Këtë fundviti droni i stadiumit të Beogradit u rikthye përsëri në memorien kolektive të shqiptarëve. Në studio të ndryshme televizive ngjarja e dronit u klasifikua si kryengjarja e vitit në një renditje tip hitparade, aq sa ndezi emocionet e debatuesve ngjashëm si në orët e para pas ngjarjes. Edhe ata që në sintoni mes tyre, me përbuzje e etiketojnë atë si një ngjarje folklorike, nuk e mohojnë se impakti i parë pamor “i invadimit” në stadium me dronin që mbante banderolën nacionaliste ishe entuziasmues dhe ngjallte ndjenja euforie patriotike.
Ngjarjen nuk la pa e përmendur me të njëjtat nota edhe kryministri Rama gjatë darkës së fundvitit me përfaqësuesit e medias. Pas vizitës së Papa Françeskut e cila e bënte të ndihej krenar, ngjarjen e dronit ai e citoi si atë që e bëri të mbetej më gjatë “pezull në ajër”. Dy ngjarjet janë diametralisht të kundërta: ndërsa njëra, si rrallëherë, përfshiu me përmasën e saj shpirtërore për disa orë hapësirën publike shqiptare, tjetra përsëri si rrallëherë, pas dalldisë kriminale të tifozerisë serbe, ngriu po të njëjtën hapësirë në një gjendje të përzier revolte, ankthi dhe krenarie.
Nuk kishte si të mos ishte kryengjarja e vitit ajo që determinoi në mënyrë skandaloze përfundimin e një ndeshje futbolli, e cila, që sa u lajmërua, u mendua si gati e pamundur. Për t’iu shmangur përgjegjësisë në dështimin e menaxhimit të një ndeshje të tillë ngjarjes iu mbivendos një situatë gati apokaliptike. “Po sikur droni të kishte bombë”, tha shefi i futbollit europian në prononcimin e parë pas ndeshjes. Bomba e vërtetë gjendej tek fjala provokuese e burokratit të UEFA-s, dhe ajo e dha efektin e saj duke ditur sa mirë shoqërohen mediatikisht termat “dron” dhe “bombë”.
Droni në fakt nuk ishte nga ata të militarizuarit që ndërmarrin sulme vdekjeprurës, por dhunë në stadium shkaktoi gjithsesi. Në këtë prizëm edhe në rastin kur një dron i përmasave modeste u kurdis nga shqiptarë, ngjarje që solli gjerësisht në vokabularin tonë fjalën dron, ai pashmangshmërisht u bashkëshoqërua me termat dhunë, incident apo provokim. Vetëm se në këtë ngjarjen tonë droni dhe dhuna vinin nga kahje të kundërta; shqiptari lëshoi dronin, serbi tundi stolin.
Aq mirë iu përshtatën njëra-tjetrës termat “dron” dhe “bombë” sa që edhe pas gati një muaji nga ngjarja, deklaratën e tij në Beograd, ku kërkohej që të njihej Kosova nga Serbia, kryeministri e përshkroi si diçka shokuese, si një bombë që i plasi bujësit në shtëpinë e tij.
Kur u kthye në vend, para shtypit, Rama me ironi temën që mbizotëroi vizitën e tij në Beograd e krahasoi me atë të valëvitjes së simboleve kombëtare me dron. Ky shoqërim i erdhi për mbarë edhe sepse mediat serbe akuzuan vëllain e tij si njeriu që fshihej pas ngjarjes me dron. Shprehimisht shtypit ai i tha: “U bëmë familje dronash më duket, meqë e hodhi vëllai im të parin s’mund të rrija dhe unë pa hedhur të dytin”. Duke ditur shijen e opinionit të gjerë të shqiptarëve në lidhje me dronin, kryeministri shkujdesshëm, deklaratën e tij kurajoze në Beograd e shartoji mbi simbolikën e ngjarjes së parë, për të siguruar kështu një frut edhe më të shijshëm për t’iu servirur publikut.
Dronët janë bërë të zakonshëm tashmë, kjo dhe falë publicitetit të fituar nga ngjarja jonë. Si me cilëndo risi teknologjike e cila në fillim tërheq vëmendjen e gjithkujt, pas pak ato kthehen në objekte të përdorimit të gjerë dhe magjia e tyre fillestare ia lë vendin aktivitetit të tyre rutinor. Për shpikësin e saj deri në konkretizimin e risisë teknologjike ajo është një ëndërr e cila do kohën dhe energji të konsiderueshme për t’u materializuar. Më pas, e kthyer në realitet, është konsumatori ai që ëndërron ta vërë në përdorim risinë sipas interesit dhe fantazisë së tij. Shqiptarët tashmë lanë gjurmë në histori për kreativitetin origjinal në përdorimin e dronëve. Në lartësi, në habitatin e tyre, këto mjete këtu poshtë tek ne shkaktojnë xhelozi: kush zotëron dronin ka pushtet tek të tjerët.
Gjatë fushatës së fundit presidenciale në Amerikë dy këngëtarë rap bënë një këngë që ironizonte një bashkëbisedim të supozuar elektoral mes dy kandidatëve për president. Frazën e famshme të Martin Luther King. jr “unë kam një ëndërr” duke i përshtatur rimën ata e shndërruan në; “unë kam një dron” dhe me këtë modifikim fjalësh portretizuan presidentin e parë afro-amerikan të SHBA-ve. Sakaq shpresa e shumëpritur zëvendësohet nga frika në dimensionin e saj robotik. Këtë lojë fjalësh kaq emblematike e morën dhe komentatorë të tjerë për vënë në dukje anët e errëta të administratës Obama në çështjet e sigurisë. Ëndrra e misionarit për të drejtat civile e prekur pas dekadash nga një president afro-amerikan fashitet pas përmasës së frikshme të shkeljes së të drejtave të njeriut me përdorimin e gjerë të dronëve të militarizuar.
Sa ironike kur mendon se ndërsa SHBA, superfuqia e vetme e cila që dikton sot shumëçka në arenën ndërkombëtare, përpiqet t’i shmanget identifikimit me politikat e dronëve, paçka se i përdor ato gjithnjë e më dendur, ndërsa kryeministri ynë identifikohet me dronin simbolikisht si në një lojë. Sigurisht, droni ynë nuk është i njëjtë me ato që rëndom përdor Baraku, por ne e emërojmë atë ngjashëm.
Pati dhe një variant tjetër emërtimi, kjo kryesisht në hapësirën e Kosovës që e identifikonin mjetin thjeshtë si “fluturake”, por kjo këndej kufirit nuk pati gjasë të ngjisë, mbase sepse fonetikisht përngjet me termin pezhorativ, “bredharake”. Droni ynë nuk është “bredharake”, apo thjesht “fluturake”. Përkundrazi, në kontekstin e stadiumit ai mishëroi shqiponjën, edhe pse në “kthetra” mban gjithashtu një tjetër shqiponjë, atë të flamurit.
Në rivalitetin lokal mes Shqipërisë dhe Serbisë, megjithëse modest në dimensionin e saj gjeopolitik, “agresioni” me dron rezultoi i suksesshëm. Shqipëria e vogël me arsenalin e saj luftarak klasik tashmë të shkrëmoqur, u përball denjësisht me “armikun” aty ku nuk pritej, mu në mes të Beogradit. Kjo ishte “katastrofike” për serbët, edhe pse të mësuar tashmë me virusin e katasrofave kombëtare, pasi fillimisht, ashtu pa shkrepur asnjë pushkë, triumfuam mes tyre. Mbase kjo është fluturakja e vonuar, një kontribut amator ndaj aleancës, pas asaj morie “fluturakësh” të frikshëm që shkrumbuan Beogradin më shumë se një dekadë më parë.