pb
I vënë në pozitë nga flirti nekrofilik me portretet e Enverit, kryeministri Rama mbajti një shfaqje oratorie antienveriste në një bunker atomik të periudhës komuniste të hapur tashmë për publikun e gjerë. Natyrisht është gjë e mirë hapja e objekteve të tilla ku ekspozohet paranoja e atij regjimi, por dekorimi i tyre me skarcitete kreative me pretendime artistike, ashtu siç ndodhi edhe me shtëpinë e diktatorit që u shndërrua në një spektakël snobizmi e ekstravagance pa kuptim, shpërqendron totalisht vëmendjen nga objekti kryesor, duke ekspozuar më shumë formën se përmbajtjen. Muzeume të tilla duhet të qendrojnë thelbësisht si dëshmi të së kaluarës sesa si mjedise të ekspozimit të fantazive pa shije të kryeartistit të vendit dhe stafit të tij poetik. Diktatura, totalitarizmi, dhuna, terrori janë gjëra serioze, për t’u shoqëruar me xhinglat pop të ish-artistëve tashmë në lirim, të konvertuar në politikanë e politikëbërës.
Qendrimi i Ramës në fjalimin e tij ishte deri diku i mirë në vija të trasha, nëse do të mbahej nga një njeri pa histori në politikën shqiptare. Por kur e lidhim tekstin e tij me veprimet e veta përgjatë këtyre viteve në politikë na del një mungesë e thellë sinkronizmi e nuk na përputhet zëri me figurën. Gjithashtu, Rama shfaqet kontradiktor në disa aspekte, gjë që tregon se nuk i ka seriozisht ato që thotë.
Nga njëra anë shprehet se qeveria nuk duhet të ndërhyjë në shkrimin e historisë, ndërsa nga ana tjetër ka vite që ndërmerr nisma e fushata për të promovuar data e momente historike, shumica e të cilave janë tepër të diskutueshme në rrafshin akademik. Ai madje neglizhon të shpenzojë fonde dhe vëmendje për data shumë herë më të rëndësishme dhe, mbi të gjitha, unifikuese për shqiptarët, siç është Dita e Pavarësisë, por shkarkon të gjitha bateritë e marketingut në festa plot debat si 29 nëntori. Ai kërkon depolitizimin e shkrimit të historisë, por ndërkohë është në zemër të veprimtarisë për të bërë politikë me të. Ai thotë se qeveria nuk duhet kurrsesi të shkruajë historinë, ndërkohë që ka ngritur një komision për rishkrimin e saj dhe rregullimin e teksteve shkollore, duke i varur madje Paskal Milos mëlçinë në qafë; duke ia besuar rishkrimin pikërisht atyre që e keq-shkruan dhe masakruan historinë e këtij vendi.
Gjithashtu, nga njëra anë Rama thotë se historia u duhet lënë shkencëtarëve, historianëve, dhe se qeveria nuk duhet të ndërhyjë në punën e tyre, siç ndodh në të gjitha vendet perëndimore, ndërsa nga ana tjetër thotë vetë me gojën e tij se historianët dhe shkencëtarët janë ndarë në kampe politike. Pyetja shtrohet, se si mund ta shkruajnë historinë ata që janë të politizuar?
Teksa flet me seriozitet e veneracion për vuajtjet dhe sakrificën e viktimave të regjimit komunist, duke iu referuar edhe Gjermanisë si model i përkushtimit për të nderuar viktimat e së shkuarës, vetë promovon xhelatët për periudha më të mëhershme, për pjesëmarrjen e tyre në një luftë kinse clirimtare, të cilën e përdorën si trampolinë drejt pushtetit dhe instalimit të terrorit më të tmerrshëm që ka parë ndonjëherë ky vend. Dhe këtë e bën ndërsa nuk ka bërë asgjë për të zbardhur historinë reale të kësaj tragjedie, e cila i ka ende të freskëta plagët.
Në fjalën e tij tha:
“Ne jemi këtu për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën, jo për të rishkruar historinë, por për ta ekspozuar të shkuarën në gjitha format që e disponojmë, si një mundësi për t’i vendosur përpara syve të gjeneratave të reja, në radhë të parë, por edhe të gjithë të tjerëve, dëshmitë e saj, skutat e saj, imazhet e saj, dokumentet e saj”.
Por cilën të shkuar mund të ekspozojë qeveria, kur e shkuara nuk është zbardhur ende, duke qenë se historia ende nuk është ri-shkruar? Patjetër, ka një dallim midis shkrimit të historisë dhe promovimit të vlerave të nxjerra nga momente të caktuara të saj, por këto janë gjëra të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Nuk mund të ketë një proces promovimi, pa një angazhim serioz të zbardhjes së historisë. Ndryshe do të ekspozosh errësirën e së shkuarës. Ndër të tjera Rama nuk ngurroi të sulmojë të gjithë të injdihuarit nga prania e portreteve të Enver Hoxhës në ceremonitë zyrtare të qeverisë gjatë promovimit të luftës partizane:
“Një kujtesë kolektive që sot e gjithë ditën shqetësohet, lebetitet nga hedhjet e shashkave kur shfaqet një fotografi e Enver Hoxhës. Enver Hoxha doli, doli Enver Hoxha, e nxorën, po e rehabilitojnë, erdhi! Ku erdhi?! Ku, ku, kush, si?! Ne jemi ata që i kemi mbyllur hesapet me Enver Hoxhën në vitin 1990. S’kemi asnjë problem t’ia shikojmë nga të katër anët këndet e vështrimit dhe bëmat. Në ndërkohë ne jemi ata që do çojmë përpara projektin e çlirimit të kësaj kujtese kolektive nga këto makthe.”
Pikë së pari, arroganca e Kryeministrit ndaj reagimeve qytetare mbi shfaqje të tilla të shëmtuara si prania e portreteve të Enver Hoxhës në ceremonitë zyrtare të shtetit, është e ulët. Kjo jo vetëm për faktin se është fare normale që njerëzit të kenë të drejtë ta interpretojnë në mënyrën e tyre këtë shfaqje të qeverisë, por, për më tepër, këtu është qeveria në gabim dhe jo të pakënaqurit prej saj. Qeveria e ka për detyrë të pengojë shfaqje të shëmtuara si këto në ceremoni zyrtare, nëse nuk i ka stimuluar vetë, qoftë edhe indirekt apo në mënyrë të pavullnetshme. Meqë i referohet Gjermanisë si model të trajtimit të së shkuarës, nuk mund të ndodhë që qeveria në këtë vend të organizojë ceremoni zyrtare ku të pranishmit të brohorasin me fotot e Hitlerit në duar. Nga kjo pikëpamje arroganca e Ramës bëhet harbute duke akuzuar e dënuar të tjerët për fajet e veta.
E dyta, nëse Ramën nuk e shqetëson prania e portretit të kryekriminelit historik të këtij vendi në ceremonitë zyrtare të shtetit, ky është problem i tij dhe kjo ka të bëjë me raportin e tij me të keqen dhe krimin. Qytetarët nga ana e tyre kanë të drejtë të ndjehen të fyer, pasi shohin t’u tundet përpara syve, në mënyrë revanshiste, protreti i një njeriu që ia ka nxirë jetën një populli të tërë, për të mos folur për ata që vuajtën burgjeve e kampeve të përqendrimit, për ata që kanë familjarë të vrarë e masakruar, për ata që ende nuk kanë një varr për të afërmit e tyre, e për ata që vuajnë sot pjellën e regjimit, Njeriun e Ri, një bir allasojit që nuk njeh pronën publike, Tjetrin dhe as kufirin e vet. Nëse kryeministrit nuk i interesojnë këta njerëz dhe është i pandjeshëm ndaj vuajtjes që brengos qytetarët e tij, aq më keq për të. Nëse nuk ka vlerë ekspozimi i të keqes, atëherë ç’vlerë ka ekspozimi i të mirës? Prej këndej, ç’vlerë ka kujtimi i gjakut të dëshmorëve kur ai përlyhet në ceremonitë qeveritare me figurën e gjakësit të shqiptarëve?
Së fundi, është e vërtetë se Enver Hoxha nuk mund të ringjallet. Kjo sepse Enver Hoxha nuk ka vdekur ende. Ai jeton tek bashkëpunëtorët e vet, të cilët sot gëzojnë poste, ofiqe, biznese e honore. Ai jeton te bijtë e etërve që sot, bashkë me të njëjtat bindje politike, trashëgojnë edhe privilegjet e baballarëve; ai jeton te vuajtjet e klasës së përmbysur, që sot është ende e parehabilituar, në inferioritet të plotë përballë ish-persekutorëve; ai jeton te lufta e klasave, që është ende e gjallë dhe e fuqishme në mentalitetin, kryesisht të shtypësve; ai jeton tek akademikët që bëhen bashkë, grusht-bashkuar rreth partisë, për të mbrojtur idenë se “ka pasur edhe të mira ai regjim”, dhe se, bie fjala, një maskara si Mehmet Shehu paska qenë burrë shteti; ai jeton edhe te monopolizimi që qeveria i bën rezistencës antifashiste, sikur luftën e kanë bërë vetëm partizanët…
Pensionistët me shalle partizane, janë thjesht pjesa më sipërfaqësore dhe e parëndësishme e kësaj poshtërsie. Indinjata qendron tek ata që i shtyjnë këto shfaqje dhe tek toleranca mikpritëse e qeverisë ndaj tyre. Paaftësia e Kryeministrit për t’i parë të gjitha këto, apo të paktën për t’i parë problemet me sytë e të tjerëve, tregon për mungesën e vullnetit të tij për të qenë i paanshëm në këtë fushë. Kjo nënkupton se nuk ka arsye për të besuar ato që ai thotë për zbardhjen e të shkuarës dhe respektimin e viktimave të komunizmit.