Emma Graham-Harrison
Ian Black
Turqia është nën presion të ndihmojë mbrojtjen e qytetit sirian të Kobanit nga luftëtarët e Shtetit Islamik, me paralajmërimin e OKB se rënia e tij rrezikon të kthehet në një tjetër masakër si ajo e Sebrenicës më 1995, që simbolizon përpjekjet ndërkombëtare për të ndaluar luftën e Bosnjës.
Staffan de Mistura, i ngarkuari special i OKB për Sirinë, foli pasi ISIS mori bazën e milicisë që mbron Kobanin. “Secili duhet të bëjë çfarë mundet për të ndaluar këtë”, u tha gazetarëve në Gjenevë diplomati italiano-suedez. “Shpresoj të mos shikojmë prerje kokash.” Nëse Kobani bie, mund të vdesin miliona, tha ai.
Grupi xhihadist kontrollon tashmë më shumë se gjysmën e qytetit dhe, nëse mbrojtësit e tij nuk marrin më shumë municion dhe ushqim, qyteti do të bjerë për pak ditë, i tha Guardian-it një aktivist lokal. “Qeveria turke nuk lejon furnizime përmes kufirit dhe atyre po u mbaron gjithçka, edhe armët, kjo është arsyeja përse ISIS fiton territor gjithnjë e më shumë,” tha Mustafa Abdiu. “Kur avionët gjuajnë e vrasin pesë prej tyre, ata dërgojnë 50 luftëtarë të tjerë.”
Luftëtarëve u janë shpërndarë thika, t’i përdorin në rast se u mbarojnë fishekët. Në rast se nuk i shtyjnë dot militantët, asnjëri prej tyre nuk parashikon të largohet i gjallë.
De Mistura tha se 500-700 të moshuar dhe civilë të tjerë janë ende të izoluar në qytet, ndërsa 10000-13000 kanë ngecur afër kufirit. “Srebrenicën e mbani mend. Ne s’e harruam kurrë e ndoshta nuk do t’ia falim kurrë vetes atë,” tha ai. “Kur civilët janë të rrezikuar, ne s’duhet të rrimë të qetë.”
Afërsisht 8000 burra e djem myslimanë u masakruan në korrik 1995 nga forcat serbe në krimin më të madh në tokën europiane qysh prej Luftës së Dytë Botërore.
Në Koban, kryetari i këshillit Anwar Muslim tha se milicia e ISIS ka marrë më pak se 1/3 e qytetit, por dërgojnë makina vetëvrasëse në qendër të qytetit për të vrarë mbrojtësit kurdë. Deri tani këto sulme janë frenuar, por ai paralajmëroi se do të ketë masakra nëse njësitet e Mbrojtjes Popullore Kurde nuk marrin ndihma të reja.
“[ISIS] përpiqet të futet në qytet e të vrasë civilët që kanë qëndruar aty”, i tha Guardian-it Muslim-i në telefon. “Mund të dëgjoni zhurmat e luftës gjithandej. Ne do të qëndrojmë deri në momentin e fundit.”
Zjarri i herëpashershëm i armëve që dukej se ishin predha raketahedhësesh e mortajash dëgjoheshin përkëtej kufirit në Turqi, dhe në largësi ngriheshin shtëllunga tymi.
Abdi paralajmëroi për fatin e frikshëm të civilëve. “Ata kanë dëgjuar për kushtet e këqija të refugjatëve dhe kanë preferuar të vdesin në shtëpitë e tyre, në vend që të flenë rrugëve, e shumica e tyre s’kanë para,” tha ai. “Shumë njerëz gjithashtu që kanë kaluar kufirin kohët e fundit janë arrestuar nga qeveria turke, e cila i konsideron luftëtarë të PPK (luftëtarë separatistë që luftojnë brenda Turqisë).”
Komanda Qendrore e SHBA-së tha se kishte zhvilluar nëntë sulme ajrore në Siri të enjten dhe të premten, gjashtë prej tyre në jug të Kobanit dhe kishte shkatërruar dy godina që mbaheshin prej ISIS-it, një tank dhe një mitraloz të rëndë, si dhe një pozicion luftimi. Tre gjuajtje në veri të Kobanit goditën dy njësi të vogla të ISIS-it dhe prishën dy godina që i mbaheshin prej tij, thuhej në deklaratë. Në këto sulme ajrore morën pjesë dhe avionë nga Emiratet e Bashkuara dhe nga Arabia Saudite, shtonte deklarata.
Zyrtarët turq, të habitur nga kritikat e brendshme dhe ndërkombëtare për mosveprimin e qeverisë, kanë vazhduar të këmbëngulin se nuk do të tërhiqen në veprim të njëanshëm që do t’i zhyste në luftën siriane, e cila ka dërguar përtej kufirit më shumë se 1.2 milionë njerëz, një valë refugjatësh që Turqia e ka përballuar me sakrifica.
Kriza në rritje ka tensionuar marrëdhëniet turko-kurde dhe ka nxitur protesta në gjithë vendin. “Përpjekja për të lexuar një konflikt, i cili ka marrë më shumë se 200 mijë jetë, vetëm përmes zhvillimeve në Koban nuk është korrekte,” thuhej në një deklaratë qeveritare.
Ankaraja thotë se dëshiron një zonë ndalim-fluturimi, një zonë kufitare të lirë dhe stërvitje të intensifikuar dhe armë për grupet rebele joxhihadiste që luftojnë kundër Bashar al-Assad-it.
Koalicioni kundër ISIS-it, i drejtuar nga SHBA, e ka bërë të qartë se beson që Kobani ka shumë mundësi të bjerë. “Nuk e di çfarë do të ndodhë sepse pa forca tokësore do të jetë e vështirë që vetëm me sulme ajrore të ndalohet ISIS-i për të marrë qytetin,” tha zv/këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA, Toni Blinken, në Londër. “Çdo ditë në Irak ka Kobanë të tjerë, në Siri gjithashtu ka Kobanë të tjerë.”
Planifikues ushtarakë të SHBA-së do të vizitojnë Turqinë javën e ardhshme, ndërsa Uashingtoni po rrit përpjekjet të bindë Turqinë të luajë një rol më aktiv në koalicionin e Barak Obamës kundër ISIS-it. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë të premten se Turqia kishte rënë dakord për stërvitjen rebelëve sirianë të moderuar, por mbetej për t’u detajuar gjëra të rëndësishme, përfshi dhe faktin nëse stërvitja do të lejohej apo jo të zhvillohej në tokën turke.