Në një shkrim të tij në New York Times, gazetari David Brooks, shpjegon se ish vendet komuniste kanë problemin më të madh në rindërtimin e shoqërisë së tregut pikërisht prishjen që i ka ndodhur gjithë sistemit të vlerave, ç’ka i bën lehtësisht disa të jenë nostalgjikë ndaj sigurisë së të shkuarës dhe mosbesues ndaj të ardhmes.
Në fakt në Shqipëri ky dyshim ka ndodhur në mënyrën më të rëndë, dhe nxjerrja tashmë e fotove të Enverit në mënyrë krejt të hapur tregon se mosbesimi ndaj vlerave të ndërtuara ka ngjallur më shumë nostlagjikët. Duhet pohuar, se kjo vjen nga një moslexim i vazhdueshëm i së djeshmes, i të mosthënurit të gjërave siç kanë ndodhur dhe më e keqja, e mosdënimit të qartë të krimeve komuniste, e sidomos mosdënimi i metodologjive të atij sistemi në denatyrimin e shoqërisë.
Eshtë shumë e vërtetë që ne kemi votuar rezoluta në Kuvend ku dënohen krimet e komunizmit, janë bërë konferenca, shkrime, por duket se shqiptarët i kanë parë këto deklarata ashtu siç shohin ligjet – shumë të mira – por që nuk i zbatojnë. Kjo për faktin se kultura e hipokrizisë dhe mosbesimit e krijuar për 50 vite ka krijuar një dyftyrësi komunikimi, çka vihet re lehtësisht edhe në marrëdhëniet shoqërore, e sidomos në lehtësinë e funksionimit nën pëlhurën e skllavit në marrëdhëniet ndërvartësore që nga periferia e deri në dikasteret më të larta e shoqërinë politike.
Ardhur nga kultura e të emëruarit nga partia, e si pasojë, e të menduarit “sipas partisë”, shumë nga ata që kishin fatin të drejtonin në këto 24 vite nuk mundën dot të kapnin ritmin e një raporti të ri të shoqërisë, familjes, e sidomos të vetvetes. Edukimi në një skllavëri mendimi, të një kulture mosbesimi ndaj të ardhmes, e një frike të së nesërmes, i bëri shumë prej drejtuesve të jetonin me moton “merr ç’të mundesh”, çka është edhe baza e një korrupsioni të madh në vendet që kanë kaluar diktatura të ngjashme si ne, siç nënvizon dhe Brooks.
Përpara kësaj pasqyre trishtuese të komunikimit shoqëror, duket një fyerje e përmasave gjigande diskutimi mbi vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, apo tolerimi si padashje që i bëhet në riardhjen publike. Madje, edhe rëndësia e Luftës është rrëzuar nga veprimet pushtuese të atyre që morën pushtetin, pasi numri i të vrarëve prej tyre kalon çdo përmasë pushtimi. Ndaj, meqenëse jemi pushtuar nga ajo që Hannah Arend e quan “banaliteti i së keqes”, duhet medoemos të gjejmë mekanizmat e një debati të gjerë, për t’i dhënë një drejtim të duhur diskutimit mbi ndërtimin e një shoqërie larg “instalimit të dyftyrësisë si paraqitje zyrtare”.
Por në këtë rrugëtim ne nuk ka pse të gënjejmë veten se mund ta ndërtojmë të nesërmen pa lexuar drejt të shkuarën, pa i dhënë në dorë trofeun që i takon, qoftë një piedestal me kokë poshtë apo një përmendore e së keqes. Ndaj të gjithë duhet të lexojmë mirë pasojat që na erdhën në këto 24 vite nga “njeriu i ri” që ndërtoi sistemi në 50 vite, që të mos vuajmë më nga shkaqe të ngjashme.
Eshtë koha të shpëtojmë një herë e mirë nga njeriu i emëruar, i frikësuar, i gatuar për të mos menduar të nesërmen, por të presë urdhërin, që mos mendojë si një të keqe ekzekutimin e jetës së tjetrit, ëndrrës, mendimit dhe që ndërtoi shtratin e gënjeshtrës ku nuk qëndronte asnjë prodhim lirie nën të.
Pa thënë të vërtetën për atë gatim nuk do mundemi kurrë të kuptojmë gjithë kurthet që po na mbajnë peng të ndërtimit të një shoqërie ku të besojmë se demokracia funksionon, se ligjet mund të zbatohen dhe se mund të notojmë në lumin e së drejtës, sado i furishëm të jetë ai për jetët tona.