Arrestimi i nipit të Enver Hoxhës, pas një hetimi ndërkombëtar, ngre shumë pikëpyetje mbi prapaskenat e pushtetit dhe politikës në Shqipëri. Ish-kryeministri Berisha pohoi se Ermal Hoxha ka lidhje me grupin “Hakmarrja për Drejtësi”, duke lënë të kuptohet se Ermali gëzon lidhjet e vjetra të trafikut, të ngritura nga gjyshi gjatë regjimit. Prej kohësh është folur në shtyp për lidhjet midis shtetit shqiptar dhe mafies italiane gjatë periudhës së diktaturës, dhe përfshirja e pinjollëve të familjes Hoxha në një rrjet global të trafikut të kokainës shton akoma më shumë dyshimet, ose të paktën ethet e fanta-gazetarisë, mbi ruajtjen dhe trashëgimin e lidhjeve të vjetra të kësaj veprimtarie.
Në fakt Berisha e ka konsumuar shumë profilin e kryeprokurorit të shfaqur vend e pa vend gjatë gjithë karrierës së tij politike, duke denoncuar e akuzuar këdo, i motivuar kryekëput nga interesat politike të ditës. Akuza e dalë prej tij vetëm sa zhvleftësohet, duke qenë se 13 vite në pushtet gjatë pluralizmit politik duhet t’i kishin mjaftuar t’i asgjësonte këto lidhje. Tani vetëm sa e shton ngarkesën e fajësisë mbi mënyrën sesi e pilotoi Shqipërinë në vitet e pushtetit, krahas përforcimit të hipotezave që e konsiderojnë lidershipin e tij si mundësi riciklimi për pinjollët e hierarkëve të djeshëm.
Edhe pretendimi i Ramës për ta konsideruar aksionin për arrestimin e këtyre trafikantëve si një sukses të qeverisë, në kurriz të paraardhësve, është kryekëput demagogji. Duke ditur që rezultati ka ardhur si pasojë e një hetimi ndërkombëtar, ekzaltimi i Ramës se kjo ishte një arritje madhore e policisë apo se «kjo është policia që duam» vijon qeverisjen televizive të Kryeministrit. Një lider i shqetësuar për rrjetet kriminale nuk do të kandidonte njerëz të inkriminuar, ose të paktën do të distancohej seriozisht nga fjalori dhe sjelljet e filmave Western që rregullisht na dhuron Parlamenti i “tij”.
Zbulimi i këtij trafiku është një lajm i keq që tregon se Shqipëria nuk është thjesht një vend korridor apo trampolinë drejt Europës për trafiqet, por është edhe një vend prodhues i kokainës, drogës më të shtrenjtë, që përbën pjesën e luanit në trafikun e lëndëve narkotike. Prej kësaj rezulton se asgjësimi i hambareve të hashashit nuk ka qenë goditje serioze për këtë sektor të veprimtarisë kriminale, për sa kohë që marjuana nuk zë ndonjë peshë të madhe dhe ndërkohë që asgjësimi i të mbjellave nuk u shoqërua me asgjësimin e rrjetit të trafkut.
Reagimi i familjes Hoxha e përmbledh më së miri parodinë ku është zhytur shoqëria shqiptare. Ilir Hoxha u ankua se arrestimi vjen në «vazhdën e persekutimit të familjes së tij [Enver Hoxhës]». Groteske apo jo? Djali i atij që ua familjarizoi shqiptarëve Spaçin ka kurajën të përfshijë në fjalorin e tij fjalën ‘persekutim’. Kjo nuk do të ishte e mundur pa kontributin e vyer të promovuesve të relativizmit moral në vlerësimin e diktatorit dhe romantikëve revolucionarë që u vërshëllejnë në vesh shqiptarëve këngë partizane. Deri para ca kohësh Ermalin e gjenim edhe në faqet e gazetës më të shitur shqiptare, si “bashkëshort ideal”. Jo vetëm harruam persekutimin e gjyshit, por shpesh herë na ofrohet të lexojmë shpjegimet e regjimit nga i biri (Iliri) dhe ta pranojmë nipin (Ermalin) si model.