Jacob Gronholt-Pedersen
Mbreti i ri Arabisë Saudite pritet të vazhdojë politikën e mbajtjes së prodhimit të naftës në nivelet e tanishme, për të larguar prodhuesit rivalë nga tregu, megjithëse me ndërrimin e fronit vëmendja e tregut është te fati i ministrit jetëgjatë të naftës.
Mbreti Abdullah vdiq të premten në mëngjes dhe mbret u bë vëllai i tij Selmani, tha në një deklaratë oborri mbretëror i eksportuesit më të madh të naftës. Selmani emëroi vëllain e tij Mukriun si trashëgimtar, një lëvizje e menjëhershme për të parandaluar çdo krizë trashëgimie në një kohë kur Arabia Saudite përballet me trazira në kufijtë e saj.
Ndërsa mbreti i ri mendohet që nuk do t’i ndryshojë politikat e mbretit Abdullah për mbajtjen lartë të prodhimit të naftës për të mbrojtur tregun e kartelit OPEC, disa analistë thonë se ndërrimi i mbretit e kaluar vëmendjen e tregut te ministri i naftës Ali Al-Naimi.
“Mbreti Abdullah ishte artitekti i strategjisë së tanishme për mbajtur lart prodhimin dhe për t’i larguar nga tregu prodhuesit e vegjël,” tha John Kilduff, partner, Again Capital LLC në New York. Sipas tij, Selmani pritet që ta mbajtë lartë prodhimin.
Analisti i FGE, Tushar Bansal tha:
“Tani për tani, nuk priten ndryshime të mëdha në politikën saudite,” por tregu është i përqendruar te fakti nëse do të largohet apo jo ministri i naftës. Ali Al-Naimi është ministri i naftës që nga 1995… Është raportuar se ai shprehu dëshirën të largohej, por mbreti Abdullah i kërkoi të qëndronte deri sa ai të ishte gjallë. Kështu që pyetja e vërtetë është, nëse së shpejti vjen një ministër i ri, a do të çojë kjo në ndryshimin e politikës saudite të energjisë?”
Konsultuesi i IHS për naftën, Victor Shum, tha se spekulimet për fatin e ministrit të naftës mund të shtojnë pasigurinë e tregjeve, megjithëse ai nuk parashikon as ndryshimin e ministrit as të politikës së përgjithshme.
“Vendimi që Arabia Saudite të shtonte prodhimin (e naftës) është marrë pavaërisht kush mund të ishte mbreti,” tha Shum. Udhëheqësit sauditë nuk do të donin gjithashtu që të përsërisnin disa nga politikat e së shkuarës që patën efekte të kundërta.
Në vitet 1980, Arabia Saudite uli prodhimin e saj me synim të ulte çmimin kur kërkesa po binte dhe po shtohej prodhimi nga aktorë jashtë OPEC, dhe u përball me goditje të dyfishtë nga ulja e prodhimit dhe e çmimeve. Politikëbërësit sauditë nuk do ta bënin të njëjtin gabim përsëri, thonë analistët.
Ndryshim i madh në tregje
Vdekja e mbretit Abdullah vjen mes disa ndryshimeve të mëdha në tregjet e naftës në dekada. Çmimet e naftës janë përgjysmuar në kurriz të uljes së furnizimit dhe zbutjes së kërkesës, që do të thotë se prodhuesit realizojnë të ardhura shumë të ulëta.
Arabia Saudite përballet me deficitin e saj buxhetor të parë që nga 2009 dhe i duhet të bëjë marrëveshje me anëtarët e tjerë të OPEC, të cilët nuk janë dakord me strategjinë e uljes së çmimeve. Rritja e prodhimit të naftës shale nga SHBA e ka kthyer këtë vend nga importuesi më i madh në botë në tre prodhuesit më të mëdhenj.
E drejtuar nga Arabia Saudite, OPEC deklaroi nëntorin e kaluar se do të mbante prodhimin në nivel të qëndrueshëm me 30 milionë fuçi në ditë. Vendimi i OPEC për të mos vepruar synonte ruajtjen e pjesës së saj në treg kundër prodhimit shale të SHBA dhe eksportuesve të tjerë që nuk janë anëtarë të OPEC, si Brazili dhe Rusia.