Kryeministri ishte i vendosur të bënte një vizitë zyrtare në Beograd, edhe pse serbët dhanë disa sinjale që nuk ishin të gatshëm ta prisnin. Serbët i shfrytëzuan më së miri trazirat që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri (14 tetor 2014) për t’i dërguar sinjale Tiranës, se vizita e kryeministrit, e planifikuar për në 22 tetor, nuk duhej bërë. Në fillim serbët, politikanë të nivelit të lartë, akuzuan Shqipërinë si shkaktare të ngjarjeve në stadium. Pastaj akuzuan direkt vëllain e kryeministrit Rama si personi që drejtoi fluturimin e miniavionit mbi statium. Presidenti i Serbisë deklaroi se Shqipërisë i duhen edhe 100 vjet të tjertë të bëjë shtet. E megjithatë zoti Rama këmbënguli se do të shkonte në Beograd, edhe pasi kryeministri serb u shpreh, fare pak ditë para datës 22, se nuk e kam vendosur, nëse do ta pres zotin Rama apo jo. Dhe vizita u bë më 10 nëntor 20014. Këtu kemi përmbledhur reagimin e disa medieve ndërkombëtare për këtë takim.
Angjecia britanike Reuters shkruan se “vizita e parë e një lideri shqiptar në Serbi pas 68 vjetësh të hënën u kthye në një grindje publike mes dy kryeministrave” për shkak të pavarësisë së Kosovës. “Ne kemi dy qëndrime krejt ndryshme për Kosovën, por realiteti është një dhe i pandryshueshëm,” tha Rama, i cituar nga Reuters, në konferencën për shtyp. “Kosova e pavarur është një realitet rajonal dhe europian i pamohueshëm, dhe duhet respektuar.” Këto deklarata, shkruan Reuters, e zemëruan kryeminsitrin serb Aleksandër Vuçiç, i cili nuk e priste një “provokim” të tillë. Ai tha: “Sipas kushtetutës [serbe] Kosova është Serbi dhe unë jam i detyruar të them se askush nuk mund ta poshtërojë Serbinë.”
Vizita “historike” e Edi Ramës në Beograd shihej si një përpjekje për të lënë mënjanë dallimet pas një ndeshje ndërkombëtare të ndërprerë muajin e kaluar, por u nxehën gjakrat kur zoti Rama tha se pavarësia e Kosovës ishte “e pamohueshme” dhe duhet “të respektohet”, shkruan BBC në faqen e elektronike. “Vizita e zotit Rama ishte shtyrë për shkak të tensionit të të dyja palëve që shoqëroi ndeshjen. Pastaj konferenca për shtyp të hënën me homologun serb u kthye në shkëmbim replikash,” shkruan BBC.
Agjencia amerikane Associated Press, si dhe mediet e tjera, e raporton ngjarjen duke veçuar si konkluzion të saj faktin që tensionet mes dy vendeve nuk u ulën, megjithëse qëllimi i vizitës ishte e kundërta. “Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë u betuan t’i linin dallimet mënjanë dhe të përqëndroheshin në dëshirën e tyre të përbashkët për t’u anëtarësuar në BE – por mirëkuptimi mes dy rivalëve ballkanikë nuk zgjati as deri në fund të konfernecës së tyre të përbashkët,” shkruan Associated Press, artikullin e të cilës e kemi marrë nga gazeta britanike Daily Mail. Pas takimit, zoti Rama i ka thënë AP se nuk do të ndihej i provokuar nëse kryeministri serb do të shprehte hapur qëndrimin e tij në Tiranë. “Do të ndihesha rehat, sepse miku do të kishte lirinë të thoshte çfarë dëshironte,” është shprehur Rama.
Të gjitha mediet ndërkombëtare u përqëndruan te tensioni në konferencën e shtypit, gjë që ishte dhe dëshmia e gjithë bilancit të vizitës. Pavarësisht mosmarrëveshjes së të hënës, Vuçiç u tha gazetarëve se dy rivalët, të cilët të dy duan të anëtarësohen në BE, “do të Vazhdojnë të bisedojnë, raporton Deutsche Welle. E ky mund të konsiderohet detaji më pozitiv i kësaj vizite.