Tim Stanley
Daily Telegraph
Unë mendoja se i vetmi vend në Britani, ku mund të debatoje në mënyrë miqësore, ishte universiteti i Oksfordit. Por e kisha gabim. Aty zbulova se të debatoje çështjen e abortit të lejohet vetëm nëse 1) je grua dhe 2) je pro abortit. Çdo qasje tjetër për këtë çështje është i prirë të tërheqë një turmë…
Para disa muajsh, pranova një ftesë nga universiteti i Oksfordit të debatoja me Brendan O’Neill për temën “Kjo shtëpi mendon se kultura e abortit në Britani na dëmton të gjithëve”. Debati ishte vendosur në kolegjin Kisha e Krishtit (Christ Church College) dhe rreth 60 vetë firmosën në Facebook për të marrë pjesë. Të jem i qartë: ky nuk ishte një demonstrim pro jetës dhe tema nuk ishte, nëse gratë duhet të kenë të drejtë të zgjedhin të abortojnë ose jo. Megjithëse flisja për propozicionin [pala afirmative në një debat], fjalimi im mund të kishte filluar duke vënë në dukje se mocioni [tema për diskutim] nuk kishte të bënte me të drejtën per se të abortit, por ishte thjesht një konsideratë mbi faktin se ekzistenca e një mënyre më efektive për abort ndikon shoqërinë e gjerë. Brendani, i cili fliste për opozitën [pozicioni kundër në debat], padyshim që do të kishte bërë një punë cilësore për të më zënë mat. Ishte një debat i lirë dhe i drejtë që unë parashikoja ta humbisja.
Por dikush ishte zemëruar prej faktit që ne kishim guxuar të debatonim për këtë çështje. Një grup me rreth 300 persona i quajtur ““What the f**k is ‘Abortion Culture’?” [Çfarë dreqin është kultura e abortit] u shfaq në Facebook duke premtuar “të ndërmerrte disa instrumente jo shkatërrues, por shpërbërës për t’iu demonstruar personave kundër zgjedhjes çfarë mendojmë ne për “debatin” e tyre.” Ne ishim fajtorë që promovonim “retorikë kundër zgjedhjes dhe që nxit cissexism.” Akuza për cissexism më bëri të kërkoj në fjalorin urban online. Sipas fjalori, “cis” quhet dikush që identifikohet me gjininë me të cilën ka lindur. Këtu fshihet diçka.
Sindikata e studentëve të universitetit bëri një deklaratë kundër Brendan-it dhe meje, që ishim të lidhur në mënyrë fyese me gjenitalet tona të dhuruara nga Zoti: “Fushata e Grave [shoqatë] e dënon universitetin për organizmin e debatit. Është absurde të mendojmë se duhet të dëgjomë dy burra cisgender [me gjini natyrore] të debatojnë se çfarë duhet të bëjnë me trupin e tyre njerëz që kanë mitër.” Më tej, Dhoma e Përbashkët e të Rinjve të Kishës së Krishtit [një emërtim që thjesht do të thotë “komitet që menaxhon barin e studentëve”] miratoi një peticion që i kërkonte kolegjit të tyre të mos e jepte sallën për debat. Në fund, kolegji u dorëzua për shkak se “nuk kishte kohë të mjaftueshme nga sot deri nesër për të trajtuar disa nga shqetësimet e shfaqura në lidhje me debatin.” Shoqata “Pro jetës” u përpoq të gjente një mjedis tjetër, por të gjithë thanë “jo”. Me sa di dy kolegje pranuan, por më vonë u tërhoqën. Isha ulur në stacionin Paddigton gati të futesha në tren të Oksfordit në orën 16.40 kur më lajmëruan se debati ishte anuluar përfundimisht. Unë thashë të njëjtën gjë që ime më thotë kur ngec në trafik ose kur i ikën sinjali televizorit: “Kjo është arsyeja pse qytetarët votojnë Ukip [parti e ekstremit të djathtë].”
Argumenti kundër mbajtjes së debatit ishin jo reale. Fakti që do të flisnin vetëm burra nuk ishte arsye për ta anuluar. A) Kushdo që ishte kundër temës ose mashkulloritetit të folësve ishte i lirë të mos merrte pjesë. B) Një shoqëri private duhet të lejohet të ftojë kë të dëshirojë për të debatuar çfarëdo që t’iu pëlqejë (me kusht që të jetë brenda ligjit dhe të mos përfshijë dhunë etj.). C) Ideja që një çështje etike mund të debatohet vetëm nga njerëz të prekur prej saj është dukshëm jo inteligjente. Dhe D) ne nuk do debatonim të drejtën e grave për të zgjedhur, por ndikimin e abortit në shoqërinë e gjerë, pjesë e të cilës janë dhe një numër burrash.
Disa u përpoqën të thonë se prania e këtij debati mund të shkaktonte çështje pasigurie te studentët jashtëzakonisht delikatë të Kishës së Krishtit, por dhe kjo është thjesht tym e pasqyra. A do të thotë kjo se në Hong Kong nuk duhet të zhvillohet asnjë debat për demokracinë se kjo lëndon disa fëmijë të aparatçikëve kinezë që studiojnë në Britani? Ndërsa në lidhje me shqetësimin se ky debat do të kërcënonte të drejtat e abortit në përgjithësi, po jua kujtoj për të mijtën herë se ne nuk do të debatonin për të drejtat – megjithëse, edhe sikur të debatonim, debati nuk do të ndryshonte faktin që aborti bëhet gjerësisht në Britani, lehtësisht, dhe është një subjekt i mbrojtur me ligj. Siç e provoi dhe ndalimi me sukses i debatit.
E provuar gjithashtu është dhe fakti që elementë të së majtës punojnë shumë për të përkufizuar parametra të rinj për lirinë e fjalës. Je i lirë të flasësh sa nuk ofendon disa ndjeshmëri të caktuara, gjë që nuk ka të bëjë fare me lirinë. Kjo më kujton etikën e lashtë puritane që qeniet njerëzore kishin liri vetëm nëse kjo liri çonte në shpëtimin e tyre. Ushtrimi i çdo lirie që e largonte njeriun nga Zoti përfaqësonte skllavërinë ndaj gënjeshtrës dhe për këtë arsye ishte e jashtëligjshme – për të mirën e të ashtuquajturit mëkatar. Shumë përfaqësues të së majtës imitojnë pikërisht të menduarit autoritarist të së djathtës që ata pretendojnë se urrejnë, në të njëjtën mënyrë ata përpiqen të mbrojnë përkufizimin e tyre për lirinë duke zhdukur idetë e kundërta. Për çështjen e abortit, e majta mund ta shijojë autoritarizmin sepse shoqëria e sotme është gjerësisht dakord me ta. Por do të vijë një ditë kur ata do të përpiqen të debatojnë diçka që nuk do të gëzojë popullaritet, e, atëherë, edhe ata do të luftohen. E unë do të jem aty të mbroj të drejtën e tyre për të thënë diçka me të cilën nuk jam dakord.
Sepse me kalimin e moshës e kupton më mirë se po aq të rëndësishme sa bindjet e tua janë dhe liritë për t’i artikuluar ato pa frikë. Besoj se pjekuria na zbut të gjithëve.
___________________________________
Titulli i modifikuar nga redaksia