Menjëherë pasi ambasadori amerikan A. Arvizu e quajti E. Hoxhën ‘mostër’, u shfaq garda e vjetër e sistemit, ajo që u riciklua në 1997 me poste të rëndësishme shtetërore dhe sot ndjehet në pozita komode. Fillimisht ishte Servet Pëllumbi ai i cili nënvizoi aleancën e Hoxhës me amerikanët gjatë Luftës së Dyte Botërore. Pastaj Sabit Brokaj i kujtoi ambasadorit Arvizu ndihmesën që Hoxha i dha amerikanëve dhe NATO-s me largimin e sovjetikëve nga Vlora. Kjo e fundit vjen si reminishencë e atyre tezave qesharake të përhapura gjatë regjimit, ku na mësohej se dikur kishim shpëtuar Europën e qytetërimin, tani ShBA-në dhe NATO-n.
Duket sikur në ambiente të tilla qarkullon ideja e kristalizuar se Ever Hoxha ishte aleat i Perëndimit, ose të paktën i shërbeu tërthorazi në ndonjë moment historik. E meqenëse ishte në anën e Perëndimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, logjikisht paska qenë njeri i mirë e jo mostër.
Së pari, bie në sy tendenca për t’ia përmendur Tjetrit çdo kontribut dhe për t’i kërkuar deri edhe shpërblim. Kujtojmë këtu një deputet të maxhorancës – të cilin ambasada amerikane e konsideronte trafikant – që pasi vizitoi komunitetin hebraik në ShBA kërkoi ta ndihmonin Shqipërinë në emër të altruizmit “tonë” ndaj hebrenjve gjatë LDB. Së dyti, të jesh mik i Perëndimit nuk është vlerë dhe as virtyt, e le pastaj që nuk të bën detyrimisht njeri të mirë dhe të pakritikueshëm.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ShBA kanë pasur J. Stalinin aleat më të afërt se E. Hoxhën. Edhe Stalini udhëhoqi një luftë çlirimtare kundër nazizmit. Mos vallë duhet të fillojmë e të mendojmë se Stalini ishte njeri i mirë vetëm për këto dy arsye? Duhet t’ia falim krimet ndaj njerëzimit? ShBA kanë pasur aleat edhe S. Huseinin, por kjo nuk i pengoi ta gjykonin me vdekje, siç nuk i pengon fare trupat tona ushtarake të jenë pjesë e një misioni që si motiv fillestar kishte çlirimin e Irakut nga regjimi i ish-aleatit Sadam dhe vendosjen e demokracisë. Është njëlloj sikur të themi se fakti që Selia e Shenjtë nënshkroi një marrëveshje me B. Musolinin e bën këtë të fundit më pak diktator dhe në ceremonitë zyrtare të Shtetit italian mund të ekspozohet portreti i tij.
Hoxha thjesht u ndodh në një llogore me ShBA. Ai nuk kishte llogore të tjera të mundshme për të investuar ardhjen e tij në pushtet e as nuk ishte produkt amerikan. Qasjet e tij ndaj ekonomisë, sistemit politik, lirive e të drejtave të njeriut, njeriut në vetvete, rrugëtonin në një drejtim krejtësisht të kundërt me “aleatët” perëndimorë. Mënyra sesi Hoxha e trajtoi shqiptarin e pas (dhe gjatë) 1944 është defteri i gjykimit të tij, që Arvizu me të drejtë përdor. Me fjalë Hoxha ishte mjaft i pikëlluar për vietnamezët, mbase ka qenë edhe mik i amerikanëve, por ndërkohë ushtari që vriste një shqiptar në kufi, sepse tentonte të shkonte drejt aleatëve të LDB, nderohej me dekoratë dhe shpërblehej me leje, kurse familja e viktimës, që në rastin më të mirë – kur nuk ekspozohej si trofe – arrinte të fitonte një varr, përfundonte diku në internim dhe e mohuar.
E keqja vjen nga mosdënimi me ligj i atyre që ekspozojnë portretet e Enver Hoxhës. Por ky mosndëshkim buron nga fakti se ai regjim u riciklua me pushtetarët e ardhur pas 1990-s, të cilët e lejuan të transformohej, thjesht duke i vënë ca etiketa anakronike, dhe, një herë që i ishin larë mëkatet, ia mundësuan ardhjen në pushtet me dhunë në 1997. Karshi një shkalle të hierarkisë së lartë publike, e cila gëzon lirinë e botimit të vlerësimeve për Hoxhën në mediat më të mëdha shqiptare, ato portretet e Hoxhës nëpër ceremoni publike bezdisin aq sa reklamat e kompanive telefonike. Sot mund të thuhet se kalimi i butë i pushtetit në 1990, që sojin e Servetëve e Sabitëve e shpëtoi nga gropat anonime, ku ai “burri i mirë” dhe “aleat i Perëndimit” varrosi njerëz në tufë (për më shumë se 4 dekada), është burimi i parë i fatkeqësive.