Stefan Wagstyl
Gjermania po shton përfshirjen në Ballkan e shqetësuar që Rusia kërkon të rikonfirmojë veten përtej Ukrainës, më thellë në Europën juglindore. Presidenti Joachim Gauck vizitoi Slloveninë këtë javë, shfaqja më e fundit e vendosmërisë së Berlinit për t’iu kundërpërgjigjur shqetësimit në rritje për shtimin e influencës së Rusisë në këtë rajon.
Në kontrast me presidentin rus Vladimir Putin, i cili e kaloi shumicën e takimi të tij të kohëve të fundit në Serbi, duke parë një paradë ushtarake, ish-prifti protestant vizitoi një qendër trajnimi profesional, një manastir dhe një fabrikë avionësh. “Një vizitë nga zyrtari më i lartë gjerman demonstroi përkushtimin tonë në rajon,” tha Roderich Kiesewetter, anëtar i parlamentit gjerman dhe anëtar i komisionit për punët e jashtme, me interes të veçantë për Ballkanin. “Duhet t’i shtojmë vizita të tilla. Duhet të dërgojmë gjithashtu më shumë ekspertë [për të asistuar në reformat ekonomike dhe politike]” – tha Kiesewetter. “Duhet ta pranojmë që kjo do të kushtojë më shumë… Duhet të përgjigjemi. Rusia po vjen në këtë rajon si konkurruese”.
Kriza në Ukrainë po shton frikën në kryeqytet perëndimore se Moska kërkon të imponojë vullnetin e saj mbi vende të tjera të Europës lindore, përfshi Ballkanin. Angela Merkel e ngriti zërin për shqetësime të tilla gjatë udhëtimi në Australi në takimin e G20 në nëntor, duke thënë se nuk dëshironte të ktheheshin ditët kur Moska diktonte vendimet në kryeqytete të tjera europiane. “Nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me Gjeorgjinë. Dhe nëse kjo shkon më tej, a do të habitemi me Serbinë, me Ballkanin perëndimor?” tha kancelaria. Ajo e bëri të qartë se Gjermania do të përgjigjej, duke thënë: “Kjo nuk është në përputhje me vlerat tona”.
Zyrtarët gjermanë shqetësohen se zoti Putin, që një herë e përkufizoi rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën gjeopolitike më të madhe të shekullit 20”, është fokusuar në shtete të tjera veç Ukrainës, të cilat janë të dobëta politikisht ose ekonomikisht, si ish-republika e Jugosllavisë. Ndërsa Kroacia dhe Sllovenia janë tashmë anëtarë të BE, vendet e tjera të Ballkanit perëndimor po përpiqen të anëtarësohen.
Berlini frikësohet se edhe vende anëtare të BE janë të dobëta – veçanërisht ato me lidhje ekonomike dhe historike, si Bullgaria. Në shënjestër të Moskës janë vendet e varura nga gazi rus, përfshi Sllovakinë dhe Hungarinë, dhe vende me minoritet rus të konsiderueshëm, si Estonia dhe Letonia. “Kjo ka të bëjë me ndikimin e Moskës në botën e jashtme,” thotë një zyrtar gjerman. “Nuk ka arsye pse të kufizohet te Ukraina. Nëse ata dëshirojnë të shfaqin pretendime për të ardhmen ata mund ta bëjnë këtë kudo. Serbia duket qartazi”.
Serbia mund të jetë veçanërisht e dyshimtë për Moskën për shkak të pakënaqësisë së saj pas luftërave në Ballkan të viteve ‘90. Beogradi refuzon ta pranojë humbjen e Kosovës, me shumicë shqiptarë etnikë, e cila u shkëput pas luftës së 1999. Ndërsa shumica e vendeve të BE e njohin pavarësinë e Kosovës, Rusia mbështet pozicionin e Beogradit.
Ndërsa Aleksandër Vuçiç, kryeministri modernizues i Serbisë, shtyn për anëtarësimin në BE, nacionalistët këmbëngulin që ai nuk duhet të përulet nga presioni i Brukselit për të njohur Kosovën. Prej kohësh Rusia e ka parë Serbinë ortodokse si vëllain e vogël kulturor, dhe ka shtuar lidhjet ekonomike. Gazpromi, grupi rus, për shembull, ka marrë kontrollin e kompanisë së gazit në Serbi.
Ndërkohë kriza financiare globale ka krijuar gjithashtu mundësi për marrëveshje financiare ruse, thonë analistët, duke reduktuar tregtinë, investimet dhe veprimtarinë bankare me BE, e duke rritur papunësinë. Stefan Mister, nga grupi i politikave të jashtme DGAP në Berlin, thotë” “Rusia po zhvillon strategji për të gjitha këto vende. Edhe aty ku nuk ka plan ushtarak, ka një fushatë mediatike, financimi dhe korrupsioni.”
Zonja Merkel ka zgjedhur të kundërpërgjigjet me iniciativë diplomatike, përfshi samitin e parë ballkanik në histori, me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, që u mbajt në Berlin në muajin gusht. Vizita e Gabriel dhe Guchk pritet të pasohen nga të tjerë. Kiesewetter thotë se Berlini duhet të reagojë dhe ndaj ndryshimeve pozitive, si zgjedhja e Klaus Johannis, presidenti rumun me orientim reformash, i cili “meriton përkrahje.”
Por shumë vetë në Berlin nuk pranojnë idenë që Rusia është problem në Ballkan. Sfida reale është dobësia e BE, thotë Dushan Reljiç i thinktankut SWP. “Nuk ka asnjë mundësi që Rusia të manipulojë ndokënd në terren. Popujt e Ballkanit duan të anëtarësohen në BE, dhe jo çfarë mund t’u ofrojë Rusia. Ndikimi i Rusisë nuk është në rritje. Ndikimi i BE ka ardhur në rënie që nga kriza financiare e 2009”. Por ashtu si Kiesewetter, Reljiç thoshe se Berlini vepron drejt me fokusimin në Ballkan “dhe fokusimin e vëmendjes te BE”.