj liri, barazi, vëllazëri do të prodhonte domosdo gjithë atë dhunë kundër jetës dhe lirisë. Beteja kundër fesë është ngjizur në nga këto ide. Ajo vijon ende që atëherë. Ka letërsi, filma, piktura etj. që i janë përkushtuar kësaj përpjekjeje. Romanet e Markezit De Sade i përshktruajnë manastiret si vende orgjish. Në librin e tij “Filozofia e dhomës së gjumit”, virgjëresha Mari përshkruhet si një e përdalë e paturp, e ndyrë ndërsa Krishti si një despot, maskara dhe i paskrupullt. De Sade ishte një nga ideologët e revolucionit.
Po ashtu dadaizmi, surealizmi e kanë pasur fyerjen e fesë një objektiv të rëndësishëm. Psh. Luc Bunuel dhe Salvador Dali bënë film mbi një nga veprat e De Sade, “Koha e Artë”. Në të një personazh vishet si Krishti dhe bën orgji.
Edhe Charlie Hebdo është pjesë e kësaj tradite. Për dekada ajo ka sulmuar fenë, sidomos krishtërimin. Redaktori i saj, i ndjeri Charbonier, shprehej se kërkonte ta tallte aq shumë Iislamin sa ai të bëhej banal si krishtërimi. Ai shprehej se stafi mendonte vazhdimisht se cila mund të ishte karikatura më shokuese dhe atë bënin.
Vetë Franca nuk ka qenë dakord me Charlie Hebdo-në. Revista është hedhur në gjyq edhe nga vetë gazetarët francezë. Filozofi Thibaud Collin i kolegjit Stanislas shkroi në Le Monde pak ditë më parë se vlerat e Charlie Hebdo-së nuk janë vlerat e Francës. Kështu që para se të themi jemi me lirinë, barazinë dhe vëllazërinë duhet të dimë ç’janë ato. Përpara se të themi se Charlie ishte emblemë duhet të mendojmë. Të mos shihet gjithçka si shfaqje.