Ngjarjet e fundit midis shqiptarëve dhe serbëve kanë trazuar kanalet eujërave të zeza Europës dhe Ballkanit dhe tashmë muhabeti ka filluar të vijë erë. Në një masë të konsiderueshme Platini, Blater, znj. Ashton e shumë drejtues organizmash ndërkombëtare të sportit e politikës kanë shfaqur hapur anësinë ndaj serbëve, megjithëse duket krejt e pamundur për një mendje të shëndoshë të gjejë, qoftë edhe një fije kashte, ku të kapet për t’a nxjerrë situatën në barazpeshë. Nga e gjithë kjo shqiptarët duket se janë jetimë dhe askush nuk u del për zot. Mbi të gjitha jemi të braktisur nga qeveria jonë dhe institucionet tona përfaqësuese.
Qeveria shqiptare dhe federata e futbollit e lanë fillimisht bosh arenën e opinionit ndërkombëtar duke mos bërë asnjë prononcim e asnjë reagim ndaj palës serbe, që për ditë me rradhë ka artikuluar një gjuhë të ashpër kundër shqiptarëve. Diplomacia serbe i kërkon qeverisë shqiptare të kërkojë falje për flamurin e hedhur në fushë nga helikopteri i tekomanduar, duke fajsuar atë për këtë incident, ndërkohë që ne nuk u kërkojmë të njëjtën gjë, për fyerjet, racizmin, korret “vdekje shqiptareve”, për sjelljen brutale të policisë ndaj kombëtares etj .
Por edhe pas deklaratave të vakëta të ardhura me vonesë, institucionet shqiptare shfaqin mungesë vullneti për t’u përballur siç duhet në fushën mediatike e diplomatike, ndërkohë që nuk është bërë asgjë për të lobuar që UEFA, të mos dënojë skuadrën tonë dhe të mos fajsojë shqiptarët në këtë ngjarje. Ndërkohë serbët kanë punuar mjaft mirë në këtë drejtim dhe duket se ia kanë dalë ta turbullojnë opinionin, teksa ia kanë dalë të instrumentalizojnë edhe shumë organizma në futboll e politikë. Eshtë e paimagjinueshme të shkosh e të dhunohesh në një vend, për një ndeshje futbolli, dhe të sulmohesh e kërcënohesh pastaj politikisht si fajtor. Këtë vetëm serbët mund ta bëjnë dhe vetëm shqiptarët mund ta pranojnë.
E megjithatë, pas gjithë kësaj urrejtjeje, racizmi, dhune, fyerjesh, kërcënimesh të bëra nga serbët, në stadium e në politikë, Kryeministri ynë këmbëngul se do të shkojë në Beograd për të forcuar miqësinë midis dy vendeve. Këmbëngulja e tij nuk lëkundet edhe kur serbët kanë anulluar pritjen dhe shprehen se do ta rishikojnë mundësinë e realizimit të vizitës. Ndërkohë, ministri Tahiri deklaron, pa u skuqur, se homologu i tij as që i hap telefonin. E megjithatë miqësia jonë me serbët mbetet e palëkundur. Në mënyrë krejt qesharake mesazhi i politikës sonë është se miqësinë me serbët nuk e pengon as urrejtja e tyre. Vetëm Rama mund të mendojë se mundë të shkojë si mik, në shtëpinë ku e kanë pritur me dru.
Natyrisht që imazhi ynë këtu është qesharak, ndonëse kryeministri kërkon ta shesë inferioritetin si superioritet. Ai u shpreh se, ndryshe nga serbët, shqiptarët zgjodhën rrugën europiane:
“Kurse ne zgjodhëm rrugën tjetër, rrugën e të sjellit si europianë, zgjodhëm të mos i përgjigjeshim retorikës nacionaliste dhe brutale, zgjodhëm që të vazhdonim rrugën tonë drejt së ardhmes dhe që të vazhdojmë punën për paqen, kooperimin dhe për dialogun midis gjithë vendeve të rajonit”
Nga kjo deklaratë kuptojmë se Rama ka ngatërruar modelin e të sjellurit si europianë me atë të të sjellurit siç urdhëron Europa. Çdo kryeministër në Europë do të kish artikuluar një gjuhë krejt tjetër nga kjo e Ramës në kësi rastesh. Të sillesh si Europian nuk do të thotë të bësh çfarë të kërkon Fyle apo Merkel, por të mbrosh pikë së pari me vendosmëri e krenari interesat dhe dinjitetin e vendit tënd. Servilizmi dhe nënshtrimi nuk janë aspak tipare të një politike europiane.
Kjo politikë përuljeje në të vërtetë bëhet akoma edhe më e shëmtuar kur dimë sesa e panatyrshme është për Ramën. Profili i tij prej rebeli e antikonformisti, gjuha e tij polemizuese e atakuese që ofronin modelin e një politike plot grintë, duket se është zhdukur tashmë në arenën ndëkombëtare, për t’ia lenë vendin një Nelson Mandele pacifist. Ky është një kostum që nuk i ngjit aspak një politikani të mësuar të luajë në sulm siç e ka paraqitur veten gjithmonë Rama. Nëse kryeministri mendon se ky është vërtetë profili europian i të bërit politikë, përse nuk ka shfaqur asnjëherë brenda vendit një model të tillë tolerance?
Nëse Rama do të ishte vërtetë kaq pacifist, do të ishte i vetmi lider në botë me këtë profil në arenën ndërkombëtare. Ne do të ishim vendi më “europian” në botë, ashtu si edhe në rastin e armëve kimike, kur u bëmë i vetmi vend në Europë që i pranuam, madje plot krenari. Në fakt, ky model nuk ka asnjë lidhje me Europën. Përkundrazi, ky është modeli i një politikani krejtësisht ballkanik, në kuptimin stereotipik të fjalës, ku pacifizmi nuk është gjë tjetër vetëm se servilizëm që buron nga korruptueshmëria.
Dikush do të thoshte që Rama është i detyruar të veprojë kështu, pasi nuk kundërshton dot Europën, por kjo nuk duket aspak e vërtetë. Rama ka treguar se di të jetë kokëfortë ndaj Europës kur i cënohen interesat e veta. Të gjithë e dimë se ç’hoqi Fyle për ta bindur të gjejë gjuhën e pajtimit me Berishën dhe nuk ia doli dot, madje as me darkën në Crocodille. Europa kërkon vërtetë një rol paqtues në rajon, por nuk mund të kërkojë që Kryeministri ynë të pranojë përdhunën dhe fyerjet e serbëve, për hir të një vizite në Beograd. Servilizmi buron nga brenda jo nga jashtë. Eshtë pasojë e një realiteti të brishtë brenda vendit, të prodhuar nga niveli i lartë i korrupsionit. Kjo ka bërë që praktikisht të mos kemi politikë të jashtme, – duke ua lënë atë të na e bëjnë europianët, – pikërisht për të mbrojtur pozitat personale në arenën e politikës së brendshme. Imazhi ynë, mbetet peng i këtyre interesave të volga korruptive të liderëve tanë që nuk kanë asnjë axhendë jashtë luftës së brendshme për pushtet.