David Brooks
Gjatë shekullit të 20-të, politologët identifikoheshin më shumë me revistat, sesa me partitë politike me të cilat kishin afërsi pikëpamjesh. Arthur Schlesinger identifikohej me The New Republic. Lionel Trilling identifikohej me Partisan Review. Çdo revistë kishte personalitetin e saj, komunitetin e saj të shkrimtarëve e lexuesve dhe gjurmën e saj në peizazhin intelektual.
Sot interneti i ka sfumuar komunitet e revistave. Shumica e atyre revistave ekziston ende, por lexuesit navigojnë në to sipërfaqshëm dhe klikojnë në artikuj të veçantë. Shkrimtarët e tyre identifikohen më shumë individualisht sesa si anëtarë të një grupi. Diçka e rëndësishme ka humbur në këtë tranzicion. Për shembull, The New Republic, e cila mbush 100 vjet sivjet, u ka kërkuar lexuesve të saj një radhë gjëradh sipërfaqësore dhe kontradiktore. Të bëhesh njeri i kompletuar, nënkuptonte kjo revistë, është e nevojshme të jesh filozofik dhe praktik, politikisht i angazhuar dhe artistikisht i kultivivuar, njëkohësisht. Revista ka ofruar, dhe i ofron ende, artikuj të shkurtër praktikë mbi politikën në fillim të librit dhe ese të gjata letrare mbi filozofinë dhe kulturën në pjesën e pasme.
Më 1940, kjo revistë botoi një kritikë goditëse për ata që nuk pranojnë të përqafojnë të dyja llojet e dijes. Eseja e titulluar “Korrupsioni i liberalizmit” ishte shkruar nga shkrimtari Lewis Mumford, padrejtësisht i harruar. Subjekti bazë i Mumford-it ishe tendenca e miqve të tij liberalë, për të qëndruar të tërhequr në konfliktin qendror të kohës, lufta kundër totalitarizmit. “Leberalimi qëndron pasiv përballë rrezikut,” shkroi ai. “Liberalizmi qëndron në anën e izolimit, kur përballemi me rritjen e menjëhershme të barbarizmit në shkallë botërore.” Liberalët, vazhdon ai, “nuk guxojnë më të veprojnë.”
Por, Mumford depërton më thellë, duke trajtuar vetë mënyrën e të menduarit pragmatist, cilësi e njerëzve që përpiqen të qeverisin pa thellësi filozofike ose letrare. E, sa i përket kësaj, eseja e tij është një perspektivë për mënyrës së të menduarit që është dominuese në rrethet politike sot. Uashingtoni sot është i mbushur me analistë statistikash, politologë të palodhur dhe sociologë. Sot debati për politikën e jashtme zhvillohet në vija realiste, nga liberalët dhe konservatorët.
Një problem thelbësor i pragmatistëve, argumenton Mumford-i, është fakti që ata lidhen me shkencën dhe shkencat sociale aq shumë saqë harrojnë mënyrat e vëzhgimit që ofron teologjia dhe letërsia. Kjo çon në një këndvështrim sipërfaqësor, i mangët për botën. “Liberalizmi pragmatik,” shkruan Mumford-i, “ishte gjerësisht i preokupuar me makinerinë e jetës. Ka qenë karakteristikë e këtyre njerëzve që të hiperbolizojnë ndikimin e zbulimeve mekanike dhe politike, përmes mendimit abstrakt dhe instrumentave praktike. Nga ana tjetër, minimizon rolin e instiktit, traditës, historisë; ata nuk i vënë re forcat e errëta të nënvetëdijes; ata janë dyshues ndaj të papriturës ose të pallogaritshmes, ngaqë i vetmi univers që ata mund të sundojnë është një univers i përcaktuar, i vetmi tip karakteri njerëzor që ata mund të kuptojnë është karakteri utilitar.”
Për shkak të këtyre kufizimeve, pragmatistët nuk mund t’i kuptojnë jopragmatistët: “Nuk e teprojmë nëse themi që një liberal pragmatik e anashkalon botën e personalitetit, botën e vlerave, ndjenjave, emocioneve, dëshirave, qëllimeve. Ai mendons se ajo ose nuk ekziston fare, ose është e pa rëndësishme; ose, nëse ekziston, ajo duhet lënë në vetvete, pa u kultivuar. Për atë njerëzit janë thelbësisht të mirë ose të këqinj dhe vetëm institucionet politike dhe ekonomike difektoze – difekte krejtësisht në mekanizmin e shoqërisë – e pengojnë atë përmirësohet.”
Shpesh ekonomistët dështojnë se përpiqen të shërojnë me ilaçe ekonomike aktorë joekonomikë. Ata që kërcënojnë civilizimin – Stalini asokohe e Putini dhe ISIS tani – janë të nxitur nga morali fanatik dhe shtysa kafshërore. Saksionet ekonomike nuk bëjnë punë. “Një personi që shkon për gjueti ka nevojë t’i tregohet kërma e një dreri të vrarë në dyqanin e kasapit…”
Pragmatistët e kanë vështirë të ndërmarrin veprime. Ata përpiqen të mënjanojnë emocionet kur marrin vendime, sepse emocionet mund t’i keqorientojnë. Por, duke u zhveshur nga emocionet, gjithmonë bëhen të ftohtë, të mpirë. Kjo çon në pasivitet. Kur kujtohen ata, është shumë vonë.
Mumford-i konkludon se vetëm njerëzit me sens morali të lartë do të mobilizohen si duhet për të mbrojtur njerëzimin. “Për jetën nuk ia vlen të luftohet: jeta e zhveshur nuk ka vlerë. Për drejtësi ia vlen të luftohet, për rregull ia vlen të luftohet, për kulturë… ia vlen të luftohet: këto parime dhe vlera universale i japin jetës njerëzore qëllim dhe drejtim.”
Sot idealizmi politik i lartë nuk është i pëlqyer. Edhe një president i zgjedhur fillimisht si një idealist është tkurrur në një rol më tekonkratik. Por Mumford-i e trajton çështjen për liderë që e kuptojnë të keqen deri në thellësitë e saj, që kanë ndjeshmëri letrare dhe që reagojnë me një zemër e cila rreh nga emocionet.