Jessica Gresko, Jack Gillum, Ken Dilanian
SHBA dhe Kuba do të nisin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve të plota diplomatike, duke shënuar ndryshimin më të madh në politikën amerikane përkundrejt ishullit komunist në dekada, thanë zyrtarë amerikanë të mërkurën. Lajmi vjen pas një serie masash për ndërtimin e besimit mes dy armiqve për një kohë të gjatë, përfshi dhe lirimin e amerikanit Alan Gross dhe të tre kubanëve të burgosur në SHBA.
Senatori Marco Rubio, republikan nga Florida, tha se SHBA dhe Kuba po lëviznin drejt normalizimit të lidhjeve ekonomike dhe tregëtare. Ai tha gjithashtu se SHBA do të hapte një ambasadë në Havanë në muajt e ardhshëm.
“Kjo nuk do të bëjë asgjë për më shumë të drejta qytetare dhe demokraci në Kubë,” tha Rubio në një intervistë, “por ndihmon që t’i japë shtysën ekonomike për të cilin ka nevojë regjimi i Kastros që të bëhet cilësi e përhershme në Kubë për disa breza.”
Alan Gross, 65 vjeç, u nis drejt SHBA me një aeroplan amerikan të mërkurën pasi u lirua për arsye humanitare nga qeveria kubane me kërkesë të administratës së Obamës. Si pjesë e bisedimeve të fshehta për lirimin e tij, SHBA liroi tre kubanë të burgosur në Florida për spiunim.
Zyrtarët e administratës së Obamës e kanë konsideruar burgimin e Gross-it si një pengesë për përmirësimin e marrëdhënieve me Kubën.
Kuba liroi së bashku me Gross-in një “asset” spiunazhi jo amerikan, sipas zyrtarëve amerikanë. Ky zyrtar dhe të tjerë folën me kusht anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar të identifikoheshin para deklaratës së Obamas.
Bonnie Rubinstein, motra e Gross, e dëgjoi lajmin nga një kushërirë, që e kishte dëgjuar në televizor.
“Ne klithëm e hidheshim nëpër shtëpi,” tha ajo në një intervistë të shkurtër nga shtëpia e saj në Teksas.
Gross u arrestua në dhjetor 2009, ndërsa punonte për vendosjen e internetit si nënkontrator për Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar t\ qeverisë së SHBA (USAID), e cila punon për promovimin e demokracisë në vendet komuniste. Ai ishte udhëtimi i tij i pestë për të punuar me komunitetin hebre për vendosjen e internetit, që anashkalonte censurën lokale.
Kuba e konsideroi programin e USAID si përpjekje të paligjshme për të minuar qeverinë e saj, dhe Gross u dënua me 15 vjet burg.
Tre kubanët e liruar në shkëmbim me Gross-in janë pjesë e të ashtuquajturit Pesë Kubanët, një grup që ishte pjesë e “Rrjetit të arrëzave” të dërguar nga ish-presidenti Fidel Kastro për të spiunuar në Floridën jugore. Ata, të cilët konisderohen heronj në Kubë, u dënuan në 2001 në Miami me akuzën për spiunazh dhe mos regjistrim si agjentë të huaj në SHBA.
Dy prej Pesë Kubanëve u liruan pasi mbaruan dënimet.
Në një deklaratë me rastin e 5 vjetorit të burgosjes së Gross-it në fillim të dhjetorit, Obama nënkuptoi që lirimi i tij do të ishte një kusht në marrëdhëniet me Kubën.
“Lirimi i Alan-it nga qeveria kubane për asrye humanitare do të largonte një pengesë për marrëdhënie më konstruktive mes SHBA dhe Kubës,” tha Obama në deklaratë.
Obama ka hedhur disa hapa për të zbutur kufizimet e SHBA ndaj Kubës, pasi Raul Kastro mori presidencën në 2000 nga vëllai i tij i sëmurë. Ai ka kërkuar që të lehtësohet udhëtimi i amerikanëve që kanë familjarë në Kubë dhe heqjen e kufizimeve financiare për ta, por nuk ka pranuar për heqjen e embargos.
Mes ndryshimeve që priten si rezultat i përmirësimit të marrëdhënieve është dhe lejimi i amerikanëve që shkojnë Kubë, që në kthim, të sjellin mallra deri në vlerën e 400 dollarëve, përfshi dhe prodhime duhani dhe alkooli, në vlerë më pak se 100 dollarë, së bashku. Kjo do të thotë se ndalimi i gjatë i purove kubane ka mbaruar, megjithëse ka ende kufizime, sipas zyrtarëve amerikanë.