Një grua në SHBA e bindi një gjykatë të lëshonte një urdhër mbrojtjeje kundër ish-bashkëshortit të saj, por një javë pas vendimit, shkruan Washington Post, ish-burri shkroi në Facebook:
“Palose PFA-në [vendimi i gjykatës] tënde dhe fute në xhep,
A është i trashë të ndalojë një plumb?”
Një juri arriti në përfundimin se postimi poetik në Facebook, sipas motiveve të muzikës rap që autori admironte, përbën “kërcënim real” për gruan e tij dhe të tjerët. Tani radhën e ka Gjykata Supreme e SHBA, raporton gazeta, që të gjykojë, nëse është i drejtë apo jo vendimi i jurisë. Ky do të jetë hera e parë që gjykata merret me ekzaminimin e kufijve të fjalës së lirë në mediet sociale.
“Çështja është nëse [Anthony] Elinis duhet të ndëshkohet apo jo për atë që ai thotë se ishte shfryrje inati – “një përpjekje shërimi për të trajtuar ngjarje tronditëse”, siç thotë deklarata e tij në gjykatë – sepse ajo që ka rëndësi nuk është qëllimi i tij, por fakti nëse njeriu normal i vënë në shenjë në ato vargje duhet t’i marrë ato si paralajmërime të rrezikshme,” shkruan e përditshmja amerikane.
Palët në këtë çështje i kërkojnë gjykatës të marrë në konsideratë cilësitë unike të medieve sociale. Sipas gazetës, në kohën e rritjes me shpejtësi të medieve sociale, vetëm emocionet e herëpashershme mund të tregojnë nëse autori flet me satirë, humor të zi, shkruan poezi, apo shpërndan paralajmërime të errëta që u kanë paraprirë gjuajtjeve me armë në shkolla apo veprime të tjera të dhunës në masë.
Elonis, i cili ka bërë burg për statuset e tij në Facebook, dhe disa nga përkrahësit e tij thonë se gjykata duhet të shikojë përtej përmbajtjes së dhunshme për të kuptuar qëllimin e autorit.
Ekspertët e dhunës në familje thonë se mediet sociale janë bërë një instrument i fuqishëm për shpërndarë kërcënime.
Kjo çështje ka të bëjë shumë me Amendamentin e Parë (të Kushtetutës) në lidhje me të drejtat e fjalës së lirë dhe shprehjes artistike.
Avokati Donald B. Verrili Jr., përfaqësues i qeverisë, në deklaratën e tij për gjykatën, deklaroi se “Miqtë në Facebook përgjithësisht i shikojnë statuset e njëri-tjetrit dhe gjithashtu mund të shikojnë përmbajtjen e njëri-tjetrit si pjesë e newsfeed.”
Avokati i Elonis në Gjykatën e Lartë, deklaroi për gjykatën, shkruan gazeta, se postimi në Facebook ishte “shoqëruar me simbolin e një fytyre me gjuhën jashtë, që tregon humor.”
Disa gjykata kërkojnë që prokurorët të tregojnë se personat e akuzuar synojnë t’i zbatojnë paralajmërimet e tyre, me qëllim që të dënojnë dikë për “kërcënime për të dëmtuar një përson tjetër.” Por shumë gjykata nuk e kërkojnë këtë.
Gjykata e Apelit në Filadelfia e la në fuqi dënimin e Elonis-it, dhe ai vuajti më shumë se tre vjet prej dënimit të tij me 44 muaj burg.
Gjykata Supreme e SHBA nuk ka dhënë kurrë një përgjigje të prerë nëse qëllimi i një personi duhet vërtetuar me prova ose jo. Më 1969, Gjykata vendosi në favor të një personi që ishte akuzuar se kishte kërcënuar presidentin Lyndon B. Johnson: “Nëse më detyrojnë ndonjëherë të mbaj armë [të shkonte ushtar], personi i parë që dua të më dalë përpara është L.B.J.”