U qetësuat? Festuat? Hëngrët? Pitë?
Keni lexuar der më tani 100 shkrime apo përmbledhje për të analizuar vitin që kaloi? Shumë mirë, rehatohuni të lexoni të 101-tin. Atë më pak analizuesin ndoshta, dhe sidomos me ngjarje që nuk ndjekin kronologji. Nuk do t’ju mërzis, do t’i bie shumë gjatë…
Si fillim, viti që na la shëndenë duhet ta ketë shumë, po shumë zili vitin që sapo erdhi. Që në ditën e tij të parë, viti i ri u rezervoi shqiptarëve një dhuratë që s’e prisnin. Duhej në fakt ta prisnin pasi dhurata ish paralajmëruar po ne jemi shqipo dhe ca gjërave s’para ua vëmë shumë veshin nëse s’kanë në përmbajtjen e tyre PS, PD, LSI, BE. Kabaja shqiptare në Vienë ishte thjesht unike dhe përlotëse. Lum 2015-ta që sa herë të nisin të flasin për të do ja përmendin këtë ‘bëmë’. Duhet vetëm të bëjë kujdes për ç’na rezervon më tej, se ja për shembull, na del Shkëlzen Doli pozitiv në testet antidoping e na rroftë, por të mos e ngarkojmë me përgjegjësi që tani, është ende ‘e vogël’…
Ndërkohë 2014-ta kish rezervuar gati gjithë ndodhitë e saj për në gjysmën e dytë të vitit. Në gjysmën e parë morëm frymë thellë, u tëroqëm disa hapa prapa për të marrë vrull dhe zjarr…
Fillimi i vitit ishte shaj, bjer, repliko, futu në grevë, dil nga greva për shkarkim-garkimet në administratë, vazhduam me cic micje të tjera për reforma territoriale. Shkurt, trashje. Asgjë e re. Me kalimin e muajve situata filloi të bëhej interesante. Fyle nuk u lodh së ardhuri në Tiranë dhe bindi shokët e tij në KE të rekomandonin Shqipërinë për marrjen e statusit. Gëzim i madh për mbarë shqiptarinë. Gëzim akoma më i madh kur në qershor KE na dha statusin. Ne ishim thjesht ai studenti i lodhshëm që i thua mëso këtë e atë ushtrim dhe eja në provim, po i bëre kalon. Ne s’mësuam ndonjëherë, besonim se presori do na e japë provimin vetë se u lodh me ne. Presori hiç, mëso edhe këtë thoshte. Ne po hiç. E pastaj presori u lodh, e i tha sekretariatit të na kalonte, ta merrnim këtë provim për të hyrë në provimin e diplomës. Kur do e marrim diplomën? Do e marrim apo do na e japin sërish për mëshirë? Hajt se folim. Të paktën Merkel bëri foto me Ramën dhe na siguroi mbështetje.Na duhet një goxha mbështetje, sidomos tu shpjegojmë shqiptarëve ç’është statusi, ç’fitojmë, pse u dashka…dhe a mund të pështyjmë pa hesap rrugëve pasi të marrim statusin? Sigurisht që po, qytetar o je o s’je, s’të bën statusi.
Të gjithë e qamë fatin e fshatit më të njohur në vend, Lazaratit. Ai fshat humbi gjelbërimin, Njerëzit e tij detyrimisht humbën shpresën. Pa gjelbërim, nuk ka jetë.
Nejse, në këtë fundvit, qeveria duke kuptuar gabimin e bërë me barin, më falni, gjelbërimin e Lazaratit vendosi të na kompensojë duke gjelbëruar me palma përgjatë autostradës TR-DR e më tej. Goxha gjetje! Na lehtësoi frymëmarrjen por jo trafikun…
Pastaj në Tiranë na erdhi Papa. Sa shpejt e sa bukur e pastrojmë shtëpinë ne shqiptarët kur na thotë miku që po vjen. Kur na merrte dikush në telefon në shtëpi e thoshte që po vijmë një vizitë mobilizoheshim të gjithë. Mua më ndodhte që disa rrëmujëra të mos i rregulloja por i fshihja ku të mundesha, boll të mos dukeshin sa ishin në shtëpi miqtë dhe pasi të kishin ikur mund ti sistemoja. Miqtë vinin e iknin, asgjë nuk risistemoja më, i lija ashtu. Sigurisht, me vizitën e Papës u ndjeva e përfaqësuar në këtë aspekt. Disa gjëra u vunë në vend, disa të tjera u fshehën poshtë ‘tapetit’, aq sa të mos dukeshin. Zemra peshë gjithsesi që Papa erdhi e iku shëndoshë. Asgjë nuk i ndodhi e asgjë nuk bëmë për të krijuar kaos e frikë. Qytetarë!
Nervin na e acaroi serbi ama. Por gjithsesi, i ngritëm dronin fizik me gjithë flamur në surrat dhe një dron tjetër, 2 metrosh, më vonë që guxoi të thosh në sy të Vuçiçit (kshu thuhet apo jo?) që Kosova, ti plak, është e pavarur.
Pastaj peshëngritja na ngriti peshë. Pastaj na hodhi poshtë. S’po mësojmë të rrijmë njëherë lart…
Para marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-serbe na tronditi vjedhja e Bankës. Më shumë akoma më tronditi fakti që guvernatori, i akuzuar, burgosur, para gjyqit, në liri me kusht, guvernatori pra, ai simpatiku, që me gjithë këto ndodhi në çdo vend tjetër të botës do ish fshehur në vrimën e miut qoftë edhe vetëm nga turpi, lëvizte triumfator nëpër panaire, promovime, ballo e manifestime të tjera…me qëllime bamirësie disa madje!!
Përveç guvernatorit, ‘flenë’ në parlament lloj lloj të pafytyrësh, hajdutësh e kriminelësh, boll të përmendësh mister 7 milion euroshin që është arbitër në parlament, ndërsa fushata (në shumë aspekte për tu përgëzuar) kundër abuzimeve me energjinë elektrike fut në qeli për 3.500 lekë, qytetarë që zgjedhin të varin veten, të rropaten e të gjejnë borxh për të paguar që të mos ua presin dritat e të thajnë ftohtit. Nuk ka asgjë të gabuar të kërkohet pagesa e energjisë elektrike, nga kushdo. Nuk ka asgjë të gabuar të dënosh vjedhësit e energjisë elektrike. Të gjitha këto duhet të ndodhin, por nuk janë serioze në një vend që vazhdon mban në piedestal Metat e Fullanët.
Por nuk munguan edhe festimet. U martua gati gjithë kabineti qveritar, me sakrifica e kursime, por u martuan shumë prej tyre. Kabineti u shtua ku me djem e ku me vajza. Ballot e festimet ndritën kryeminstri, pallate brigadash e të tjera. Të gjitha në një kohë kur emisionet investigative japin kronika familjesh që vuajnë skamjen, fëmijësh që në vend që të gëzojnë fëmijërinë janë të detyruar në acar të lajnë rrobat e babait e vëllait më të vogël. Festime e ballo ndërkohë që shpërblime nuk ka më për askënd dhe nëse ka, do jenë për të dalluarit. Përveçse shpërblime hiç, na fusin dhe në mendime të përcaktojmë çfarë e bën një mësues më të dalluar nga tjetri dhe një pensionist më të dalluar nga tjetri.
Festime pa moral, të pështira!
Falë Zotit jemi një popull që pavarësisht gjithçkaje, sapo ndizet muzika, sapo fillojnë tingujt popullorë fillojmë lëvizim këmbën, pastaj supin, pastaj çohemi në valle një nga një dhe e djegim. E djegim festën, edhe kur ka pak apo aspak për të festuar. Ne e djegim edhe me Ali Pashën që ka kokën në Stamboll dhe trupin në Janinë…
Gëzuar popull! Digjeni se s’e djeg njeri për ju…